Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Rozana Radi: “Zoti nuk mund të jetë kudo, ndaj krijoi nënat”

(Intervistë) Rozana Radi: “Zoti nuk mund të jetë kudo, ndaj krijoi nënat”
November 02
12:54 2016

 Është e thjeshtë të njohësh Rozanën artiste, mjafton të dëgjosh këngët apo tekstet e shkruara prej saj, por është e vështirë të kuptosh vetëm nga ekrani shpirtin e një vajze që ia ka dalë e vetme, që ka përballuar dhimbje të mëdha, të cilat e kanë bërë më të fortë, sikurse është edhe humbja e prindërve. Prezantimi i saj në “Kënga Magjike” i dha edhe një herë peshën e një teme që “vret” jo pak. “Ma thuaj ti” titullohet kënga e Rozana Radit dhe është një prej këngëve që është pëlqyer dhe postuar më së shumti nga ky edicion edhe nga kolegët artistë. “Ma thuaj ti” është edhe intervista që kemi realizuar me Rozin dhe është ajo që do të na i thotë të gjitha sot…

Ma thuaj ti, si ndihet një artist kur këndon për një temë që prek kaq shumë?

-Ndihet si personazhi i këngës: një grua që ngrihet në këmbë pas një rrëzimi pikërisht në kohën kur të gjithë mendojnë që për të gjithçka ka mbaruar.

Ma thuaj ti, a e plotëson dot nëna mungesën e babait?

-E vështirë të zëvendësosh babain në jetën e një fëmije, por ka disa vende në zemrën e një gruaje të cilat nuk i di që ekzistojnë deri ditën që bëhet nënë. Një shprehje thotë: “Zoti nuk mund të jetë kudo, ndaj krijoi nënat”.

Ma thuaj ti, ç’do të thotë për një artist kur kolegët e komplimentojnë për këngën dhe e postojnë në mediat sociale?

-Që mesazhi është përcjellë në të gjithë dimensionin e mundshëm.

Ma thuaj ti, çfarë do t’i mësosh vajzës kur të kesh një të tillë?

-Që dashuria fillon duke dashur familjen tënde, pastaj vendin tënd.

Ma thuaj ti, çfarë është më e mira për një çift mes të cilëve nuk ka dashuri, por ka një fëmijë?

-Nuk di të flas për një çift që do të ndahet. Di të them vetëm që duhet  të mbrojnë fëmijët nga problemet mes tyre.

Ma thuaj ti, si është të rritesh në një familje me dashuri dhe t’i këndosh dhunës?

-Mendoj që jeta ka qenë dashamirëse me mua, por më krijohet një gjendje shumë e keqe tek shikoj gra të dhunuara, qoftë edhe psikologjikisht. Ke dëshirë të ulërish, të çirresh nga dëshpërimi për to, deri sa të ngrihen me forcën e një aeroplani për të vazhduar ëndrrën. Atë ëndërr që dikur dikush ua ka ndërprerë.

Ma thuaj ti, si është të jetosh me kujtimet?

-Duhet të dimë t’i ruajmë kujtimet tona, sepse janë të vetmet që na lidhin me të kaluarën tonë. Kujtimet na ndihmojnë të rritemi.

Ma thuaj ti, çfarë do të ndryshoje në jetën tënde?

-Asgjë.

Ma thuaj ti, çfarë do të bëje po të ishe gruaja e këngës tënde?

-Do të ngrija zërin më fort për t’i thënë një burri që jam akoma në këmbë. Dhe këtu nuk flas vetëm për gruan e këngës sime. Po flas edhe për ty që ke frikë të flesh me një mashkull sepse frikësohesh që në mëngjes nuk do të marrësh më frymë. Flas për ty që gjithmonë tenton të qortosh veten sepse ai të tradhton me një  tjetër. Flas për ty që i dhe shpirtin një burri dhe si këmbim more vetëm fyerje dhe një ditë shihesh në pasqyrë dhe nuk njeh më as veten tënde. Në historitë e tua, në vetmitë e tua, në dramat e tua është gjithmonë “Ai”. Përse duhet të duroni kaq shumë? Duhet të ngriheni e të mos lejoni askënd t’ju shkelë me këmbë. Nuk ka rëndësi nga do t’ia fillosh, e rëndësishme është të ngrihesh. Unë gjithmonë i  kam adhuruar femrat që dinë të rilindin. Gra të cilat ngrenë zërin dhe thonë: Unë jam një grua e fortë. Një grua e rilindur është më e bukur se një  agim, është mrekullia më e bukur për të tjerët dhe për veten. Një grua që di të ringrihet  atëherë kur askush nuk e beson është pranvera më e bukur e nëntorit.

Komento
Etiketimet
Shperndaje