Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Intervistë/ Sada Peça, stilistja që krijon ëndrra dhe emocione në një fustan

Intervistë/ Sada Peça, stilistja që krijon ëndrra dhe emocione në një fustan
August 13
19:31 2019

Emrin e saj po e ndeshim gjithnjë e më shpesh në rrjete sociale dhe emisione televizive: Sada Peça!

E rritur mes pëlhurash dhe gjilpërash, me mamanë e cila e ushtron prej 30 vitesh këtë profesion, Sada është padyshim stilistja e re e momentit.

Pasioni i injektuar që në vegjëli, është forcuar e ushqyer me vite nga studimet e larta në pikturë tekstil dhe modë, duke e shëndërruar aktualisht Sadën në një profesionte në fushën e saj, e cila edhe pse vetëm 23 vjeç, sukseset i ka pasur të njëpasnjëshme. Dhe mbajani shënim emrin: premton edhe më shumë në të ardhmen.

Kush ka pasur fatin të vizitojë  dy atelietë e Sadës, përpos dizajnit unik të fustaneve, arredimit me frymë bohemiane, me siguri i ka tërhequr vëmendjen edhe delikatesa e përkujdesja që ajo ka ndaj krijimeve të saj. Sepse Sada nuk stilon thjesht një fustan, por ëndrra dhe emocione.

Në këtë intervistë për Blitz.al, do njihemi më nga afër me rrugëtimin e Sadës deri tani, inspirimin dhe ritualin e saj të punës, dhe sigurisht nuk do na “shpëtojë” pa i marrë edhe disa këshilla e sugjerime për veshjet më “in” të këtij sezoni.

-Si ka nisur pasioni për stilimin? Kur e kuptove që kjo ishte puna që doje të bëjë në jetë?

Pasioni im për stilimin ka nisur në vogëli, ashtu siç nisin gjërat e bukura dhe i japin jetës kuptim tjetër. Duke u rritur kuptova se kjo ishte ajo që doja të bëja në jetë: të krijoj dhe të lumturoj.

-Stili yt? Veçoria që karakterizon ose i bën të veçanta krijimet/veshjet e tua?

Mendoj se pasioni i madh është faktori kryesor i detajeve të veçanta të punës time. Inspirimet shpesh herë vijnë natyrshëm dhe përkushtimi ndaj tyre bëhet burim i mire për punën time.

– Ti nuk bën kurrë dy veshje njësoj. Asnjë punim i yti nuk ka ngjashmëri me tjetrin. Pse kjo zgjedhje?

Kjo zgjedhje ka lindur me idenë se të gjithë njerëzit janë të ndryshëm, dhe po ashtu çdo krijim nuk bëhet me të njejtin pasion si herën e parë, ndaj kam dashur ta ruaj këtë si zakon.

-Në një event, padyshim ti tërheq vëmendjen për origjinalitetin tënd në të veshur. Kështu ka qenë gjithmonë? Të ka ndodhur të të kenë parë çuditshëm ndonjëherë në rrugë, shkollë për këtë arsye? Na trego ndonjë episod…

Të jem realiste kjo është pjesa ime e preferuar. Më pëlqen të jem ndryshe nga të tjerët sepse kur je ndryshe, je vetvetja. Në të shumtën e rasteve ka qene kështu, njerëzit me njohin me emërtimin: Ajo vajza që veshi atë fustanin “x”  përshembull, sepse stili mbahet mend gjatë veshjes. Më ka ndodhur kudo, sidomos kur isha ne Universitet. Të gjithë përreth me shihnin çdo ditë çuditshëm për mënyren si vishesha. Epike ishte në një event të njohur që u bë para pak kohësh dhe veshja ime tërhoqi vëmendjen dhe komentohet ende sot nga njerëz të ndryshëm që takoj. Kjo padyshim më intrigon të punoj gjëra me të veçanta në vazhdim.

