Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Julian Deda: “Largoni nga teatri ata që e shqyejnë atë!”

Julian Deda: “Largoni nga teatri ata që e shqyejnë atë!”
April 05
15:55 2016

Aktori i mirënjohur i humorit, Julian Deda, ka shkruar një artikull të gjatë rreth gjendjes së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, jo për gjendjen strukturore apo materiale, por për çfarë dhe si vihet në skenë. Shkrimi është i mbushur me tone të forta  kritike.

Shkak për shkrimin është bërë shfaqja “Zbutja e kryeneçes”, shfaqje që Deda e ka ndjekur personalisht në sallë. Këtë gjë ai e ka shkruar në fillim të artikullit: “Meqë jemi në profesionin e shkak-pasojave, edhe ky reagim është pasojë e një shkaku. Cili është shkaku? Po jua shuaj kuriozitetin që në fillim. Shkaku është shfaqja e fundit që pashë në skenën e Teatrit Kombëtar, pikërisht “Zbutja e kryeneçes”, e qëndisur nga Shekspiri”.

Çfarë bie në sy në shkrimin e Julian Dedës është vështrimi i tij në dy kënde, në atë si spektator dhe si profesionist.

Si spektator, Deda shkruan: “Dola i pakënaqur dhe mbi të gjitha i paqartë për atë që pashë. E vetmja gjë që kuptova ishte që kryeneçja u “zbut”, sepse kështu thotë edhe titulli i veprës. Pra, tri orë nga jeta ime të shkuara dëm”. Kurse si profesionist ai ka shumë për të shkruar.

“Mizanskena të pakuptimta. Aktorë që bëjnë rreshtoren në mes të skenës. Aktorë që nuk shprehin asgjë me trupin e tyre dhe për më tepër nuk thonë asgjë as me fjalë, por vetëm pështyjnë (në kuptimin e parë të fjalës) fjalët e autorit. Keqkuptim të figurave artistike dhe karaktereve të veprës. U përballa me një Katerinë që kërcënon motrën e saj me kamxhik, duke treguar forcë fizike, ndërkohë që në të vërtetë e vetmja armë e saj është zgjuarsia. Ajo nuk zbutet sepse Petrucio është i dhunshëm me të dhe bërtet”, – ka deklaruar Juli si profesionist në art.

Aktori e ka mbyllur shkrimin e tij fshikullues me një kërkesë dhe njëkohësisht një mesazh për publikun e gjerë: “Ne duhet ta mbrojmë, ta ndihmojmë dhe mbi të gjitha të zbojmë çdo njeri që nuk e do teatrin. Teatri është në grahmat e fundit. Kërkohet reagim. Kërkohet shpresë. Kërkohet art. Kërkohet cilësi. Kërkohet ndjesi. Kërkohet shpirt. Kërkohet energji. Kërkohet dashuri. Kërkohet… teatër!”

Komento