Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Jul Deda dhe Gentian Zenelaj, “të ndarë” dhe “të bashkuar”

Jul Deda dhe Gentian Zenelaj, “të ndarë” dhe “të bashkuar”
February 20
14:23 2017

Besojmë se të gjithë ju e mbani mend treshen fantastike  të “Portokalli”-së, The SHBLSH”, që fitoi menjëherë duartrokitjet dhe pëlqimin e publikut. Jemi duke folur për  Ermal Mamaqin, Gentian Zenelajn dhe Julian Dedën, tre shokë të cilët e nisën karrierën pikërisht në spektaklin e humorit “Portokalli”. Por sot do të ndalemi te dy personazhet e fundit, të cilët duhet thënë se i bëjnë bashkë shumë detaje, ashtu siç edhe i dallojnë disa të tjera.

Të dy aktorë humori, të dy me disa role të suksesshme në teatër dhe filma, të dy komedianë të të njëjtit brez. Por nëse do t’u hynim detajeve, të dy aktorët janë  veriorë, Juli shkodran dhe Genti lezhian, fqinj në origjinë e miq edhe në jetë (në kohët e shkuara).

Shumë prej nesh u apasionuan me personazhet që ata kanë interpretuar dhe madje nuk e kishin problem që të identifikoheshin me to. Gjithnjë publiku i ka menduar si të pandarë, edhe pse sot kanë zgjedhur të ndjekin profile të ndryshme. Pasi fituan famën me grupin “The SHBLSH”, çunat u rikthyen në një program origjinal, ku ishin vetë protagonistë, “Apartamenti 2XL”, i cili tërhoqi vëmendjen e publikut si një program pa skenar, bazuar mbi improvizimin dhe batutat spontane. Pas disa sezonesh të suksesshme, fillimisht u largua Ermali e më vonë Genti, ndërsa Juli është edhe aktualisht një nga aktorët e këtij programi.

Të dy aktorët janë të martuar dhe kanë familje të lumtura. Madje për koincidencë, të dy janë bekuar me vajzë e djalë. Juli dhe Armanda janë prindër të dy fëmijëve të mrekullueshëm, Reina dhe Mateo. Nga ana tjetër, Genti dhe Aida kanë sjellë në jetë dy fëmijët e tyre, Danielin dhe Arian.

Ashtu siç kanë shumë gjëra që i bëjnë bashkë, Juli dhe Genti janë njëkohësisht shumë të ndryshëm. Aktualisht Gent Zenelaj është moderator në një nga emisionet më të ndjekura investigative, “Stop”. Këtë eksperiencë ai e filloi pas largimit nga “Apartamenti 2XL” fillimisht në Agon Channel me emisionin “Ç’a thu” e tani në Tv Klan. Pjesëmarrja në një program dhe format të tillë ka qenë gjithnjë një dëshirë për Gentin, pasi edhe më herët kur ka qenë pjesë e “Portokalli”-së ka zhvilluar audicione për të qenë pjesë e një formati investigativ. Mund të themi se Genti është duke bërë punën që gjithnjë ka dëshiruar dhe po korr sukses.

Nga ana tjetër, Juli është një ndër aktorët kryesorë të “Apartamentit 2XL” dhe prej disa kohësh është bërë pjesë e politikës, anëtar i Partisë Demokratike. Nëse Genti me humorin dhe satirën e tij shfrytëzon hapësirën televizive të “Stop” për problemet sociale që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, Jul Deda është një përdorues shumë i rregullt i rrjetit social Facebook, ku me statuset e tij “thumbon” çdo fenomen shoqëror dhe politik.

Aktualisht Genti dhe Juli i kanë ndërprerë kontaktet me njëri-tjetrin, një miqësi e cila ka mbetur e ngrirë që pas largimit të Gentit nga “Apartamenti 2XL”. Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, publikut do t’i pëlqente shumë një ribashkim i treshes më të duartrokitur të humorit. Dhe ata e kanë vërtetuar që dinë ta bëjnë më së miri këtë. Por le t’ia lëmë gjithçka kohës… /Blitz.al/

Komento

Shperndaje