Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Kur dashuria shndërrohet në “përçmim”, romani i suksesshëm i Alberto Moravia-s vjen në shqip

Kur dashuria shndërrohet në “përçmim”, romani i suksesshëm i Alberto Moravia-s vjen në shqip
October 14
15:20 2019

Shtëpia botuese ‘Pegi’ sjell këtë muaj një nga romanet më të famshëm të shkrimtarit italian Alberto Moravia përkthyer nga Aida Baro.

“Përçmimi” është një ekzaminim i pamëshirshëm i dëshpërimit dhe i vetëmashtrimit në zbrazëtinë emocionale të shoqërisë moderne të konsumit.

Romani “Përçmimi” u botua për herë të parë më 1954 dhe përfaqëson një prej etapave kryesore të rrugëtimit e kërkimit të Alberto Moravia-s në botën e borgjezisë italiane të shekullit të kaluar.

Në qendër të ngjarjeve qëndron një çift. Rikardo Molteni është dramaturg në profesion, por për shkak të shtrëngesave ekonomike të familjes është i detyruar të punojë si skenarist kinematografik, ndërsa e shoqja, Emilia, ish-daktilografiste, është e dashuruar pas zotërimit të një shtëpie. Në një Romë borgjeze të viteve ‘50, Rikardo rrëfen se si ndryshojnë ndjenjat e të shoqes ndaj tij, kur në skenë futet bota e kinemasë, e karrierës dhe suksesit. Në krye, ato zbehen dalëngadalë derisa mbërrijnë në atë përçmim të dhembshëm, që ngjan i pakuptueshëm qoftë në sytë e protagonistit, qoftë në ata të lexuesit, por që sidoqoftë, Moravia e zgjedh si titull të librit. Sepse pikërisht përçmimi, i prekshëm në dialogët mes çiftit, do të kthehet në personazh dhe do të ndryshojë rolet e protagonistëve, madje do të bëhet ai vetë protagonist, motor prej të cilit lind çdo veprim dhe reagim i tyre.
Miti i “Odisesë” dhe kthimi i Uliksit në shtëpi te Penelopa do të shndërrohet në një përballje dhe analizë të hollë mes qytetarisë dhe barbarizmit, mes normave të nderit dhe njeriut modern.

“Përçmimi” tërhoqi kohë më parë vëmendjen e regjisorit Jean-Luc Godard i cili  në vitin 1963 solli filmin francezo-italian “Contempt” ose “Le Mepris” me protagonistë Brigitte Bardot dhe Michel Piccoli.

Sipas kritikëve “Përçmimi” është i pasur në thelb dhe me kuptime të thella… një arritje e rrallë./Blitz.al/

Share