Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Neritan Liçaj – revistës “Kult”: Vlerësimi i artit nuk është ekskluziviteti juaj

Neritan Liçaj – revistës “Kult”: Vlerësimi i artit nuk është ekskluziviteti juaj
December 13
11:17 2016

Revista “Kult” ka shpallur kandidaturat për çmimet “Kult”, një event që organizohet çdo fundvit.  Qëllimi kryesor i këtij eventi është vlerësimi i artistëve që gjatë një harku kohor prej një viti kanë sjellë rolin, interpretimin, veprën më të mirë dhe kjo përfshin fusha të ndryshme të artit.

Në faqen zyrtare të revistës në Facebook ditën e djeshme janë shpallur kandidaturat për çdo kategori në muzikë, letërsi, aktrim, balet, regji e të tjera. Por duket se këto kandidatura kanë shkaktuar pakënaqësi tek aktori i Teatrit Kombëtar, Neritan Liçaj. Ai ka komentuar në statusin e revistës duke u kërkuar atyre një informacion se mbi çfarë kriteresh bëhet përzgjedhja e artistëve për kategoritë respektive.

“Doja të dija, mbi ç’kritere është bërë përzgjedhja e pretendentëve dhe përse nuk bëhen publike juritë ose komisionet e personave që bëjnë përzgjedhjet? Dhe një vërejtje miqësore, bëni mirë të përdorni gjuhë shqipe dhe jo huazime”,- ka komentuar Liçaj.

Por duket se aktori ka vendosur të këmbëngulë, madje ka kritikuar, në një farë mënyre, përfaqësuesit e “Kult”, të cilët nuk i kanë kthyer fillimisht përgjigje.

“Ju duket qëndrim i denjë që pyetjes publike të një artisti për informim të mos i përgjigjeni? Sepse personalisht më duket qëndrim shumë i dyshimtë. Vlerësimi për artin dhe kulturën është një vlerësim mbarëkombëtar dhe nuk është ekskluziviteti juaj, sepse ju nuk përfaqësoni artin shqiptar, prandaj do të bënit mirë të mos lini nam, por t’u përgjigjeni pyetjeve të mia. Por mesa duket s’keni për ta bërë. Dhe mua natyrshëm më lind pyetja: Pse?”- ka vijuar aktori.

Nuk ka vonuar shumë përgjigjja nga ana e përfaqësuesve të revistës, të cilët janë shprehur se Neritani duhet t’i dijë mirë kriteret, duke qenë se më parë ka qenë pjesë e kësaj jurie.

“Përshëndetje Neritan! Na duket shumë e çuditshme që pyesni për kriteret ndërkohë që keni qenë prej 4 vitesh anëtar i jurisë së çmimeve “Kult”. Gjithsesi po jua rikujtojmë kriteret: të nominuarit dhe fituesit e çmimeve “Kult” janë ata artistë që kanë sjellë rolin, interpretimin, veprën më të arrirë në harkun kohor të një viti. Bëhet fjalë për artistë shqiptarë që kanë ushtruar aktivitetin e tyre dhe janë përballur me publikun shqiptar. Pra përjashtohen artistët e huaj dhe artistët shqiptarë për aktivitetin e tyre jashtë Shqipërisë. Nuk bëhet fjalë as për çmime stimuluese për të rinjtë, as për çmim karriere, por vetëm për prurjen më të mirë të vitit të vlerësuar si të tillë nga një juri e përbërë nga 33 anëtarë, të gjithë profesionistë të fushës.

Edhe për anëtarët e jurisë, ti i njeh shumë mirë cilët janë pasi ke qenë vetë pjesë e procesit. Ndaj nuk e kuptojmë dot as acarimin tënd të papritur e as amnezinë për funksionimin e çmimeve “Kult”” – ka komentuar revista./Blitz.al/

kult1 kult3 kult4

Shperndaje