Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Nga skena e Al Pazar në atë të pushimeve shqiptare, Adela flet për eksperiencën e re

(Intervistë) Nga skena e Al Pazar në atë të pushimeve shqiptare, Adela flet për eksperiencën e re
July 15
17:57 2019

Atë me siguri e njihni nga skena e emisionit të humorit “Al Pazar”, ku ka provuar se vajzat e bukura mund të jenë edhe shumë të talentuara. Gjithnjë duke eksperimentuar në rolet e saj si aktore, këtë herë Adela Marishta i vendosi vetes një tjetër sfidë: të kalonte në skenën e pushimeve shqiptare dhe t’ju sillte “Verë me Adelën”. Një emision që vjen për ju çdo të mërkurë në orën 21:00 e për të cilin, vetë ajo na ka treguar më shumë në këtë intervistë për Blitz.al.

Një aktore nga skena e “Al Pazar” që i kthehet moderimit, pse?

Nëse para disa vitesh televizioni për mua ishte ëndërr, sot që e kam prekur më është kthyer në dashuri dhe sfidë njëkohësisht. Doja të provoja veten në diçka ndryshe nga ajo që teleshikuesit janë mësuar të më shohin. Dhe kështu mora përsipër të ideoja formatin “Verë me Adelën”, ku jam autore dhe moderatore në të njëjtën kohë.

Si të lindi ideja dhe pse pikërisht një emision të tillë?

Pauzën që kisha nga “Al Pazar” doja ta shfrytëzoja në mënyrën më të mirë të mundshme. Doja t’i prezantoja publikut një Adela larg petkut të personazheve dhe gjërat erdhën shume natyrshëm. Demoja që i paraqita stafit drejtues të televizionit u pëlqye dhe madje e transmetuam si puntatë të parë. Kështu dhe unë kam si kujtim kontributin tim të parë e vetme në televizion.

Mendova të realizoj diçka që është në koherencë me kohën dhe stinën, diçka verore që do të sillte më nga afër realitetin e të pushuarit në vendin tonë. Mbi të gjitha, ky projekt përshtatet shumë me natyrën time spontane e sportive. Mund të them që shumë nga situatat apo dhe intervistat që kam realizuar kanë qenë të paplanifikuara, dhe mbase kjo e bën akoma më interesant si format. Gjërat e paplanifikuara vijnë gjithmonë më bukur.

Çfarë duhet të presin ndjekësit nga “Verë me Adelën”?

Kontraste, paradokse, mistere… dhe shumë nga të pathënat e një realiteti në të cilin jetojmë përditë, por që shumë pak e njohim. Gjithçka është e ndërtuar rreth asaj se si është të kalosh një ditë vere në Shqipëri. Do të përqëndrohemi tek turizmi bregdetar, por nuk do të mbetemi vetëm aty, sepse Shqipëria ka pafund vende të bukura. Do të kemi intervista duke nisur nga ato me ekspertë të fushave të ndryshme e deri tek Vox Pop-et me vizitorët vendas e të huaj, për të marrë përshtypjet e tyre rreth qyteteve e atraksioneve në Shqipëri. Por gjithashtu nuk mundet kurrsesi të mungojë humori dhe situatat komike.

Një format veror, spontan, ku duhet gjithnjë të jesh në lëvizje… Cila ka qenë pjesa jote e preferuar gjatë xhirimeve?

Në fakt, pjesët më të bukura janë ato të prapaskenave që do t’i ruajmë për në fund. Ka ndodhur shpesh që regjisori në padijeninë time, i ka treguar personave që do të intervistoheshin detaje mbi mua dhe ata m’i përmendnin sikur të ishin të njohurit e mi dhe dinin shumë për mua. Në fillim habitesha, ndërsa tani e kam kuptuar filmin dhe vetëm qesh.

Po ajo që të ka sfiduar më shumë, që po mundohesh ta përmirësosh në vazhdim?

Pjesa e terrenit. Mua vërtet më pëlqen të jem në kontakt me njerëzit, por jo ta marr unë iniciativën për të folur e para. Pjesa ku unë duhet t’i afrohem njerëzve për t’i marrë në pyetje, më vështirëson jetën. Sidomos kur ka nga ata që nuk duan ta nxjerrin fytyrën në ekran e nuk pranojnë të flasin. Domosdoshmërisht do ndihem keq. Ndaj po punoj të jem akoma më fleksibël me njerëzit.

Sa të ka ndihmuar të jesh vajzë simpatike, në ekran? Po në “Verë me Adelën”?

Në fakt unë gjithnjë kam dashur të vlerësohem për aftësitë e mia fillimisht, dhe të tjerat më pas të jenë faktorë plotësues të një figure të pranueshme televizive. Mbase më ka ndihmuar, ama unë personalisht nuk e vlerësoj veten time vetëm për aq.

Gjëja që të ka bërë përshtypje, apo që e mendoje ndryshe për pushimet në Shqipëri?

Ajo që më ka bërë dhe vazhdon të më bëjë përshtypje është fakti që shqiptarët në shumë raste janë aq indiferentë ndaj pasurive tona natyrore, dhe rendin të bëjnë pushime jashtë. Ndërkohë ka pafund të huaj të cilët e pëlqejnë dhe e vlerësojnë aq shumë këtë vend, sa vijnë nga cepa të ndryshëm të botës vetëm për ta vizituar dhe për të shijuar ato çka ai ofron.

Në sezonin e ri do të shohim sërish si aktore, apo ke vendosur të jesh në konkurrencë me moderatoret e tjera?

E rëndësishme është që do vazhdoj të jem në ekran.

Një detaj ekskluziv për Blitz.al?

Ekskluzive: Në një puntatë jam rrëzuar aq keq saqë thyeva…Shaka, e thashë që t’ju ingranoja të shihni emisionin.

Parashikohen ulje të temperaturave, për pasojë emri i emisionit do të jetë “Dimër me Adelën”… Shaka përsëri.

Ok, jam serioze tani: Nuk po zbuloj më tepër detaje sepse do jua bëj të ditura me kohën. Deri atëherë më ndiqni në “Verë me Adelën”!

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje