Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Gentian Zenelaj: Jam 100% baba çdo ditë…

(Intervistë) Gentian Zenelaj: Jam 100% baba çdo ditë…
November 08
13:47 2016

Gentian Zenelaj është një ndër figurat më të dashura për publikun shqiptar. Më herët, të gjithë kemi qeshur shumë dhe i kemi dashur personazhet që ai ka luajtur në “Portokalli” dhe të gjithë e kujtojnë trion e mrekullueshme të humorit, e cila dikur njihej me emrin “The Shblsh”.  Sot Genti është një nga moderatorët më të pëlqyer, i angazhuar plotësisht në emisionin investigativ “Stop” në televizionin Klan. Megjithatë, ai nuk e ka lënë pas dashurinë e madhe për aktrimin, për teatrin dhe aktualisht është duke punuar mbi shfaqjen “Don Kishoti” të Servantesit. Një baba i përkushtuar, një aktor i suksesshëm, një moderator i një prej emisioneve më të ndjekura në Shqipëri, në një intervistë për Blitz.al Genti ka rrëfyer disa detaje të jetës së tij dhe projekteve me të cilat është angazhuar aktualisht. Ndiqni në vijim një intervistë të sinqertë dhe interesante të aktorit të njohur.

Çfarë emocionesh të jep rikthimi në teatër?

-Në fakt, një nga eksperiencat e mia të fundit ka qenë komedia “Brekët” nga Kastriot Çipi, e vënë në skenë rreth një vit më parë. Më vonë, në pranverë, kam qenë pjesë e një projekti të mrekullueshëm, i cili për mua ka qenë një mrekulli. Bëhet fjalë për shfaqjen “Na t’birt e shekullit të ri”, ku kemi interpretuar  në vende ku s’kishte shkelur teatri për 25 vite. Padyshim kemi marrë një “feedback” pozitiv, mbresëlënës. Kemi qenë në Laç, Lezhë, Tropojë  e shumë vende të tjera. Sigurisht që jeta ime e përditshme është shumë e ngjeshur. Megjithatë, jam përpjekur të punoj pak dhe saktë, edhe pse televizioni më merr shumë kohë.

Sa e vështirë është të jesh moderator në emisionin “Stop”, aktor në teatër dhe prind njëkohësisht?

-Është e vështirë, por jo e pamundur. Me një kalendar të mirorganizuar mund të bësh gjithçka. Ata që thonë që nuk ia dalin thjesht nuk dinë të menaxhojnë mirë kohën. Unë jam i angazhuar me shumë gjëra aktualisht, në televizion, teatër, por çdo pasdite e kam të planifikuar që do ta kaloj me fëmijët, me familjen.

A ka kohë mjaftueshëm Genti të dalë mbrëmjeve me miqtë?

-Nuk dal më mbrëmjeve. E dala në darkë është një gjë që nuk më pëlqen, nuk më tërheq më alkooli apo muzika e lartë, e tepërt. Plus që është edhe diçka tjetër që shumica e miqve që më rrethojnë janë ata me të cilët njihem prej vitesh dhe që punoj pothuajse përditë. Duke qenë jam me ta gjatë ditës i konsumoj kafet apo muhabetet gjatë këtij orari. Darkën më pëlqen ta kaloj në qetësi, në relaks me dy fëmijët e mi dhe bashkëshorten, edhe pse bëhet mjaft rrëmujë (qesh).

Në jetë sa për qind je aktor, sa moderator i situatave dhe sa prind?

-Jam 100% baba çdo ditë. Moderatorin nuk e bëj aspak, pra 0% moderator. Aktorin përpiqem të mos e bëj me askënd. Miqtë të gjithë më njohin, kështu që nuk mund ta bëj aktorin, plus nuk është në natyrën time. Mundohem të jem i natyrshëm, por kur duhet ndonjëherë, në raste shumë të rralla, bëhem pak aktor por me mjeshtëri.

Na trego diçka për shfaqjen “Don Kishoti” të Servantesit…

-Është një nga projektet ku jam organizuar më shumë se në të tjerat. Unë luaj rolin e Sanço Panços dhe më duhet të them se në këtë shfaqje luajnë aktorë shumë të mirë. Me Romir Zallën njihem që herët dhe një nga gjërat më të mira në këtë vepër është se të gjithë aktorët që luajnë janë pothuajse nga i njëjti brez. Romir Zalla, Arlinda Morava, Valina Muçolli, Adelina Muça, Laert Vasili, Gert Ferra, Alesia Xhemalaj,  Amos Zaharia me të cilin punoj për herë të parë, por që është një djalë i mrekullueshëm, të gjithë jemi argëtuar  shumë, përveçse kemi punuar. Kjo është një shfaqje me shumë energji, por edhe me shumë atmosferë. Regjisori e ka menduar dhe trajtuar shumë mirë pjesën. Edhe pse duhet të them që më ka hapur pak punë me batutat (qesh). Unë dhe Romiri kemi një alkimi të paparë me njëri-tjetrin dhe gjatë gjithë kohës që kam punuar me veprën brenda vetes e kam menduar se e gjitha po luhet në Spanjë, për ta sjellë sa më mirë dhe origjinale.

