Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Kristi Pinderi: “Enkel Demi, Jul Deda, Iva Tiço… në vend që t’i hedhin ujë këtij zjarri histerie, i hedhin benzinë”

(Intervistë) Kristi Pinderi: “Enkel Demi, Jul Deda, Iva Tiço… në vend që t’i hedhin ujë këtij zjarri histerie, i hedhin benzinë”
May 13
15:03 2016

Po afron dita e 17 majit, e cila njihet ndryshe si Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë. Organizata për të drejtat LGBT në Shqipëri po bëhet gati për planifikimin e eventeve për “Gay (P)Ride” 2016, ku motoja kryesore është #Kurajë.

Kristi Pinderi, një nga aktivistët më të njohur të mbrojtjes së të drejtave të kësaj organizate, ka dhënë një intervistë për Blitz.al duke përdorur #kurajën teksa u përgjigjet disa pyetjeve “pikante”, lidhur me personazhe publikë në Shqipëri që kanë dalë haptazi kundër tyre, për ndërhyrjen dhe marrëdhëniet e qeverisë me LGBT, si dhe ecurinë e përpjekjeve të përbashkëta të aktivistëve të kësaj organizate për sa i përket sensibilizimit të shoqërisë dhe fitores së të drejtave që ata kërkojnë.

Kristi, dalja jote e fundit në ekran te “Zonë e lirë”, si dhe e transgjinorit “Lepurushja”, kanë shkaktuar sërish debat. Interesante është se më të prekur nga kjo gjë kanë qenë personazhet publike, si Julian Deda, Albano Bogdo, Enkel Demi, Iva Tiço etj., sesa personat e thjeshtë. Si e shpjegon këtë gjë?

-Nuk i kam ndjekur dot që të gjithë, por ajo që mua më bën më shumë përshtypje është fakti që ndërsa në vendet europiane apo edhe në vende të tjera personazhet publike kanë kohë që e përdorin hapësirën e tyre mediatike dhe autoritetin që kanë në opinion për të mbështetur të drejtat e njeriut dhe për të qenë në anën e drejtë të historisë (mjafton të kujtojmë monologët brilantë të Roberto Benigni-t apo fushatën pro bashkëjetesave që këngëtarët në Sanremo ndërmorën vitin e fundit në vendin fqinj), në Shqipëri ndodh e kundërta me disa nga këto personazhe: jo vetëm që marrin anën e gabuar të historisë, pa e kuptuar që çdo fjalë e tyre lëndon jetë njerëzish, por shkojnë aq larg sa evokojnë kohëra të errëta për shqiptarët, si për shembull kohën e Enver Hoxhës. Për çfarë e duan Enverin gjallë disa nga këta? Që qytetarët të persekutohen sërish nëpër burgje e nëpër kampe sikur të mos ishim në 2016-n, por në errësirën e mesjetës? Për çfarë arsye, për shembull, Iva Tiço kërkon të ngjallet Enveri? Që Kristi e Xheni me shokë e shoqe të shkojnë në burg? Mirë fati im në atë kohë, po zonja në fjalë a e ka idenë se ku do të ishte vetë? Në kooperativat e Fierit duke prashitur kastravecë e patëllxhanë apo mësuese në shkollat e natës të Roskovecit?

Qëndrojmë pak te “Lepurushja”, e cila pati guximin të shfaqej publikisht. Kohët e fundit në media flitet se ekziston një ligj i hartuar në vitin 2013 “Për njohjen e identitetit gjinor”, i cili qëndron ende në sirtarët e qeverisë. Çfarë mund të na thuash më tepër? A do të miratohet ky ligj?

