Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Jonida Vokshi: “Gjithçka që bëj, e bëj me shumë dashuri”

(Intervistë) Jonida Vokshi: “Gjithçka që bëj, e bëj me shumë dashuri”
September 03
18:22 2016

Jonida Vokshi është një ndër personazhet më simpatike dhe interesante në televizionet shqiptare. Shumë e njohin si aktorja e serialit komik “O sa mirë”, të tjerë si prezantuesja bukuroshe e emisionit “Thurje” në Digitalb apo si pedagoge në Universitetin e Arteve në Tiranë. Megjithatë, këtë sezon Jonida i ka shtuar axhendës së saj edhe aktrimin në teatër, pasi prej datës 15 shtator ajo do të performojë në Teatrin Kombëtar në shfaqjen “Kujtesa e ujit”. Në një intervistë të sinqertë për Blitz.al, Jonida ka treguar më shumë rreth kësaj eksperience, disa detaje rreth personazhit që ajo do të interpretojë dhe planet për projektet mbi të cilat po punon.

  1. të kishte munguar teatri?    

– Teatri më mungon gjithmonë në fakt, por për shkak të angazhimeve që kam pasur nuk kam mundur të jem shumë aktive. Tani që nisa të punoj në këtë projekt e kuptoj edhe më shumë se pse më mungon teatri.

  1. Çfarë emocionesh të jep rikthimi në skenë?

– Kur i mendoj ato emocionet e forta që në momentin e parë që vë këmbën në skenë deri në fund, te duartrokitjet e publikut, fillojnë e më kapin të dridhurat që tani. Ne jemi ende në fazë provash, por premiera është shumë afër dhe emocionet kanë filluar dhe nuk ka më të bukura sesa ato ndjesi të forta që të shkakton një publik “live” në skenë.

  1. Ju do të luani në një komedi. Na tregoni diçka rreth personazhit që do të  interpretoni…    

– Personazhi që unë luaj në këtë komedi, që në fakt ka nota tragjikomike dhe është cilësuar si një komedi e zezë, quhet Katerina dhe është më e vogla nga tri motrat që janë rikthyer në shtëpinë e tyre për vdekjen e mamasë. Për shkak të problematikave e dramave familjare, që në këtë pjesë janë shumë aktuale, ajo, si më e vogla, është lënë pas dore dhe jashtë vëmendjes së familjes. Për këtë arsye, frika e saj më e madhe është të mbetet vetëm, sidomos kur flitet për marrëdhëniet me meshkujt. Ndërkohë, ajo çfarë ndodh në skenë është që tri motrat na japin një amnezi selektive kur përpiqen të interpretojnë fëmijërinë e tyre, pra ato nuk arrijnë të argumentojnë, por e tëra kthehet në grindje, gati dhe histerizëm. Marrëdhënia e mamasë me tri vajzat dhe me babain e tyre na jep një portret familjar, të cilin e gjejmë në çdo kohë, duke qenë se proceset njerëzore nuk mund t’i ndryshojmë dot. Nuk po zbuloj më tepër.

  1. Na trego pak më tepër për aktorët e tjerë që do të interpretojnë përkrah teje dhe për pjesën.        

– Ashtu sikurse në rol jam më e vogla, edhe mes aktorëve jam ndier si veshka mes dhjamit (qesh). Dhe kjo mbi të gjitha profesionalisht pasi kasti është me aktorë nga ata që publiku do më shumë. Dy motrat e mia interpretohen nga Olta Daku dhe Violeta Trebicka. Ndërkohë, partnerët përkatës të dy motrave nga Neritan Liçaj dhe Marin Orhanasi. Mamaja interpretohet nga e adhurueshmja Rajmonda Bulku. Ndërkohë, regjia mban vulën e Rozi Prendi Kostanit. Jam shumë e nderuar që jam edhe unë pjesë e këtij kasti.

  1. Sa e vështirë është për ty të jesh pedagoge në Akademinë e Arteve, pjesë e televizionit dhe aktore në Teatrin Kombëtar?    

– Ah, çfarë më bëtë me këtë pyetje! Më kujtuat se çfarë më pret pas 2 javësh. Në formë shakaje kjo, në fakt, pasi, sado angazhimet fillojnë dhe nuk janë pak, pasi janë paralelisht dhe me përgjegjësi të mëdha si në Universitetin e Arteve ashtu edhe në Digitalb, për të mos përmendur projektet e tjera sezonale, në fund të ditës nuk më mbetet kurrë lodhja, por kënaqësia pasi gjithçka që bëj momentalisht, e bëj me shumë dashuri (qesh).

  1. Si ka qenë kjo periudhë udhëtimesh Tiranë-Kosovë, Kosovë-Tiranë?  

-U bënë plot 3 vjet që e bëj këtë itinerar javë për javë dhe i thonë gjysmën e javës në Tiranë e gjysmën në Prishtinë për 3 vjet rresht. Duket e lodhshme kur e thua, por nuk është kështu. Ka qenë shumë argëtuese dhe me momente shumë të bukura gjatë provave dhe xhirimeve të serialit “O sa mirë”. Pavarësisht se nuk më mbetej kohë për shumë gjëra atë periudhë, ka qenë një ndër eksperiencat e mia më të bukura.

  1. Për sa i përket emisionit “Thurje”, a ka diçka të re në programacion, risi e këtij sezoni?    

-Emisioni “Thurje” çdo sezon ka ardhur me ndonjë ndryshim të vogël. Edhe këtë sezon kemi menduar të vijmë pak ndryshe, pak më argëtues dhe me elemente të reja në format dhe figura. Por nuk dua t’i zbuloj ende.

  1. Pas kësaj pjese, do të të shohim më shpesh në teatër?

-Angazhimi im në teatër varet nga dy komponentë shumë të rëndësishëm, që janë: koha fizike për të pasur mundësinë dhe hapësirën për të marrë përsipër një pjesë dhe vepra e personazhi që më ofrohen, që është shumë e rëndësishme të më godasin.  Nëse bëhen të dyja do të më shihni sërish në teatër, por për momentin ju ftoj të më shihni më 15 shtator, si dhe gjatë fundjavave në vazhdim në Teatrin Kombëtar, pasi jam e sigurt që çdokush prej jush do të gjejë diçka nga vetja në shfaqjen “Kujtesa e ujit”./Blitz.al/

Komento
Shperndaje