Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Klodiana Shala: Pak emocione mund të krahasohen me këtë moment!

(Intervistë) Klodiana Shala: Pak emocione mund të krahasohen me këtë moment!
July 14
19:21 2016

Sot në ambientet e Presidencës është zhvilluar një ceremoni, ku presidenti Nishani ka dekoruar me titullin “Mjeshtër i madh” atleten e njohur Klodiana Shala. Titulli “Mjeshtër i madh” është një dekoratë nderi e Republikës së Shqipërisë që u jepet punonjësve të fushave të ndryshme të shkencës, artit, sportit, drejtimit, biznesit për punën e tyre të shquar.

Ky titull i është dhënë atletes për veprimtarinë dhe rezultatet e shkëlqyera të arritura si sportiste e nivelit të lartë në atletikë, gjatë veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare, duke e renditur Shqipërinë në majat më të larta të sportit. Klodiana ka marrë pjesë 4 herë në Lojërat Olimpike, ka thyer shumë rekorde dhe ka fituar shumë medalje. Atletja është emocionuar jashtë mase nga ky vlerësim dhe me lot në sy ka mbajtur një fjalim, në të cilin falënderonte presidentin Nishani dhe të gjithë miqtë dhe mbështetësit e saj.

Në një intervistë për Blitz.al, atletja Klodiana Shala ka treguar për emocionet e saj dhe se kujt i dedikohet ky titull. Për më shumë detaje ndiqni intervistën më poshtë.

  1.  Fjalimin e keni bërë pothuajse mes lotësh. Pse u emocionuat aq shumë në ceremoninë e marrjes së titullit? 

– Fjala e presidentit, vlerësimet dhe detajet që shprehu ishin shumë prekëse për mua. Në ato momente po ndieja emocionet e vlerësimit që po më bënte vendi im dhe më besoni, pak emocione mund të krahasohen me të.

2. Mendoni se ky titull ka ardhur në kohën e duhur, apo duhej ta kishit marrë më parë?

– Mendoj se për një vlerësim të tillë është gjithmonë koha e duhur. Unë e konsideroj një nder të veçantë.

3. A është kjo ende shumë pak krahasuar me mbështetjen morale dhe ekonomike që i jep qeveria Kombëtares së Futbollit?

– Unë nuk dua ta krahasoj me asgjë, aq më pak me vlerësimin më se të merituar që i bëhet Kombëtares së Futbollit. Ky është një moment tepër i veçantë për mua, por nga ana tjetër u bëj thirrje të gjitha strukturave të shtetit shqiptar ta rrisin vëmendjen ndaj sportit të të gjitha disiplinave në përgjithësi dhe ndaj atletikës në veçanti.

4. Kujt ia dedikon Klodiana këtë titull?

– Familjes time, miqve të mi, të gjithë sportistëve dhe të gjithë dashamirësve të sportit.

Etiketimet
Shperndaje