Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Kundërshtaret” e televizionit, çfarë i ndan dhe i bashkon Alketën dhe Amin

“Kundërshtaret” e televizionit, çfarë i ndan dhe i bashkon Alketën dhe Amin
February 11
17:46 2017

Të dyja kanë shumë vite që janë pjesë e televizionit dhe kanë arritur shumë gjëra në karrierat e tyre. Nëse do t’i vendosnim përballë njëra-tjetrës dy moderatoret e suksesshme shqiptare, Alketa Vejsiun dhe Amarda Toskën, padyshim që do të gjenim shumë të përbashkëta, por edhe gjëra që i bëjnë diametralisht të kundërta.

Por le të nisim me të përbashkëtat e tyre:

Koincidenca e parë lidhet me emrin e tyre, pasi të dyjave u nis emri me germën e parë të alfabetit, “A”. Së dyti, të dyja drejtojnë spektaklet më të rëndësishme të vallëzimit në vend. Për ju që e keni harruar, para Amit ka qenë Alketa ajo që ka prezantuar “Dancing With The Stars”, ndërsa tani është producente dhe njëkohësisht moderatore e “Dance With Me”.

Përveç televizionit, Ami dhe Alketa janë gjithashtu bizneswoman të të njëjtit lloj biznesi. “Ami Event” dhe “Class by Alketa Vejsiu” janë dy bizneset e nusërisë dhe dekorimit më të njohura në Shqipëri.

Buzëqeshja e tyre gjithmonë ka qenë një nga pikat më të forta në ekran, por duhet thënë se ashtu siç kanë të përbashkëta kanë edhe gjëra që i dallojnë. Ndryshimi fillon që nga pamja e jashtme: Ami është brune, ndërsa Alketa bionde dhe mund të themi se janë nga ato personazhe publike që nuk guxojnë në look-un e tyre.

Alketën e njohim edhe si këngëtare, madje shpeshh ajo këndon gjatë spektakleve që moderon. Ami ka provuar kënaqësinë e të punuarit krah bashkëshortit, Ermalit, në bashkëprezantim në “Dancing With The Stars”.

Alketa e ka nisur karrierën e saj si gazetare radiofonike në Top Albania Radio, duke drejtuar më pas spektakle të rëndësishme bukurie, sociale, etj., gjithnjë nën vëzhgimin e “rreptë” të regjisores Vera Grabocka. Ndërsa Ami ka dalë për herë të parë në ekran si balerinë, pjesë e trupës së “Albi Nako Dance” në Tv Klan.

Por nuk duhet të harrojmë gjithashtu që Ami ka drejtuar për disa vite radhazi edhe show-n më zë të humorit, “Portokalli”, ndërkohë që Alketa nuk ka patur asnjëherë eksperienca të tilla televizive.

Të realizuara gjithashtu dy vajzat e ekranit janë edhe për sa i përket jetës së tyre personale. Të dyja kanë një familje shumë të bukur dhe ndonëse nëna në karrierë, janë të përkushtuara me fëmijët e tyre. Nëse Alketa ka zgjedhur të ketë në krah një bashkëshort aspak publik, Ami ka për bashkëshort një nga njerëzit më me influencë në showbiz-in shqiptar, komedianin Ermal Mamaqi. Ndërsa Ami është nënë e një djali me emrin Joel, Alketa është nënë e bukuroshes Nikol dhe vogëlushit sy bojë qielli, Lionel.

Amin dhe Alketën publiku ka dashur t’i cilësojë si rivale, por vetë ato nuk ushqejnë ndjenja të tilla për njëra-tjetrën edhe pse nuk kanë miqësi mes veti. Një gjë është pak por e sigurt, që të dyja kanë fansa dhe ndjekësit e tyre fanatikë në rrjetet sociale dhe janë padyshim moderatore shumë të dashura për publikun./Blitz.al/

Komento
Shperndaje