Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Në vend të Adelës”, koncerti humanitar që bën bashkë 19 këngëtarë të njohur shqiptarë

“Në vend të Adelës”, koncerti humanitar që bën bashkë 19 këngëtarë të njohur shqiptarë
November 09
13:54 2018

Largimi i parakohshëm nga jeta i Adela Xhamani, para një viti, përveç dhimbjes dhe boshllëkut krijuar te miqtë dhe të afërmit e saj, ka lënë në mes edhe shumë ëndrra që gazetarja kishte në plan për t’i realizuar.

Kështu, para disa ditesh, në përvjetorin e ndarjes nga jeta, u njoftua se ishte ndërmend të finalizohej një projekt që Adela e kishte pasur me shumë dëshirë, që kur ajo ishte gjallë.

Miku i saj i ngushtë, Eraldo Rexho, nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në Instagram, ka zbuluar gjithçka rreth këtij projekti.

“Jam shumë i lumtur dhe krenar të prezantoj tek ju listën e artistëve (sipas rendit alfabetik) që do të marrin pjesë në koncertin humanitar “Në vend të Adelës”. Unë jam me fat që ju kam të gjithëve pjesë të jetës sime. Jam me shumë fat gjithashtu që munda t’ia shoh mikes sime të dashur, Adelës, se si i shkëlqenin sytë kur këndonte këngët tuaja. Mezi pres të shoh sallën e mbushur të “Art Turbina” të këndojnë bashkë me ju dhe me mua, këngët që ia shtojnë bukurinë Shqipërisë.
Të gjithë bashkë për vajzat, për lirinë dhe dijen, për nevojën e zërave të guximshëm.” – shkruan ndër të tjera gazetari i njohur në postimin e tij.

Koncerti i cili do jetë në moderimin e Arbana Osmanit, ka për qëllim sigurimin e një burse për një vajzë nga provinca, e cila ëndërron lirinë, të ketë jetën e saj dhe të jetë e pavarur. Në këtë vit të parë është vendosur që ndihma t’i jepet një vajze nga Kavaja, qyteti ku është lindur dhe rritur Adela.

Koncerti humanitar do të mbahet me 12 nëntor në Art Turbina dhe do të marrin pjesë rreth 19 artistë të njohur, emrat e të cilëve janë të shënuar edhe në njoftimin e Eraldos.

/blitz.al/

Komento
Shperndaje