Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Marsela Çibukaj, turne koncertesh në Itali në krah të Noemit

(Intervistë) Marsela Çibukaj, turne koncertesh në Itali në krah të Noemit
June 02
18:52 2016

E kemi njohur në një kompeticion muzikor, “The Voice of Albania 1”,  dhe pjesëmarrja në një tjetër konkurs i dha famë jashtë kufijve shqiptarë. Marsela Çibukaj aktualisht është një nga zërat më të vlerësuar të muzikës shqiptare, të cilën e shohim mbrëmjeve në “Top show” apo edhe në lokalet me muzikë “live”. Kohët e fundit ajo po jeton mes Shqipërisë dhe Italisë, për shkak të angazhimeve të cilat këtë herë janë më shumë se serioze. Marsela u është përgjigjur pyetjeve nga Blitz.al pikërisht për të na rrëfyer rreth projekteve të fundit, se si po shkojnë përgatitjet për albumin e saj të parë, për marrëdhënien me Noemin, udhëheqësen në “The Voice Of Italy” dhe për faktin që do të jetë krah saj në një turne koncertesh në Itali.

  1. Siç tashmë e dimë, jeni njohur me Noemin në “The Voice Of Italy”, ku ju ishit pjesë e skuadrës së saj. Si është të punosh me një këngëtare të përmasave të tilla?
    – Është kënaqësi, sepse përveç artistes zbulova edhe një person të mrekullueshëm, shumë e talentuar, e thjeshtë dhe humane në të njëjtën kohë.
    2. Si ju bën të ndiheni fakti që do të jeni pjesë e ekipit në turneun e Noemit?
    – Të lumtur, normalisht (qesh).
    Ishte një ftesë shumë interesante për mua, sidomos sepse kam mundësinë të bashkëpunoj me instrumentistët më të mirë të skenës muzikore italiane dhe jo vetëm.
    3. Si ju erdhi kjo ftesë dhe pse Noemi ju ka zgjedhur juve?
    – Me Noemin kemi mbetur në kontakt që nga pjesëmarrja ime në “The Voice Of Italy” në 2013-n. Ajo e vlerësoi shumë vokalin tim dhe në momentin e parë që pati mundësi, më bëri pjesë të projektit të saj. Midis nesh ka lindur një miqësi e mirë, ku ka shumë stimë qoftë në aspektin profesional, qoftë në atë personal për njëra- tjetrën. Kjo më lumturon.
    4. Sa do të zgjasë turneu në Itali?
    -Për momentin ka disa data koncertesh në Itali gjatë verës,  në pritje të turneut të gjatë që do të zhvillohet në vjeshtë dhe dimër 2016.
    5. Kjo do të thotë që do të mungoni me koncerte në Shqipëri?
    – Jo, po e bëj vajtje-ardhje me Italinë. Po mundohem të jem si atje, edhe në Shqipëri me angazhimet e verës.
    Do të lodhem pak, por do të jem e kënaqur me siguri.
    6. A ekziston mundësia e një bashkëpunimi me Noemin?
    – Nuk e di , pse jo … të shohim.
    7. Përveç turneut, cili është projekti juaj i ardhshëm në muzikë? Çfarë presim nga Marsela këtë verë?
    -Jam ulur më në fund për të shkruar këngë të reja, të cilat do të dalin në një projekt unik, siç është ai i albumit tim të parë. Vera do të jetë vetëm punë si për sa u përket angazhimeve “live”, ashtu edhe për sa i përket krijimtarisë. Shpresojmë se  shpejt do të vijmë me rezultate të përfunduara.

 

Shperndaje