Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Këngë të famshme para dhe pas kredisë…

Këngë të famshme para dhe pas kredisë…
June 19
17:24 2017

Nga Suada Daci

Nuk besojmë se ka njeri që nuk e ka dëgjuar këngën e re të Rihannës “Wild thoughts”, e cila është një “remake” i këngës “Maria Maria”, realizuar nga Carlo Santana në vitin 1999.

Këto hite, të cilat dëgjohen edhe në ditët e sotme, vijnë në versione më moderne nga këngëtaret më “in” të momentit. I njëjti fenomen duket se ka ndodhur edhe në Shqipëri. Shumë nga këngëtarët tanë i kanë risjellë në memorie hitet e vjetra shqiptare, duke ua shkundur paksa “pluhurin” e harresës.

“Ta dish ti ç’pësoi kjo zemër”

Kjo serenatë korçare është kënduar fillimisht nga këngëtari korçar Mihallaq Andrea. Por vite më pas, kantautori i njohur shqiptar, Florian Mumajesi, ka bërë një version të ri të këngës, duke e kënduar së bashku me Andrean. Të dyja variantet e këngës janë tejet emocionuese (të paktën kështu e kanë cilësuar komentuesit e shumtë në Youtube).

“Simpatia”

Edona Llalloshi dhe reperi Memli Krasniqi kanë publikuar në vitin 1997 hitin “Simpatia”, këngë e cila ka qenë shënjuese në karrierën e Llalloshit. Por jo më larg se dje, një version të ri të kësaj kënge e kanë sjellë edhe dy nga këngëtarët e njohur nga Kosova, Lumi B dhe Dhurata Dora. Po ju për cilin nga dy variantet keni më shumë simpati?

“E dehun”

Një nga hitet e padiskutueshme të muzikës shqiptare është kënga “E dehun”, e cila është kënduar nga diva e muzikës, Nexhmije Pagarusha. Por një variant modern të kësaj kënge ka publikuar në vitin 2014 këngëtarja kosovare Era Istrefi. Sigurisht, varianti i Erës është një këngë stil “Prodigy” dhe mjaft e kërcyeshme në diskoteka.

“Era”

Grupi më i njohur i viteve ’80 në Kosovë, “Gjurmët”, ka prodhuar një sërë hitesh që vazhdojnë të jenë edhe sot pjesë e “playlist”-ave të këngëtarëve shqiptarë, duke i bërë pjesë të repertorit të tyre në mbrëmjet e ndryshme të “live”-it. Një prej hiteve të tyre, “Era” e ka risjellë në stilin e tij edhe reperi kosovar MC Kresha.

“Xhamadani vija vija”

Kjo është padyshim kënga që ngre peshë zemrat e çdo shqiptari. Këngëtarja që e ka kënduar për herë të parë këtë këngë ka qenë Shkurte Fejza. Por ky hit është risjellë në disa versione me kalimin e viteve dhe vazhdon të mbetet një nga këngët më shënjuese për popullin tonë.

“Do you love me”

Ndërsa dyshja simpatike Dj Blunt dhe Real One ka vendosur të “ringjallë” një këngë të vjetër libaneze. “Do you love me” është publikuar pak ditë më parë dhe duket se ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut shqiptar./Blitz.al

Shperndaje