-Ti fillimisht ke hapur një atelie në qytetin tënd të lindjes, Fushë-Krujë, dhe  tani së fundmi në Tiranë. Është vështirë t’i menaxhosh të dyja? Ku ndryshojnë dhe ku bashkohen shijet/kërkesat e klientëve të dy qyteteve?

Po, unë e nisa nga një qytet i vogël ku jam rritur, sepse qytetet e vogla duhet të zhvillohen dhe të emancipohen ne forma të ndryshme, por në të njëjtën kohë klientela ime ishte dhe në kryeqytet, dhe duhet të isha e pranishme edhe në Tiranë. Në atelienë e parë kisha shumë mbeshtetje dhe ndihme nga familja ime ne fillim, por pastaj çdo gjë e kam krijuar vetë me punë dhe sakrificë. Një ditë u ndjeva gati dhe i thashë vetes që është koha të bëj diçka më shumë. Sigurisht që është e vështirë, por mund të them pa kryelartësi që jam bërë mjaft e Zonja në drejtimin menaxhimit të tyre dhe çdo gjë e bëj vetë. Për mua klientet janë të gjithë të barabartë, kjo i bashkon në punën time. Ndërsa kërkesat ndryshojne me individë.

-Di që je kujdesur personalisht për të gjitha detajet e arredimit të atelieve të tua, duke i bërë unikë në llojin e tyre. Aq e rëndësishme është laboratori i veshjeve, po aq sa veshjet?

Për mua është shumë e rëndësishme sepse çdo detaj përreth mund të bëhet ide për një inspirim dhe të vendoset në zbatim një punë të bukur. Kam dashur t’i trajtoj dhe atelienë, dhe ShowRoom-in me ndjesi shtëpie, sepse puna është jeta dhe shtëpia ime.

 

-Sa e vështirë është të jesh një stiliste në Shqipëri? Për ty si ka qenë ky rrugëtim deri tani?

Të jesh stiliste ne Shqipëri mendoj se është vlerë, sidomos kur e ke arritur atë emër me pune dhe sakrificë. Kur nis në këtë mënyrë është e vështirë pasi tregu i punës shtohet çdo dite, por me bindje them se puna dhe emri im është vlerësuar nga media dhe njerëzit në mënyrë pozitive dhe për mua deri tani ky rrugëtim ka qenë përmbushës në të gjitha format e mira jetësore.

-Nga kush/çfarë inspirohet, Sada?

Sada inspirohet nga natyra, Universi, njerëzit, çdo gjë që më jep emocion në shpirt.

-Ke një stilist/e të preferuar?

Të preferuar kam një shtëpi mode Japoneze “Comme des Garçons”

-Ka Sada pasione të tjera përveç stilimit? Apo ngrihesh dhe ngrysesh në atelie?

Pasioni im që kam më për zemër në jetë ështe piktura, prej saj ka nisur çdo gjë. Shkruaj gjithashtu shumë, më pëlqen të gatuaj. Janë disa gjera që dua t’i bëj kur e gjej kohën, por pjesen më të madhe që ia vlen ia dedikoj ateliesë.

-Cili është krijimi yt më i dashur, veshja që ndoshta përfaqëson një histori apo një gjendje emocionale tënden?

Krijimet i kam pak të vështira t’i ndaj sepse të gjitha janë pjesë e imja, por ndër të preferuaat kam një detyrë Universiteti qe e quaj “Zemërimi i Zonjushës”. Një fustan të punuar në tezgja, gjatë kohës kur isha studente. Mendoj se asnjëherë nuk do e bëj një të dytë si ajo për veçantinë që mbart.

-Rituali i punës së Sadës në atelie…Na e përshkruaj.( Preferon qetësinë kur punon apo muzikë në sfond? Mëngjeset apo perëndimin?)

Zakonisht mëngjeseve herët jam në atelie, jam shumë energjike dhe me ide. Më pas deri vonë e kaloj në ShowRoom ose e anasjellta. Muzika nuk mungon në asnjë pjesë të ditës, mendoj se lidhet me shpirtin dhe të permbush më shumë në lidhje me punen e krijimet.

