Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Nevina Shtylla: Më trembin padrejtësitë në botën e televizionit

(Intervistë) Nevina Shtylla: Më trembin padrejtësitë në botën e televizionit
October 11
11:56 2016

Fillimisht, Nevina Shtyllën e njohëm si vajzën e bukur që rrëmbeu kurorën në “Miss Shqipëria 2010”.

Që prej asaj kohe ajo ka pasur eksperienca të ndryshme në botën e televizionit. Nevina ka qenë përkrah moderatorit Ardit Gjebrea te “Kënga Magjike”, ka prezantuar “Netët e klipit shqiptar”, ka moderuar emisionin “Mad Geeks” në Mad Tv dhe së fundmi është moderatore e emisionit “Next” në Vizion Plus. Gjithashtu ka qenë pjesë e xhirimeve të një filmi, domethënë përveçse modele e prezantuese, Nevinën mund ta shohim edhe në rolin e aktores.

Në një intervistë për Blitz.al, ajo na ka treguar disa detaje nga fillimi i rrugëtimit të saj si modele për ta vazhduar më pas si prezantuese.

  1. A e ke lënë pas dore modelimin tani që je fokusuar te prezantimi?

– Unë gjithnjë kam qenë e fokusuar te televizioni. Kam zgjedhur vetëm ato raste që me të vërtetë ia vlenin e për këtë arsye daljet e mia si modele kanë qenë të pakta. Mundohem të tregohem e kujdesshme që çdo hap i hedhur të më çojë çdo herë më afër synimit tim, sigurisht në rrugën e formën që unë kam zgjedhur.

  1. Nevina është prezantuar si modele, aktore dhe prezantuese, në cilën prej këtyre e gjen më shumë veten?

– Normalisht në rolin e prezantueses e ndiej veten më mirë dhe besoj se është e kuptueshme duke qenë se ky është ai pozicion që unë kam zgjedhur prej vitesh tashmë dhe i qëndroj besnike më shumë se çdo gjëje tjetër. Por edhe eksperiencat e tjera që kam pasur nuk i anashkaloj aspak. Ndërsa kam zgjedhur t’i bëj do të thotë që e ndiej veten mirë. Do të thosha që aktrimi është një fushë e re për mua dhe do të doja ta eksploroja më tepër.

  1. Ke qenë prezantuese në një format lidhur me teknologjinë, kurse prej një viti je në një tjetër format, ku ndihesh më mirë?

– Teknologjia është pjesë e imja, duke qenë se lidhet me studimet që unë kam kryer. Ka qenë një format që unë e kam dashuruar, për më tepër ka qenë emisioni im i parë, por aq ishte e thënë të zgjaste. Në televizion dëshiroja të merrja një tjetër drejtim dhe në një farë mënyre t’i provoja vetes se mund të bëja më shumë. “Next” ishte për mua një synim i hershëm dhe mund ta them me plot gojën që ka qenë një ndryshim i domosdoshëm dhe një zgjedhje e duhur, pa dyshim.

  1. Si ka qenë fillimi i sezonit të ri të “Next” për ty?

-Ky është një sezon i ri të cilin unë personalisht mezi e kam pritur. Ishte i nevojshëm një riformatim dhe deri tani çdo gjë është pritur shumë mirë nga kushdo. Kemi pasur reagime nga ndjekësit e fansat si asnjëherë më parë dhe kjo që në ditën e parë të transmetimit. Shpresoj që e njëjta frymë pozitive të na ndjekë edhe në ditët në vazhdim.

  1. Çfarë e tremb më shumë Nevinën në botën e televizionit?

– Më trembin padrejtësitë që në botën e televizionit janë të ndjeshme si në çdo fushë tjetër të jetës. Merita është diçka që shpeshherë nënvlerësohet dhe ky është një fenomen i njohur nga kushdo. I trembem faktit që një ditë puna dhe aftësitë e mia nuk do të jenë të mjaftueshme përballë lehtësisë me të cilën shumë vajza të tjera heqin dorë nga karakteri dhe ndërgjegjja e tyre./Blitz.al/

Komento
Shperndaje