Blitz

 Breaking News

“Në club dhe kishë”- Wiwi Blogs ç’nuk thotë për këngën e Era Rusit!

“Në club dhe kishë”- Wiwi Blogs ç’nuk thotë për këngën e Era Rusit!
December 12
20:45 2019

Në fillim të kësaj jave u publikuan këngët pjesëmarrëse në Festivalin e Këngës në RTSH, të kënduara nga disa prej artistëve më të mirë shqiptarë. Si rrallë herë këto vitet e fundit interesimi për projektet e këtij festivali ka qenë i madh nga publiku shqiptar dhe në fakt këngët nuk zhgënjyen aspak. Pa e ekzagjëruar të gjitha kishin të veçantën e vet në muzikë, stil e tekst, megjithatë disa prej emrave po lakohen që tani si fitues të mundshëm. Sigurisht po përmendet Elvana Gjata, Arilena Ara apo Era Rusi si fituese dhe rrjedhimisht si përfaqësuesja jonë e mundshme në Eurovizion dhe jo pa shkak, dua të them projektet e tyre janë cilësore.

Dhe sigurisht, të interesuar për këto këngë janë jo vetëm dëgjuesit shqiptarë, por edhe ata të huaj, më saktë ndjekësit dhe komentuesit e rregullt të Eurovizion-it dhe festivaleve kombëtare që dërgojnë këngët në kompeticionin europian. Një nga kanalet më të njohura, në web, youtube dhe rrjete sociale është “Wiwibloggs”, kanali i dedikuar për gjithçka që ndodh në Eurovizion. Atyre nuk i kanë shpëtuar as këngët e festivalit, për të dhënë mendimin se cila duhet të na përfaqësojë në Hollandë vitin e ardhshëm dhe mesa duket deri tani janë fansa të mëdhenj të Era Rusit.

Këtë e themi pasi pamë dhe dëgjuam reagimin të njërit prej vlogerëve të rëndësishëm të këtij kanali, William, që shfaqet dhe në videon e mëposhtme, duke dhënë mendimin e tij për këngën “Eja Merre”.

Që në fillim, sapo luhen notat e para ai e cilëson projektin si “diçka shumë e fuqishme”. Më pas teksa dëgjon dhe mënyrën se si këndon Era, shprehet për të “kjo është një grua e fuqishme”, pra njësoj si kënga që ka. Ndërkohë se çfarë mendon për zërin e artistes, nuk ka nevojë të shkruajmë, mund ta shihni nga fytyra gjysëm e habitur, gjysëm e impresionuar dhe nga lëvizja që bën, prek fytin, si për të pyetur “nga doli ky zë?”. Dhe komenti më epik është kur pyet “Era Rusi, kush je ti?”. Eh ta dish ti mor djalë…

Sigurisht që ai ka akoma më shumë fjalë të mira teksa dëgjo hook-un dhe refrenin e këngës. Disa nga fjalët që përdor janë “shumë e bukur”, “e mrekullueshme”, “fantastike”. Ndërkohë që për zhanrin që i përket, ai mendon se është një këngë pop shpirtërore, me motive etnike shqiptare. Dhe siç vihet re William-it i pëlqejnë shumë motivet etnike. Një tjetër gjë interesante që ai thotë është se nëse fiton FIK-un dhe shkon në Eurovizion, kënga do të pëlqehet shumë në Rumani, Itali, Spanjë, Francë, Moldavi, të gjitha vendet europiane ku kërcehet. “Një këngë lokale por globale”- e cilëson vlogeri i njohur- “që fare mirë mund t’i përkiste një muzeu”.

Dhe për ta mbyllur ai thotë se mund të dëgjohet fare mirë në një klub, në një festë, në skenën e Eurovizion-it, madje dhe në kishë, zëri i Erës është të gjithë kohën mbi këngën, e dominon muzikën dhe arrin deri aty sa e quan “Era është si një ëngjëll që zbret mbi një festë”. Hera e parë që e dëgjoj diçka të tillë dhe mund të them që është një nga gjërat më të bukura që mund t’i thuhet një këngëtari. Mos harrojmë që për William, Era është konkurentja kryesore e Elvanës për triumfin në festival. Gjë për të cilën jemi dakord. Ju si mendoni?

/Blitz.al/

Share