Ku ngjan dhe ku ndryshon Genti me Sanço Pançon?

-Kam lexuar shumë për këtë vepër. Ju do të shihni dy personazhe të cilët janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Njëri është egoja (Don Kishoti), tjetri vetvetja (Sanço Panço). Personazhi im përfaqëson shtresën popullore, atë të përulur. Sançoja është me më shumë këmbë në tokë. Ndryshe nga unë si Genti, që jam empatik. “Sanço me barkun sa një kosh, me kokën bosh” – thotë një pjesë nga teksti. Unë brenda vetes jam më Don Kishot, edhe pse interpretoj Sanço Pançon.

Pak ditë më parë ju zgjodhët një mënyrë të veçantë për t’i ftuar të gjithë të vijnë t’ju ndjekin në teatër, duke dalë në kryeqytet të veshur si personazhet e veprës. E kujt ishte ideja dhe çfarë impakti pati në publik?

-Ideja ishte e imja dhe e Romirit. Na ka lodhur shumë, por ishte diçka që na dha kënaqësi. Nuk është aq e thjeshtë kur e mendon pasi të duhet shumë mund të gjesh një kalë dhe një gomar dhe t’i sjellësh në Tiranë (qesh). Ishte me të vërtetë interesante, por edhe një kalvar i gjatë organizimi pasi ndodhi që atë ditë të prezantoheshin edhe uniformat e reja të policisë. Të gjitha rrugët ishin të bllokuara, një trafik i paparë. Kishim menduar të dilnim në rrugë në orën 10:00 paradite dhe u finalizua në orën 16:00. Ishte pak e vështirë të gjeje një kalë këtu në Tiranë (qesh). Ishte një promovim i bukur për shfaqjen. Një impakt i jashtëzakonshëm dhe një ndjesi e bukur kur shikoje se si njerëzit ndalonin të përshëndesnin dhe u dha atyre një  shtysë për të na ndjekur edhe në shfaqje. Shumë makina kishin ndaluar në trafik dhe na shihnin gjithë kuriozitet.

Danieli, djali yt, ka qenë ndër personat e parë që të ka ndjekur në prova. Çfarë të thotë ai kur të sheh teksa interpreton?

-Im bir para pak kohësh mbaroi shfaqjen e tij të parë “Rozi dhe kopshti magjik”, pra mund të them se ai i ka hedhur hapat e parë në aktrim dhe e ka me shumë qejf. Qëllimisht e marr në prova dhe ai është shumë entuziast gjithashtu. Madje më bëri përshtypje, aq me qejf e ka saqë kur vjen dhe na ndjek në teatër thotë: “Po ju nuk lodheni fare!” (qesh).  Ka një moment gjatë shfaqjes kur unë me Dulqinjën përqafohemi (qesh). E pashë reagimin e tij dhe i thashë: “Babi, nuk do t’i tregosh mamit për këtë?!”  E bukura është se edhe sot s’i ka treguar (qesh).

Në “Stop” të vjen më shumë të qeshësh apo të qash?

-Unë dhe kolegu im, Saimir Kodra, krijojmë batuta por nuk e keni idenë se si është të jetosh me gjithë ato probleme, me ato brenga, që do apo s’do të prekin, i ndjen edhe ti. Ajo që ne transmetojmë çdo ditë është një punë marramendëse dhe nuk funksionon me orar. Jam në kontakt gjatë gjithë kohës, ka njerëz që më shkruajnë edhe në numrin tim personal, më tregojnë për problemet e tyre. Duhet të jesh shumë i akullt për të mos u përfshirë. Megjithatë, unë mund të them se sa herë trajtojmë një histori vuaj një pjesë të problemit me njerëzit në fjalë. Këto janë momente me të vërtetë të vështira dhe ka pasur raste kur unë dhe Saimiri e kemi pasur të vështirë ta trajtojmë pasi me të vërtetë kanë qenë histori që të rrëqethnin. Ka ndodhur njëherë me një ngjarje që edhe djemtë e montazhit kur po montonin videot e xhiruara kanë qarë, edhe ne më vonë kur e kemi parë dhe e kemi trajtuar. Në shumë raste kjo më kthehet në revoltë pasi vetëm kështu mund t’ia dalim. Falënderoj Zotin që na kthehet në revoltë pasi kështu duam edhe më shumë të ndryshojmë problemet që ka ky vend, që ta ndërtojmë Shqipërinë dhe ta bëjmë një vend më të mirë për të jetuar.

Pas kësaj pjese do të të shohim më shpesh në teatër?

-Kam projekte të tjera dhe jam në diskutim e sipër për t’u angazhuar edhe më shumë në teatër. Më ka marrë malli sinqerisht të luaj në teatër. Me punën që bëj marr shumë energji negative në kontekstin që ato histori bëhen pjesë e imja gjithashtu dhe teatri është një mënyrë ku unë shfryhem. Mërzitem ndonjëherë, mendoj të largohem, por them me vete më mirë po bëj diçka akoma më të bukur, po bëj teatër.

Komento
Shperndaje