Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Renato Mekolli: Në planet e mia, pse jo, një këngë hip hop ose një baladë latine

(Intervistë) Renato Mekolli: Në planet e mia, pse jo, një këngë hip hop ose një baladë latine
May 27
18:37 2016

Renato Mekolli është një nga figurat më interesante që kemi njohur në konkursin e gatimit “Masterchef” në Top Channel. Tashmë i famshëm në Greqi dhe në Shqipëri, jo vetëm për “kapelat e arta”, por edhe për tipin e tij të çiltër e me humor, Renato është duke zhvilluar disa projekte brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shpesh e shohim në rrjete sociale sepse pasioni për kuzhinën nuk është e vetmja karakteristikë e tij. Me sportivitetin që e karakterizon ndiqni në vijim intervistën e Renato Mekollit për Blitz.al, ku ai tregon më shumë për planet dhe projektet mbi të cilat është duke punuar.

Ju kemi parë në kuzhinë, në moderim, tashmë edhe si imazh të  firmës “Ferra” dhe pjesë të reklamës së lançuar pak ditë më parë. Cila është sfida e radhës? E keni menduar ndonjëherë të bëni një klip të tipit “receta gatimi në formën e një balade apo hip hop”?

-Po, do të jem imazhi i firmës “Ferra” për një vit dhe dua t’i falënderoj të gjithë për këtë bashkëpunim që kishim.
Çdo gjë që bëj, e kam të menduar mirë, nuk lë asnjë gjë në dorën e të tjerëve. Do të bëj çdo gjë që më thotë instinkti im. Dhe pse jo, edhe një klip të tipit hip hop ose baladë, diçka latine nën ritmin e kuzhinës.

Pjesë e projekteve të shumta është edhe një libër,  ku sigurisht kryefjala do të jenë recetat. Cila prej recetave që do të përfshini në vëllim është më e dashur për ju? Kur do të mund ta kemi në bibliotekën tonë të kuzhinës librin tuaj?

-Ky vit do të jetë tepër i ngjeshur për mua, sidomos libri, që e kam filluar këtu e shumë vite më parë, me recetat më të thjeshta të gjitha të testuara në kuzhinë, që të gjitha amvisat, por edhe ata që nuk janë futur në kuzhinë asnjëherë, të munden të përgatisin diçka super të lehtë, dhe me produkte që i gjejmë kudo.
Është një libër që po përgatitet me shumë dashuri dhe shumë kujdes.
Është e vështirë t’ju them se cilat janë recetat e mia më të preferuara, pasi çdo recetë në këtë libër do të jetë e veçantë. Libri do të dalë në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit.

Na keni informuar në Instagram se jeni duke punuar me një projekt. Zbuluat faktin se do të mund t’ju shohim edhe në televizionet kosovare dhe jo vetëm në Shqipëri.  Mund të na thoni disa detaje se për çfarë bëhet fjalë? Ku do të mund t’ju shohin dhe si do të jetë Renato në këtë projekt pasi shumë kanë në mendje atë tipin e  ashpër nga imazhi i krijuar në “Masterchef”?

-Renato është një profesionist, i cili çdo hap do ta hedhë me kujdes. Nuk dua të bëj të njëjtat gjëra dhe sigurisht këtë vit do të më shikoni krejt ndryshe. Është e vërtetë që do të jem ne Kosovë me një emision gatimi, nuk do të jem i ashpër, por një Renato që ka edhe anën tjetër, të  qeshur dhe të mirë.
Por nuk dua të them më shumë për këtë hap, pasi jemi në fazën e punës. Do t’ju them vetëm se jam shumë i gëzuar që do të jem në televizionin e Kosovës.

Pse nuk do të jeni më pjesë e “Masterchef”-it? Çfarë fituat dhe çfarë shije ju lanë vaktet e puntatave të sezoneve, në të cilët keni marrë pjesë?

-Kisha nevojë që të mos isha pjesë e “Masterchef”. Dua një pushim. Kisha një super bashkëpunim me Top Channel dhe pjesëmarrja ime në jurinë e “Masterchef” vetëm mirë më bëri.
Gatuani me pak kripë apo me shumë? Besojmë se e dini pse ju pyesim …

-Unë gatuaj me pak më shumë kripë se ç’duhet (qesh).

Cili është gatimi më i miri për t’u konsumuar gjatë verës?

-Shumë fruta, perime, peshk dhe sa më pak mish.

Keni rrëfyer se do të hapni një restorant në kryeqytet. Deri ku kanë arritur planet rreth këtij projekti?

-Në fakt është vonuar pak, por më mirë të vonohet, sepse dua që çdo gjë të jetë në maksimum dhe ndryshe.
Tani nuk ka rrugë tjetër, do të pushojmë të gjithë në verë. Ju se unë sivjet nuk kam pushime, vetëm punë dhe në shtator do të kemi gati restorantin më të diskutuar kohët e fundit.
Por më besoni se ia vlen të vonohemi edhe pak dhe sigurisht deri në momentin që do të hapet çdo gjë do rrijë e pazbuluar .

Cili është gatimi tradicional shqiptar të cilin e vlerësoni me notën 10?

-Tava e kosit.

Komento