Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Muzikë dhe palestër me Dori DJ

May 29
12:48 2016

 

Ushtrimet

Ushtrimet
Picture 1 of 12

Kur pasioni të udhëheq është shumë më e thjeshtë t’i bësh gjërat ashtu siç duhet. Dorian Gjergji, një nga DJ-të e njohur dhe drejtor artistik në Top Albania Radio, ka dy pasione: muzikën dhe fitness-in. Ai është kthyer në shembull për shumë njerëz, të cilët i marrin këshilla të vlefshme për të pasur një trup në formë apo kërkojnë që ai të jetë trajneri personal i tyre. Të kesh regjim ushqimor dhe vullnet, këto janë gjërat kryesore për të pasur trup në formë. Blitz.al ka realizuar një intervistë me Dorian Gjergjin për të mësuar më tepër në lidhje më pasionin e tij.

1.Cilat ushtrime janë më efikase për uljen më shpejt të barkut?

-Përsa i përket uljes së barkut do të sugjeroja ushtrimet abdominale në tapet dhe ato gjimnastikore, pa pesha, ashtu siç janë ilustruar dhe në foto të kombinuara me dieta ushqimore. Në një fazë të dytë do të sugjeroja ushtrimet abdominale me pesha.

2.Cila dietë ndihmon më shpejt?

-Dieta ushqimore është në varësi të asaj që kërkohet, në përgjithësi ulje peshe. Duhet të balancojmë vlerat ushqimore, karbohidrate, proteina dhe yndyra. Duhet të ulim nivelin e karbohidrateve dhe yndyrave dhe të bazohemi më shumë te proteinat, vlerat ushqyese të të cilave na ndihmojnë në ushqimin e muskujve.

3.Sa kohë ju desh për të arritur format për t’u pasur zili?

-Për t’u pasur zili është pak fjalë e madhe, por për të arritur një nivel fizik dhe stërvitor profesional duhen të paktën 10 vjet. Unë mund të kem diçka më shumë se kaq, por është sekret profesional.

4.Çfarë do t’i këshillonit një fillestari?

– Një fillestari do t’i këshilloja që të gjithë e kanë nisur nga zero të ndjekë ëndrrën e tij e të mos dorëzohet asnjëherë sepse është investimi më me vlerë. “Rome wasn’t build in a day”.

5.Regjimi ushqimor që ndiqni?

-Regjimi ushqimor është në varësi të programit stërvitor, varet nga periudha stërvitore. Zakonisht në dimër kur punojmë për masë muskulare ngremë nivelin e karbohidrateve dhe e anasjellta ndodh në verë kur punohet për definim. E rëndësishme është që ky është një sport që të edukon të jetosh shëndetshëm dhe pa vese.

6.Cilat ushtrime ndikojnë keq në muskujt e barkut? Cilat janë gabimet që nuk duhen bërë?

-Ushtrimet që ndikojnë keq janë ato që nuk ekzekutohen mirë pasi mund të kemi efekte anësore për sa i përket pjesës së mesit dhe kontraktim abdominal që mund të shndërrohet në problem, në bllokim për një periudhë të caktuar dhe na e bën të pamundur ushtrimin e aktivitetit fizik.

7.Për sa kohë arrin rezultate dikush që ju zgjedh si personal trajner?

-Rezultatet janë në varësi të gjendjes fillestare dhe intensitetit të punës, por për një periudhë 3-6 mujore rezultatet janë të dukshme.

8.Një këshillë për ata që duan të kujdesen për trupin?

-Këshilla ime është: “Investoni për trupin tuaj, është e vetmja gjë me vlerë në jetë”.

Komento