Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Genta Ismajli: Nuk kam bërë asnjë ndërhyrje, njeriu me kohën ndryshon edhe në pamje

(Intervistë) Genta Ismajli: Nuk kam bërë asnjë ndërhyrje, njeriu me kohën ndryshon edhe në pamje
June 12
11:07 2016

Muajt që kemi lënë pas kanë qenë padyshim shumë të suksesshëm për këngëtaren Genta Ismajli. Bashkëpunimi i saj me “Etnon”, në këngën “Shake it”, shënoi jo vetëm një rekord klikimesh në internet, që tashmë është një tregues i qartë për suksesin e një kënge, por po ashtu u dëgjua dhe vazhdon të luhet dhe dëgjohet ngado. Por zhurma e “Shake it” u bë edhe më e madhe, pasi doli lajmi se kënga ishte lënë jashtë “Top Awards”. Edhe pse përgjigjja erdhi nga stafi menaxhues i Gentës, ekskluzivisht për blitz.al, vetë Genta ka preferuar të heshtë dhe të mos përgjigjet në asnjë media në lidhje me “Top Awards”. Ama, në intervistën më poshtë, këngëtarja seksi ka folur për herë të parë se si e ka parë mungesën e “Shake it” në “Top Awards”. Por jo vetëm, ajo na ka folur edhe për planet e reja dhe për verën shumë të ngjeshur që e pret.

Genta, ndërkohë që shumë këngëtare kanë filluar të publikojnë klipet e tyre të reja për sezonin veror, siç jemi mësuar tashmë, ti vazhdon të shijosh suksesin e “Shake it”. Mesa duket, nuk do t’i dalë nga qejfi edhe për shumë kohë publikut kjo këngë, apo jo? 

-Kjo këngë besoj se do të mbetet gjatë si një ndër hitet më të mëdha të muzikës në Shqipëri. Edhe pse po bëhen muaj që ka dalë, ka ende një sukses të jashtëzakonshëm dhe unë besoj që suksesi do të vazhdojë. Ishte një bashkëpunim i qëlluar mes Etnon dhe meje.

 

Por besoj ke menduar për klipin e radhës. Do të ketë ndonjë klip veror nga ty? Nuk është se do të rrish me “Shake it” gjithë vitin… 

-Patjetër që po. Pritet që në korrik të lançohet bashkë me klip një këngë shumë e lezetshme, e punuar nga Cricket.

 

 

Ia dha Genta suksesin Etnon, apo Etnon suksesin Gentës?

-Mendoj se ishte bashkëpunimi më i qëlluar deri tani, në kohën e duhur, për të dyja palët. Suksesi vjen  me punë dhe ne kemi punuar shumë që kënga të jetë ku është sot, sidomos Genci në prodhimin e saj. Sa për informacion, që të gjithë ta dinë, do t’i kemi diku te 30 koncerte së bashku në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të zi këtë verë. Është një lloj “Shake it tour”.

 

 

Meqë i pari rezultoi i suksesshëm, keni menduar për ndonjë bashkëpunim tjetër?

-Ndoshta dhe do të ketë një tjetër. Nuk i dihet…

 

 

E megjithatë, edhe pse kënga është pëlqyer shumë nga publiku, e dëgjon të luhet ngado, ka gati 20 milionë klikime në Youtube, ajo nuk ia “mbushi mendjen” stafit të “Top Awards” të përzgjidhej në të dhe kështu u la jashtë. Është diskutuar shumë kjo gjë këto javët e fundit, megjithatë deri sot nuk ka pasur akoma një deklaratë zyrtare nga ana jote dhe e stafit tënd menaxhues. Mund të na shpjegoni se çfarë ka ndodhur? Pse “Shake it” u la jashtë?

-Menaxheri im është përgjigjur pak kohë më parë për këtë gjë, madje ekskluzivisht në faqen tuaj, prandaj mendoj se nuk kam çfarë të shtoj më shumë. Unë pajtohem me atë se çfarë është thënë dhe që është e vërteta, nuk e kuptoj pse është lënë jashtë kënga më e dëgjuar e këtij viti, por edhe sikur të ishte përfshirë nuk besoj se do të merrja pjesë në diçka që shihet se është e kurdisur. I kemi kaluar prej shumë kohësh këto montime.

 

 

Ledioni në konferencën për shtyp tha që nuk ka asgjë personale me ty, që të vlerëson si këngëtare dhe që vitet e ardhshme do të jesh patjetër pjesë. Ke kontaktuar personalisht me të?

-Kjo pjesë, siç thashë më lart, nuk më përket mua. Nuk kam kontaktuar personalisht me askënd, por sigurisht që nuk kemi gjë personale.

 

 

Jeta jote private vazhdon të mbetet “tabu” për mediat. Ti nuk flet asnjëherë për të dhe as paparacët nuk kanë arritur të gjejnë ndonjë foto “komprometuese” me ndonjë partner të mundshëm. Nuk janë ata që zotët të të kapin “mat”, apo je ti shumë e zonja për t’u fshehur mirë?

-Unë them më mirë le të vazhdojë të mbetet ende e tillë, tabu.

 

Ke shumë kohë pa një partner në krah (gjithmonë sipas asaj që ke deklaruar ti vetë nëpër intervista të ndryshme). Ka ndonjë moment kur e ndjen nevojën e një partneri? Kur thua që je mërzitur duke qenë single, “do burrë edhe ti si “koleget” e tua) hahaha?

-Si thamë pak më sipër? Jeta ime private mbetet e tillë edhe për këtë pyetje (qesh).

 

 

Meqë jemi te koleget, si i ke pasur marrëdhëniet me to? Ke bërë ndonjë sherr së fundmi, se sikur ka dalë në modë që këngëtarët të zihen me njëri- tjetrin?

-Asnjëherë, nuk jam tipi sherreve, sidomos mes kolegeve.

 

 

Po imitimin që Adelina Tahiri të bëri në “Your Face Sound Familiar” në “TV Klan” e ke parë? Të ka pëlqyer? Mendon se të imitoi mirë?

-Më vjen keq që nuk e kam parë, por do ta shoh sa më shpejt që të mundem.

 

 

Meqë jemi në “Tv Klan”, një nga figurat kryesore të tij, gazetari Arjan Çani, ka dhënë një intervistë ku ka deklaruar se nuk ka fare simpati për ty dhe se nuk i pëlqen tipi yt. Si i shikon dhe komenton deklaratat e tij? Çfarë ka ndodhur mes ju të dyve, sepse mesa mbajmë mend ne ti ke qenë edhe pjesë e emisionit të Çanit? Ka pasur ndonjë debat/sherr që publiku nuk e di?

-Me sa di unë s’ka ndodhur asgjë mes meje dhe gazetarit në fjalë, siç duket ka lindur ndonjë gjë prapa shpine, nuk ia kam idenë.

 

 

Ti je gjithmonë ndër ato personazhe pozitive, që i pranon me kënaqësi ftesat e gazetarëve dhe daljet në media. Ka ndonjë emision në të cilin nuk pranon të jesh e ftuar, apo ndonjë gazetar/e që nuk pranon ta kesh përballë?

-Jam e gatshme gjithmonë të shkoj aty ku e vendos grupi im menaxhues dhe aty ku mendojmë se është e dobishme për të dyja palët.

 

 

Një tjetër koment që është bërë shpesh këto kohë ka të bëjë me ndërhyrjet që ke bërë në pamjen tënde. Shumë fansa thonë që Gentën e donin më shumë kur dukej më natyrale, kur nuk lyhej shumë. Si i komentin ti këto?

-Mendoj se jam natyrale dhe se njeriu me kohën ndryshon edhe në pamje.

 

 

Pak ditë më parë je bërë bionde. U bëre se të pëlqen, apo sepse është moda?

-E bëra thjesht për disa ditë, siç e kam bërë edhe më herët, më pëlqen të ndërroj ngjyrën nganjëherë.

 

 

Vera do të jetë e mbushur me koncerte besoj. Po ndonjë moment për të pushuar ke menduar?

-Kemi të programuar shumë koncerte këtë verë, shumicën bashkë me Etnon dhe sigurisht që pasi të përfundojnë të gjithë në fund të gushtit do të mendoj edhe për pushimin.

Komento
Shperndaje