-Për shkak të ndërgjegjësimit që kemi mundur të bëjmë, me aq mundësi sa kemi, këto vitet e fundit, në Shqipëri koncepti orientim seksual nuk është më diçka e re, e pakuptueshme. Mirëpo nuk ndodh e njëjta gjë edhe me konceptin tjetër, “identitet gjinor”, që nuk ka gjetur akoma mjaftueshëm hapësirë qoftë në diskursin publik, qoftë në media apo edhe në mendjen e politikanëve. Projektligji në fjalë është një produkt i ekspertëve më të mirë shqiptarë në fushën e Kushtetutës, të cilët kanë bërë një analizë të plotë të situatës, bazuar edhe në konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe në shembujt nga vende perëndimore dhe kanë arritur në përfundimin që legjislacioni shqiptar nuk e pengon ndryshimin e gjinisë në dokumentet e identifikimit, por nuk parashikon një mënyrë si kjo mund të bëhet. Që ta kuptojmë më mirë në një situatë konkrete dhe hipotetike: një person me dy shtetësi, që jeton jashtë Shqipërisë, në një vend që i mundëson ndryshimin e gjinisë, befas vendos të kthehet në Shqipëri pasi ka ndryshuar gjininë dhe të rinovojë dokumentet dhe të dhënat personale në gjendjen civile. Çfarë ndodh? Askush nuk e ka të qartë, ndonëse fryma e legjislacionit shqiptar për gjendjen civile, si dhe fryma gjithëpërfshirëse e Kushtetutës e lejon, por në praktikë nuk ka asnjë hapësirë. Këto lloj situatash kërkon të adresojë ky projektligj.

Vetëm dy ditë na ndajnë nga takimi i 5-të i “Tirana Gay (P)Ride”. Si e gjen kjo ditë komunitetin LGBT, më të fortë se vitet e kaluara, apo asgjë s’ka ndryshuar?

-Më të fortë, më të informuar, me më shumë aleatë. Patjetër që gjërat kanë ndryshuar për mirë, por kemi ende shumë rrugë për të bërë.

Janë bërë shqiptarët më të ndjeshëm ndaj kauzës suaj, apo janë më indiferentë? A ndiheni më të sigurt sot?

-Ndaj ka rëndësi ajo pyetja juaj e parë. Mua personalisht, mendimi i Julianit, Enkelit, Ivës a të tjerëve nuk më intereson fare, mirëpo për shkak të aksesit që këta persona kanë në opinionin publik, çdo gjë që ata thonë përjetohet nga ata mijëra njerëz që i dëgjojnë. A ndihet i sigurt një i ri gej nga Kurbini, për shembull, një natë, teksa dëgjon bashkë me familjarët e tij në televizor se si Juliani tallet me personat si ai? Çështja e dhunës në familje është një problem shumë i vështirë për ne për t’u adresuar. STREHA, një shërbim rezidencial që kemi hapur një vit më parë u ka ardhur në ndihmë 24 të rinjve që janë përzënë nga shtëpitë për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor. Dhe Shqipëria nuk është vetëm vendi i studiove televizive që Iva, për shembull (ndjesë që po i përmend kaq shpesh emrin, por e kam thjesht si shembull për të qenë më i qartë në atë që po shpjegoj), shkon njëherë në mëngjes, pastaj njëherë në darkë e kështu me radhë. Shqipëria nuk është as edhe vetëm vendi i eventeve mondane dhe vanitoze apo i bllokut e klubeve të natës etj. Shqipëria ka shumë ngjyra e për fat të keq sapo largohesh nga unaza e Tiranës, ato ngjyra nisin të bëhen më të errëta dhe më mbytëse. A është komuniteti LGBT më i sigurt kur shikon valën e histerisë dhe urrejtjes ndaj tyre? Dhe këta personazhe si më lart, në vend t’i hedhin ujë këtij zjarri histerie, i hedhin benzinë.

Ju u drejtoheni njerëzve me fjalën “kurajë”! Kurajë për çfarë?

