Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Kryeneçja në Kinë, regjisorja Doresi: M’u shemb bota kur thanë se nuk do të luanim në teatër por për ne u bë një mrekulli në 3 ditë!

(Intervistë) Kryeneçja në Kinë, regjisorja Doresi: M’u shemb bota kur thanë se nuk do të luanim në teatër por për ne u bë një mrekulli në 3 ditë!
October 11
13:15 2017

“Zbutja e kryeneçes” u përzgjodh  mes shfaqjeve në repertor të TK-së,  si përfaqësuesja e Shqipërisë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove “The silk Road” në qytetin Xi’an në Kinë. Kasti i aktorëve të njohur të Teatrit Kombëtar mori gjithashtu pjesë në Festivalin Ndërkombëtar në Tangxianzu, “International Theater Festival”, në qytetin Fuzhou të Kinës. Padiskutim për aktorët pjesëmarrës dhe për regjisoren Elma Doresi, kjo ka qenë një nga ekperiencat më të veçanta të përjetuara ndonjëherë. Në një intervistë për Blitz.al vetë Elma na ka rrëfyer detaje të këndshme por edhe paksa të pakëndshme nga shfaqja dhe udhëtimi që ajo dhe  aktorët bënë në Kinë.

1-Cila ishte gjëja e parë që menduat sapo shkelët në Xian?

– Ku është hoteli?(qesh). Dhe pse kishim 24 orë që udhetonim kurioziteti që kishim nuk na la në asnjë moment të mbyllnim sytë.Autobusi jonë dhe organizatorët na shoqëruan nga aeroporti ku u bë edhe pritja e deri në hotel. Gjatë rrugës ata na prezantonin edhe me vendin e tyre, Xianin. Mezi prisja të shkoja në teatër dhe ta shikoja live atë që kisha muaj që e shikoja nëpërmjet postës elektronike.

 

2-Si ju mirëpritën në  “4Th Silk Road International Arts Festival”?

-Si të ishim në Shqipëri. Salla u mbush plot. Biletat ishin të gjitha të shitura për të dyja netët. Duartrokitjet e para pasi u tha “Zbutja e Kryeneçes” më sollën menjëherë në Tiranë. Ishin të njëjtat brohoritje por emocioni mëi madh:. Sepse ishim mysafirë në një botë të panjohur për të dyja palët. Në sallë nuk kisha parë media dhe fotograf sa atje.Të gjithë na përshendesnin dhe fotografonin çdo moment. Në fund të gjithë vrapuan në skenë. Disa uronin,disa vraponin për foto,disa na takonin dhe pse me gjuhë të ndryshme syri ishte elementi tregues ku ti arrije të kuptoje emocionin që kishe dhënë nëpërmjet shfaqjes.

3-Cilat kanë qenë disa nga vleresimet qe moret nga publiku i atjeshëm?

– Publiku na mbështeti me prezencën e tij,me duartrokitjet e tij,me të qeshura dhe në fund me ngjitjen e tyre masive në skenë duke na uruar.”Gjuhët tona janë të ndryshme thanë,por gjuha e trupit dhe pantomimës bëri të mundur të komunikonte shfaqja juaj me ne”.Dhe tjetra që mbaj mend ishte “Vitin tjetër ne Shangai”. Kaq me mjaftonte. Ishte hera e parë që Teatri Shqiptar shkonte në Kinë por nuk do doja të ishte dhe e fundit. Punuam të gjithë me shpirt për këtë gjë dhe frytet i morëm atje.

4- Ju u vlerësuat me një certifikatë mirënjohje nga Xiani për pjesëmarrjen e Teatrit Kombëtar në festivalin e tyre. E quan “Zbutjen e Kryeneçes”  një nga veprat më të mira që ke vënë në skenë?

– Me certifikate dhe me një kupë. Kisha vendosur të mos dilja në përshëndetje për shkak se atje ne drejtim secili prej nesh kishte një detyrë. Gjatë shfaqjes me thanë se duhej patjetër të dilja sepse një personalitet nga shteti do të më dorëzonte një kupë. Dola. Ai na uroi gjatë kohës që dhuronte kupën. Na përgëzoi të gjithëve. U mbajt dhe një fjalim nga drejtori jonë Hervin Culi ku shkëmbyem falenderimet dhe urimet e të dyja palëve. Nuk e them dot nëse është më e mira nga veprat e mia, por do ta mbaj mend gjatë sepse më dhuroi shfaqjen time të parë në Teatrin Kombëtar dhe na çoi edhe në Kinë. I dhashë lamtumirën ditën e fundit në heshtjen time por i premtova që do ta ruaj gjatë në kujtesën time.

5-Kujtimi më i bukur që do ruash nga Kina?

-Krijimi i një  Teatri për 3 ditë. Sapo mbërritem në Fuzho ata dërguan një taksi ku kërkonin regjisoren në Teatër. Nuk e kuptova këtë nxitim e megjithatë pa u qetësuar ende vajta atje. Hyrja më trembi, nuk ishte ajo hyrje që kisha parë ne email. Zbres e më thonë se duhet të futem tek kjo godina në krah.Temperaturat jashtë ishin 40gradë. Futem tek një derë dhe shikoj njerëz duke vendosur prozhektore dhe një vajze që me pret në skenë e cila ishte një ndër organizatoret e cila me komunikon se për shkak përplasje datash me Teatrin shfaqjen ne do ta jepnim këtu. Mu shemb e gjithë bota. Filloj dhe bërtas duke thënë se kjo nuk është serioze, se aty nuk kishte as kushte as kondicioner dhe se shfaqjen nuk e jap kurrsesi këtu… Ndërkohë që bërtisja dëgjoj vetëm një fjali : Po ne po e krijojmë këtë për ju…Aty ndalova. Ishte gjeja më e bukur që kisha dëgjuar. Erdha në hotel e merzitur ia komunikoj aktorëve situatën. Të nesërmen shkojmë në teatër për provat. Nuk mund ta besoja se çfarë pashë: Kondicioneret e vendosur nga fundi i sallës deri në fundin e skenës. Dhomat e aktorëve, të grimit, çdo gjë e re. Pashë të ndertohej një Teater për 3 ditë dhe kaq me mjaftoi për t’u mbushur emocionalisht e për ti premtuar vetes se ata e meritonin një shfaqje të bukur nga ne.

6- Cili nga aktorët ishte më entuziasti për vajtjen e kush për rikthimin në Shqipëri?

-Për vajtjen të gjithë. Për kthimin: Të gjithë (qesh). Ju nuk mund ta merrni dot me mend se sa na mungoi Shqipëria. Natën e fundit qëndronim në holl, aty kemi qendruar pothuajse çdo natë. Vendosëm muzikë shqiptare dhe kemi kënduar si kurrë më parë. I shikoja të gjithë dhe besomëni më mbusheshin sytë me lot. Kishim mall.

7-Padiskutim, të gjithë jemi kurioz të dimë se si ia bëtë me ushqimin? Na trego ekperiencën më të mirë dhe atë më të keqe.

– Ajo do ta ketë keq thanë aktoret pasi panë se që në momentin e parë dhashë shenjat e para të mos ngrënit.

Eksperienca më e mire ishte kur kemi ngrene bukë me gjalp. Me e keqja?Kur nuk gjenim dot asnjërën prej tyre.(qesh). Një mengjes, kostumografia jonë Berina Kokona, një vajze e njohur për natyren e saj të qetë, teksa po hidhte një sy nga kuzhina, ulëriti dhe u hodh njëkohesisht 3 metra… Pas saj të gjithë. Brenda në tenxhere kishte këmbë pule të cilat të linin imazhin e duarve të njeriut. Kaq na mjaftoi për të nisur dietën të gjithë ai grup. E bukura e kësaj ishte se të gjithë filluam të kujdeseshim për njeri-tjetrin. Mbushnim çantat me bukë e me gjalp e në rast se ishim me fat dhe ndonjë vezë (qesh).

 

8- Shfaqja juaj e rradhës në Teatër do të jetë “Vdiq mbreti, rroftë mbreti”. Na zbulon ndonjë detaj mbi veprën dhe kastin me të cilin do të bashkëpunosh?

– Për pak startojmë me provat e Mbretit. Kasti do te jenë aktorët e Teatri Kombëtar dhe jo vetëm…por do dëshiroja për momentin t’ia lë kohës se startit. Ajo që më gëzon është rikthimi dhe njëherë i dramës shqipe tek unë. Me Dramaturgun Ferdinand Hysi bashkëpunimi ynë i parë më coi në Vienë. Uroj që dhe Mbreti të kete fatin e të parës.

Shperndaje