-Bazuar në kërkesat e klientëve, cilat janë ngjyrat më të preferuara për këtë sezon veror, llojet e fustaneve dhe aksesorët më të kërkuar?

Këtë sezon kam vënë re një rritje te ndjeshme të kërkesave në ngjyrat dinamike, printet e luleve, preferohen fustanet e gjatë me materialet e holla të kremit, shifonit, tylit dhe setat që kryesojnë. Përsa i përket aksesorëve, rripat e belit jane me të kërkuarit.

-Meqë jemi në kulmin e sezonit të dasmave/festave: Cili është detaji apo elementi që sugjeron për të qenë sa më “in”, dhe ai që duhet të evitojmë patjetër në një fustan?

Sygjerimi im shkon tek e thjeshta dhe tek e bukura. Këmbengul për fustanet e gjata, të kenë në trajtë vetem një ngjyrë dhe detaji të jetë i fokusuar vetëm në një pjesë të saj ku mund të luhet me një aksesor që mund të përshtatet pa e ngarkuar veshjen. Evitoni “Sparkle everywhere”.

-Deri tani, me aq sa ke vëzhguar e kuptuar, çfarë mund të thuash për gustot e vajzave shqiptare. A kanë ato një stil apo kanë tendencën të “kopjojnë” diku?

Moda evulon cdo ditë. Duhet tentativë për tu përshatur me veten për ta njohur mirë trupin se cfarë mund të rrijë bukur veshur dhe çfarë jo. Tek disa shoh inidividualitet ndërsa tek disa shoh tendencën për t’u bërë si dikush tjetër, por mbetet zgjedhja e tyre.

-Imazhin e tyre ta kanë besuar edhe personazhe të njohur të ekranit. Si është të punosh për ta? Kanë shumë teka apo i kanë idetë e qarta.

Të punosh me njerëz të ekranit duhet një lloj përkushtimi pak më ndryshe tek pjesa e stilit, sepse veshjet kërkohen për evente me të zgjeruara. Sigurisht është edhe kënaqësi, por shpesh ka ndodhur të përshtatemi të dy palët me idetë dhe të nxjerrim më të mirën.

(Sara Kolami)

 

(Xhesi Muçaj)

-Çfarë bën Sada kur nuk i pëlqen ideja e klientit të saj? Mundohesh t’ia ndryshosh mendjen? Apo bën atë që i kërkohet?

(Qesh) Me profesionalizëm mundohem t’i bind me idenë time, sidomos kur më kërkohet të bëj një kopje të dikujt tjetër.

-Kohët e fundit ke filluar të stilosh e qepësh edhe fustane nusërie? Është ky projekti i radhës për Sadën: një koleksion fustanesh nuserie?

Të punosh fustane nusërie është një lloj emocioni tjetër në punën time sepse do krijosh diçka për të gëzuar ditën e rëndësishme të dikujt që do, ndodh të përflitet shpesh herë. Nuk është në projektet e mia të ardhshme, por përse jo…?!

 

 

-Je vetëm 23 vjeç dhe ke krijuar tashmë një emër tëndin në industrinë e modës, ke klientelën tënde besnike dhe ke hapur edhe 2 atelie. Nuk dua ta imagjinoj sa lart do jetë ngjitur Sada pas disa vitesh. Ti e parashikon? E synon tregun e huaj?

Të falenderoj për vlerësimin! Çdo ditë e imja pune i dedikohet të ardhmes. Përpiqem që puna ime të flasë më shumë në parashikim. Do të doja që puna ime të bëhej ikonë, por le të ia lëmë kohës. Synimi im i radhës është të hyj në tregun e huaj dhe po punoj aktualisht për këtë gjë, pavarsisht vështirësive dhe sfidave.

Faleminderit për këtë intervistë të bukur!

Intervistoi: Migena Doçi

/Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje