Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kur talenti shpërblehet… Arilenës i mjaftoi “një muaj” për t’u bërë e preferuara e publikut

Kur talenti shpërblehet… Arilenës i mjaftoi “një muaj” për t’u bërë e preferuara e publikut
July 25
11:23 2017

Arilena Ara e ka nisur karrierën si këngëtare me një fitore të madhe. Ajo u shpall fituese e spektaklit të talentit “X Factor” 2  në moshë  të vogël. “Aeroplan” ishte kënga e parë që e prezantoi si një këngëtare të mirëfilltë, një këngë stili brenda karakterit të Arilenës çamarroke e që u pasua me një tjetër.

“Business Class” ishte projekti i dytë ku këngëtarja shfaqej më e rritur profesionalisht, por edhe në stil më ndryshe nga më parë, më elegante dhe fine. Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu i dhanë një mbështetje të madhe dy vitet e para të karrierës, por në momentin që Arilena vendosi të ecte e vetme,  gjithçka ndryshoi në karrierën e saj. Vitin e kaluar ajo prezantoi këngën “Nëntori”, një baladë e fuqishme që goditi menjëherë zemrat e publikut dhe që i dha Arilenës një tjetër status, atë të suksesit të padiskutueshëm me të një fenomeni.

U desh vetëm 1 muaj, si kohëzgjatje por edhe si titull (nëntori), që ajo vajza e vogël e “X Factor” të mbetej në të shkuarën dhe përpara nesh të dilte një zonjushë e vërtetë, seksi, konkurrente e fortë për kolegët e që arriti të linte pas shumë emra të njohur të muzikës shqiptare. Arilena fitoi çmimin e tretë në “Kënga Magjike” dhe ishin vetë këngëtarët që e votuan si një nga këngët më të mira.

Por fama e “Nëntorit” nuk mund të përmbyllej në një festival. Suksesi i kësaj kënge i kaloi kufijtë e Shqipërisë, dëgjohej në shumë shtete të Europës, madje ishte ndër këngët më të dëgjuara në shumë radio të njohura. E gjithë kjo famë i dha Arilenës një turne në Europë. Këngëtarja ka 30 koncerte të konfirmuara në turneun europian, që filloi më datë 9 qershor në Rumani. Shtetet ku ajo do të performojë janë: Rusi, Greqi, Rumani, Ukrainë, Turqi, Itali, Francë, Kazakistan, Moldavi, Bullgari, Poloni etj., megjithatë vera e Arilenës nuk mund të përmbyllej me kaq. Ajo publikoi versionin anglisht të “Nëntori”-t të saj.

Dy javë më parë, ajo publikoi bashkëpunimin e saj me Flori Mumajesin dhe Dj Vicky-n. Arilena ishte surprizë për të gjithë publikun, duke qenë se producenti i njohur dhe DJ ishin gjithnjë dyshja e pandarë e episodeve të “Nallane”-s. Menjëherë u shndërrua në një nga këngët më të dëgjuara të momentit dhe sigurisht që suksesin e saj e gëzojnë protagonistët. I mjaftoi një muaj për të prekur famën që shumë do ta dëshironin, por Arilena duket se nuk ka ndërmend ta lëshojë suksesin nga duart. Shumë shpejt ajo do të sjellë një album, i cili pritet të publikohet në vjeshtë, edhe pse ndoshta gjatë rrugës do të ketë shumë surpriza të tjera. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje