Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Nga “Guns N’ Roses” deri te “Thumbi”, të gjitha arsyet pse e dua kaq shumë nëntorin

Nga “Guns N’ Roses” deri te “Thumbi”, të gjitha arsyet pse e dua kaq shumë nëntorin
November 01
16:52 2018

Është zyrtare: Halloween-in e lamë pas dhe ai kapitull u mbyll më në fund për këtë vit.

Për të gjithë ju që mezi prisni një tjetër rast për të festuar, nuk kemi pse të shqetësoheni: nëntori ka plot motive për t’i qenë falenderues.

Ja disa nga arsyet e mbledhura së bashku që e bëjnë nëntorin një muaj kaq special dhe të preferuar për shumë nga ne:

 

  • Ditëlindjet

Unë kam lindur më 21 nëntor 1991 dhe padiskutim ky është eventi kryesor i muajit… për mua.

Për aq sa mbaj mend, e kam dashuruar gjithmonë nëntorin, por jo vetëm se është ditëlindja ime apo e mamasë sime, por edhe për një mijë e një ndjesitë që ky muaj më përcjell.

Këtu besoj më kuptojnë gjithë “bebat” e tjerë të nëntorit.

Më lejoni t’ju them gjithashtu se të gjithë kemi lindur për të qenë pjesë e perandorisë së Hollywood-it, thjesht Leonardo Di Caprio, Scarlett Johansson, Ryan Gosling apo Kendall Jenner ishin pak më me fat se ne të tjerët.

Epo, gëzuar për të gjithë!

 

  • Vjeshta

Teorikisht, vjeshtën duhet ta kishim provuar që në shtator dhe tetor, por ja  që “ngrohja globale” bën që ndjesinë e vërtetë të vjeshtës ta provojmë vetëm në këtë muaj.

Nuk duhet ta humbisni pamjen e artë të nëntorit nga gjethet e pemëve që mbulojnë rrugicat.

Në mos një shëtitje, duhet patjetër të zgjoni fëmijën brenda jush i cili me siguri mezi pret për t’u hedhur mbi grumbullimin e gjetheve, si dikur.

Pak erë e ngrohtë që na përkëdhel flokët, ndonjë shi i lehtë dhe ja ku u shijuan gjithë benefitet e këtij muaji.

 

  • Ushqimi

Në muajin nëntor, aroma e ushqimit është ndryshe. Ndihet kudo një aromë portokalli.

Shtëpia merr herë një aromë kanelle, e herë të tjera erë gështenjash të pjekura.

Qumështi, çaji dhe çokollata e ngrohtë bëhen shoqërueset e ditëve tona.

Përfundimisht, ushqimi në nëntor është: Mmmmmm….

 

  • Kohë e shpenzuar me familjen

Ky muaj është ideal për të kaluar kohë cilësore me familjen dhe s’ka asgjë më fantastike se kjo.

Nëntori na jep gjithmonë mundësinë të mblidhemi në shtëpi me të dashurit tanë e të shijojmë bisedat apo përqafimet e tyre të ngrohta. Më besoni, në një nëntor të ftohtë, përqafimet në grup janë shumë efektive.

Home Sweet Home!

 

  • Festat e nëntorit

Ndërkohë, në fund të muajit janë ato që ne zakonisht i themi “festat e nëntorit”.

Më 28-29 nëntor kemi gjithë të drejtën e botës të festojmë si të çmendur me të gjitha aktivitetet e mundshme që rezervohen për këtë rast, ku padiskutim nuk mungon koncerti me të ftuar të njohur ndërkombëtarë ose jo.

Presim gjithë kuriozitet cili do të jetë emri i njohur që do të ngjitet në skenë këtë vit.

Dhe… yuhuuuu, le të plasin fishekzjarret!

 

 

  • Këngët

Me shumë mundësi nëntori është muaji të cilit i janë dedikuar më shumë këngë… apo mos është muaji i vetëm që i dedikohen këngë?

“Nëntori” i Arilenës bëri namin para dy vitesh dhe vazhdon të dëgjohet me po aq intensitet edhe sot. Duhet thënë, përveç të tjerave, me siguri një ndër arsyet pse ishte nje produksion i suksesshëm ishte dhe përzgjedhja e titullit.

 

Ndërkohë, “Novembre” e Giusy Ferreri-t, apo “Sta pasando novembre” e Eros Ramazotti-t janë gjithashtu këngët ideale për të shoqëruar ditët tona të nëntorit.

 

Por nëse do ishte në dorën time, kolona zanore e muajit do ishte padiskutim “November Rain”, nga “Guns N’ Roses”.

Siç thotë kënga:

“So never mind the darkness
We still can find a way
‘Cause nothin’ lasts forever
Even cold November rain..”

 

  • Filmat

Nëntori dhe filmat bëjnë një dyshe të paparë bashkë.

Me një kakao të ngrohtë në duar, e rehatuar në kolltuk dhe gati për të parë fimin tonë të preferuar.

Sigurisht zgjedhja varet nga shija e gjithësecilit, por “Sweet November” është gjithmonë një ide e mirë.

Tani që e mendoj, Nelson ka aq të drejtë kur i thotë Sarës që çdo muaj është nëntor.

“Çdo muaj është nëntor, Sara. Nëntori është gjithçka di dhe dua të di!”

Oh, sa romantique!

 

 

  • Librat

Ndërkohë që për të gjithë ju që vazhdoni t’i qëndroni besnikë raportit me letrat, nëntori iu krijon gjithë kushtet e duhura për të shijuar leximin e një libri.

Ja, kështu, aq pastër e bukur si kjo foto.

Ah, përveç të tjerave mund të shijoni edhe aromën e mrekullueshme e dehëse të librit.

 

  • Thumbi

Si duket, edhe gocat, Fatma dhe Aulona e kanë kuptuar fuqinë e magjisë së këtij muaji e pikërisht për këtë arsye e shtynë nisjen e emisionit për në nëntor.

Kështu që, sytë katër se më 10 nëntor fillon “Thumb”-i!

 

 

Dheeeee…

Nëntor do të thotë një muaj nga “Viti i Ri”!

/Blitz.al/

Komento

Shperndaje