-Kurajë për të qenë vetvetja. Sepse edhe që të jesh vetvetja kërkon kaq shumë kurajë. Ngaqë e gjithë shoqëria është e mbytur me shembuj hipokritë dhe të qenit i vërtetë me veten dhe të tjerët kërkon më shumë mund se ç’mund ta kishim menduar ne. Kurajë për të mos u martuar me zor, kurajë për të mos u hequr me zor ai apo ajo që nuk je, kurajë për ta ndërtuar jetën në këtë vend e për të mos u sikterosur nga sytë këmbët, kurajë për të dashur atë që do dhe për t’u ndier krenar për dashurinë tënde. E kupton sa e rëndë duhet të jetë situata kur edhe për të dashuruar njeriu paska nevojë për kurajë?!

Vetëm para pak muajsh u shfaq dokumentari rreth vështirësive të të qenit gay në Shqipëri, ku të pamë të putheshe me të dashurin tënd. A hezituat para se të realizonit dokumentarin? Reagimet ishin siç i prisje?

-Po, i prisnim ato reagime në përgjithësi, por unë personalisht, edhe pse punoj si gazetar që nga viti 2000, për herë të parë zbulova se të puthësh dikë përbëka lajm.

Cili është raporti që komuniteti LGBT ka me qeverinë aktuale? Ndiheshit më të mbrojtur 3 vite më parë?

-Është qeveri e mbushur me miq e mbështetës të kauzës tonë si asnjëherë tjetër në historinë e shtetit shqiptar, por është ndoshta e vetmja qeveri e majtë në Europë që nuk ka kurajë për të mbajtur një qëndrim publik ndaj çështjeve LGBT. Hashtag-u “kurajë” i drejtohet edhe lidershipit politik.

Të kemi parë shpesh të dalësh kundër vendimeve apo deklaratave të kryeministrit. A është ky në të vërtetë reagim ndaj qëndrimeve të qeverisë ndaj LGBT-së apo në këtë rast është vetëm Kristi qytetar ai që shprehet?

-Siç ju thashë më lart, unë kam filluar punën si gazetar 16 vjet më parë. Dhe gazetaria për mua është tashmë edhe një mënyrë jetese. Unë do e kem ndjeshmërinë e qytetarit dhe të gazetarit në çdo moment, pavarësisht nëse jam apo jo i impenjuar edhe me çështje të tjera. Madje ndonjëherë këto shkrime të miat ndoshta e dëmtojnë kauzën LGBT, ashtu siç, në fakt, asgjë e keqe nuk i vjen kryeministrit nga shkrimet e mia apo nga angazhimi i Xhenit në protesta dhe kauza të tjera sociale. Se pastaj na përplasin në fytyrë edhe atë argumentin: Pse nuk merreni edhe me çështje të tjera “më të rëndësishme”? Veç kësaj, unë nuk kam asnjë lloj ngurrimi të them se ndihem i majtë në mënyrën si unë e shikoj botën dhe rolin e shtetit, por edhe në rekordet e votave të mia sa herë ka pasur zgjedhje. Si një i majtë më vjen keq të konstatoj se shumë nga pritshmëritë e mia për këtë qeveri nuk janë përmbushur. Unë do të doja më shumë përgjegjshmëri nga ana e qeverisë kur vendos që pasurinë e publikut ta japë me koncesion; do doja më shumë vëmendje ndaj arsimit publik, por jo në atë formën hileqare neo-liberale me të cilën po veprohet sot. Në Norvegji, për shembull, drejtori i kompanisë shtetërore të shfrytëzimit të burimeve natyrore është një filozof dhe ky quhet “Filozof i shtetit”, ngaqë aty burimet natyrore konsiderohen si një e mirë publike e të gjithëve dhe jo si një mundësi pasurimi nga disa pak vetë, në kurriz të shumë të tjerëve. Ata vendosin një filozof në krye jo që të rrisë rendimentin e shfrytëzimit të naftës, por që ta shikojë atë pasuri në mënyrë strategjike si një pasuri e të gjithëve, edhe për brezat e ardhshëm. Jam skandalizuar shumë shpesh nga arroganca e punonjësve të shtetit në sjelljen  me qytetarët: ai që të vulos faturën shëndetësore, ai që të lexon sahatin e dritave, ai që të shikon me bezdi nga ana tjetër e arkës etj; jam gjithashtu i zhgënjyer që në retorikën e përditshme nuk flitet si të ndërtojmë një sistem që njerëzit nevojtarë të mund të dalin nga mjerimi i tyre me dinjitet (në fakt më duket se po ndodh e kundërta, kush është në mjerim gjasat janë që ose të vazhdojë të qëndrojë në mjerim ose të zhytet më thellë dhe jo e kundërta) dhe se si biznesmenët e mëdhenj të paguajnë më shumë në mënyrë që pastaj të kemi më shumë investime publike apo shërbime etj.

