Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kozeta Kurti ka një ide brilante: rock-erët shqiptarë do të jenë spektatorë të hiteve të tyre

Kozeta Kurti ka një ide brilante: rock-erët shqiptarë do të jenë spektatorë të hiteve të tyre
November 15
12:47 2016

Shumë prej jush kanë  nostalgji për këngët e viteve ’90 dhe më në fund shumë nga hitet e këtyre viteve do të shfaqen në një koncert të vetëm.  Bëhet fjalë për një koncert që do të bëjë bashkë artistë të rinj e të vjetër dhe ku do të këndohen hitet që kanë lënë gjurmë në memorien e publikut. Kozeta Kurti është një nga organizatorët e këtij eventi, i cili do të mbahet më 26 nëntor në ambientet e Universitetit të Arteve. E veçanta e këtij koncerti është se këto këngë do të performohen nga artistë të rinj, ndërkohë që “të vjetrit” do të jenë në sallë duke i dëgjuar. “Të gjithë artistët dhe instrumentistët virtuozë të atyre viteve do të jenë personazhet e nderuar të radhës së parë; ashtu si Jimmy Page dhe Robert Plant, edhe yjet tanë të viteve ’90 do ta shijojnë krijimtarinë e tyre nëpërmjet zërave të rinj”, – ka shkruar para disa ditësh Kozeta Kurti në Facebook.

Kjo ide është vërtet për t’u vlerësuar dhe për të mësuar më shumë, Blitz.al ka kontaktuar me gazetaren e njohur, e cila na ka rrëfyer  detaje rreth këtij koncerti.

“Unë e kam konsideruar si borxh moral ndaj një brezi që dha kontribut, sipas mënyrës së tij, edhe për lirinë që ne gëzojmë sot.

Në koncert janë, midis spektatorëve, Altin Goci, Saimir Braho, Elton Deda, Bojken Lako, Redon Makashi e shumë të tjerë.  Unë kam dashur ta realizoj që në 2010-n, kur shkrova antologjinë “Era e ndryshimit” për lëvizjen muzikore moderne të viteve ’90.
Këtë vit e mora seriozisht, aplikova në Ministrinë e Kulturës, kërkova mbështetje edhe te disa të njohur që menaxhojnë biznese dhe ja ku jemi.
Është një frymë shoqërore që përfshin këtë projekt, që nga servisi i ndriçimit e fonisë, deri tek instrumentistët, vokalistët, grafistët, montazhierët audios e videos. Janë  të gjithë “rock lovers”.

“Të vjetrit” janë miq të mitë dhe më konsiderojnë “gardianen” e muzikës pop dhe rock në Shqipëri.
Unë, për shembull, kam kënduar, sipas mënyrës sime, në një bashkim të grupit Ritfolk disa vite më parë. Kam qenë e vetmja pjesë e dokumentarit mbi rock-un, iniciativë e Elton Dedës. Ata më besojnë mua, siç unë u besoj atyre”,- ka rrëfyer Kozeta.

Saimir Braho, ish-anëtar i Ritfolk, i është përgjigjur ftesës së Kozetës me anë të një mesazhi me shumë respekt:

“Të lumtë! E kemi për nder të jemi atje”.

Kjo do të jetë diçka me të vërtetë frymëzuese për këngëtarët e rinj që do të performojnë, por edhe për artistët që do të dëgjojnë këngët e tyre të interpretohen nga brezi i ri. Ky koncert nuk duhet humbur për ata që i kanë dashuruar këto këngë dhe që vazhdojnë ende t’i dëgjojnë me shumë nostalgji.

Ndiqni në vijim listën e plotë të këngëve që do të performohen në koncertin e rock-ut.

Repertori i koncertit të datës 26 nëntor:

Abaz Zusi – S’dashurova kurrë
Akullthyesit – Loti i ndarjes
Albatros – Në këtë natë
ARB – Dikur luaja me ndjenjën e saj
Centauer – Asgjë nuk ndryshon
Crossbones – Hair
Djemtë e detit – Mos qaj
Fish-Hook – My king
Megahertz – Ti botë e heshtur
Meteor – Pas ëndrrës tënde
Ritfolk – Ëndërroj
SHOK – Gjithmonë shokë
Tingulli i zjarrtë – Na lini të jetojmë
X – Ecën në shi
Thunderway – Victims of confusion

Komento
Shperndaje