Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Këngëtarja shqiptare së cilës i kanë vjedhur më shumë këngë

Këngëtarja shqiptare së cilës i kanë vjedhur më shumë këngë
August 16
10:19 2016

Një nga këngëtaret më të dashura për publikun shqiptar, jo vetëm në Kosovë ku ajo ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së saj por edhe në Shqipëri dhe Maqedoni, është Leonora Jakupi. Edhe pse ajo vetë vendos të mos jetë shumë aktive dhe të publikojë këngë të ndryshme shpesh, sërish Jakupi është mjaft e preferuar dhe muzika e saj vazhdon të dëgjohet e pëlqehet në masë.

Por diçka mjaft  interesante që vëmë re te Leonora Jakupi është fakti se i ka ndodhur shumë herë që t’ia vjedhin këngët; disa përpara se të publikohen nga ajo dhe disa të tjera pasi i ka publikuar. Rasti më i fundit dhe që bëri mjaft bujë edhe në portale online ishte në lidhje me këngën “Sa t’kom dasht’ të këngëtares Nora Istrefi, muzika e së cilës ishte menduar për Leonorën, por që Nora ia mori dhe në fakt rezultoi të ishte një këngë me sukses të madh për të.

Ndërkohë edhe më parë është shkruar në media se kënga “Ti je shumë xheloz” e Leonora Jakupit u kopjua nga një yll i muzikës serbe, Ana Nikolic. Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe kur një këngëtar turk, Kaan Mazhar, kopjoi këngën “Ti nuk ekziston” të Leonora Jakupit, madje ishte edhe në listën e konkurrentëve në “Eurovizion” në 2014-n. Gjithashtu edhe këngëtarja bullgare, Alisia, ka vjedhur këngën “Ky është fundi” të këngëtares shqiptare, rast ky që e nervozoi së tepërmi Jakupin, pasi emri i saj u lakua se kishte qenë ajo që kishte vjedhur këngën nga bullgarja. Asaj iu desh të sqarohej me publikun për datat e realizimit të këngës për të provuar se kënga ishte origjinale dhe jo e kopjuar.

Nuk mund të themi me siguri arsyen se pse shumë herë Leonorës i ndodh t’ia marrin këngët, por ajo çka mund të themi është se këngëtarja ka mbajtur gjithnjë një sjellje mjaft korrekte dhe qetësi për t’u admiruar edhe në dalje publike, ndaj dhe ajo mbetet një nga personazhet më të dashura, edhe kur sjell prodhime të reja muzikore, por edhe kur preferon të pushojë! /Blitz.al/

Shperndaje