Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Fifi: “Kus Kus”-i im nuk hahet, por puthet…

(Intervistë) Fifi: “Kus Kus”-i im nuk hahet, por puthet…
May 18
20:48 2016

Ajo është një nga artistet e reja më interesante të muzikës shqiptare. Filloreta Raçi, ose e njohur ndryshe Fifi, e cila së fundmi ka sjellë në treg këngën e saj “Kus Kus” në bashkëpunim me Eri Dee, ka ngjallur jo pak interes te publiku për look-un e saj dhe për stilin e veçantë të të kënduarit.
Për këtë, këngëtarja kosovare, që përveç cilësive të saj në repim, zotëron edhe aftësi vokale për t’u vlerësuar, ka dhënë një intervistë për Blitz.al. Ndiqeni më poshtë:

  • Vetëm para 2 javësh së bashku me Eri Dee keni lançuar këngën “Kus Kus”. Si është pritur nga publiku?
    -Për mua si Filloretë kënga ka arritur rezultatin që kemi pritur, duke qenë projekti i parë në bashkëpunim me “Max Production”.

 

  • Për ne njerëzit e thjeshtë, Kus Kusi është ushqim. A hahet “Kus Kus”-i i Fifit?
    -“Kus Kus”-i i Fifit nuk hahet, por puthet…

 

  • Kënga ka në qendër vajzat e shëndosha. Pse ke zgjedhur të trajtosh një temë të tillë?
    -Kam zgjedhur të trajtoj këtë temë ngaqë jam vetë e shëndoshë. Veç kësaj, kam parë që në tregun shqiptar mungon diçka si “Kus Kus”.

 

  • A e fut edhe Fifi veten në kategorinë e “çikave të plota”? Si ndihesh për këtë fakt?
    -Në fakt jam çikë e plotë. Mbase do të dobësohem pak, por prapë më pëlqen të mbetem buçko.
  • Sa herë në ditë i thua vetes para pasqyrës: Sikur të isha edhe unë e dobët! Tregohu e sinqertë…
    -Çdo të premte e të shtunë kur bëhem gati të nisem për të kënduar “live”, them: Pse nuk jam e hollë?

 

  • A e pret Fifi “princin e kaltër” elegant, mbi kalë, apo në këmbë e me një sanduiç në dorë?
    -Mbase është princi ai që po pret Fifin!

 

  • Në videoklip shfaqesh shumë sportive dhe me një look të veçantë. A do të jetë kjo Fifi që do të shohim në këngët në vazhdim, apo do të vish ndryshe?
    -Për veshjet e Fifit kujdeset Joni Peçi dhe gjithçka varet prej tij. Ama sportive dhe ndryshe do të jem gjithmonë, pasi kjo jam unë…

 

  • Kemi parë shumë këngëtare shqiptare të eksperimentojnë në këtë stil, ama duket se ti ke lindur për ta bërë këtë gjë. Nga cila repere frymëzohesh?
    -Faleminderit për komplimentin si fillim! Nuk kam dikë të preferuar, ka shumë artistë që prekin shijet dhe preferencat e mia.

 

  • Me cilin nga reperët shqiptarë do të doje të bashkëpunoje në të ardhmen?
    -Është një listë e gjatë dhe s’do të dija cilin të zgjidhja të parin. Duhet të dini se menaxherët e mi nga “Max Production” po përgatisin surpriza për audiencën.

 

  • Për ta mbyllur, a mendon se “Kus Kus” do të arrijë “të shëndoshet” nga klikimet?
    -“Kus Kus” është një këngë ndryshe, si produksion, video dhe audio. Për këtë duhet të falënderoj menaxher Bledin dhe producentin Alandy. A do të “trashen” klikimet? Mendoj se po, mjafton të dëgjohet kënga…

 

Komento
Shperndaje