Kudo në këto vite kemi parë të shfaqen vetëm dy personazhe në mbrojtje të të drejtave të LGBT-së, Kristi dhe Xheni. Përse kjo zgjedhje? Nuk ka të tjerë përfaqësues që marrin guximin të ngrenë zërin? Shpesh ju kanë akuzuar për përfitim të fondeve në kurriz të kauzës…

-Ju e dini besoj shumë mirë që në Shqipëri ata që përfitojnë nuk ndihen fare, ata nuk bëjnë zhurmë, ata nuk janë asnjëherë në frontin e parë. Kush përfiton – dhe nuk flas vetëm për kauzat sociale, e ka më kollaj të mos luftojë e të ruajë status quo-në në mënyrë që të vazhdojë të përfitojë. Dy organizmat tona luftojnë çdo muaj për qëndrueshmërinë financiare apo që të sigurojmë që çdo muaj njerëzit që punojnë me ne, edhe ne vetë, të kemi një rrogë të zakonshme për të jetuar normalisht dhe me dinjitet, për aq sa është e mundur, pasi ne i kemi përkushtuar emrin, staturën tonë dhe aftësitë tona kësaj kauze. Dhe e di çfarë? Një pjesë e taksave nga rrogat tona shkon për të paguar rrogat e priftërinjve apo imamëve që pastaj ata të mblidhen bashkë e të na shajnë apo të frymëzojnë këtë frymën përjashtuese ndaj nesh. Kjo është ironia më e madhe (fetë në Shqipëri kanë një zë në buxhetin e shtetit që grumbullohet nga taksat jo vetëm të besimtarëve, por edhe të atyre që nuk kanë asnjë lidhje me fenë). Ka nga ata që sjellin këtë pseudo-argument ekonomik apo përfitimi, që në fakt numërojnë edhe sa ishuj ekzotikë u kanë mbetur pa zbuluar në planet (më vjen ndërmend një emision që fliste pikërisht për këtë temë dhe për pushimet në ishujt ekzotikë). Nuk është e njëjta gjë as për mua, as për Xhenin, nuk kemi, veç shtëpisë së prindërve, as shtëpi apo dhomë në plazh a në mal, as makina të shtrenjta e nuk i bëjmë pushimet në ishujt ekzotikë nëpër Paqëso, dhe sigurisht nuk pushojmë dot më shumë se 5-7 ditë në vit.

Mendoni se do të jeni më të shumtë në numër e më të fortë pas aktiviteteve të javës në vazhdim?

-Besoj se po.

Na thua dot në shifra se sa është numri i homoseksualëve në Shqipëri dhe sa prej tyre janë afruar me LGBT-në?

-Nuk di të them, sepse ka metoda të ndryshme shkencore për ta matur këtë, por akoma nuk mund ta bëjmë në Shqipëri. Në vendet ku është bërë (Britani, Norvegji, SHBA etj.) tendenca është mes 10-15 për qind të popullsisë.

 

Komento
Etiketimet
Shperndaje