Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Eva Golemi: Publiku shqiptar nuk ngopet me klasiken

December 23
14:02 2016

 

eva

Eva Golemi sapo ka përfunduar një nga projektet më të rëndësishme për karrierën e saj, shfaqjen “La Traviata” të Xhusepe Verdit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Sopranoja e njohur ka luajtur rolin e Violetës, protagonistja e kësaj vepre. Blitz.al ka zhvilluar një intervistë me Evën lidhur me eksperiencën e saj gjatë kësaj shfaqjeje dhe suksesin që ajo pati.

1-Sa herë që e famshmja “La Traviata” e  Xhusepe Verdit shfaqet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit suksesi është i garantuar. Çfarë emocioni ju dha roli i personazhit kryesor, Violetës, në një shfaqje e cila të mban me emocione për tri orë?

-Violeta është roli që dua më shumë bashkë me Toskën e Puçinit. Në të vërtetë është ndoshta roli që kam realizuar më shumë në skenë për 15 vjet me radhë, përfshirë edhe skenat europiane. Kam punuar me shumë partnerë shqiptarë e të huaj, regjisorë e dirigjentë me famë ndërkombëtare, por gjithnjë produksioni i fundit është më mbresëlënësi e veçanërisht ky sepse është produksioni i fundit në TKOB përpara rinovimit të tij.

2-Kjo shfaqje ka bërë bashkë artistë spanjollë, austriakë gjermanë, italianë e shqiptarë. Si do ta vlerësoje punën me bashkëpunëtorë të huaj?

-Siç e theksova edhe më sipër, kjo është kthyer tashmë në një rutinë për mua (qesh). Në radhë të parë do të vlerësoja kolegët e mi shqiptarë, me të cilët kam ndarë shumë emocione në dhjetëra shfaqje, por sigurisht që një produksion i tillë ndërkombëtar të shton motivacionin, pse jo edhe emocionet. Fakt është që të gjithë të huajt që morën pjesë te “Traviata” e fundit ishin të një kualiteti të lartë.

3-Një “Traviata” e klasikes, por edhe e modernes (ideja  e videoprojektorit). Shfaqja ka qenë e menduar deri në detaje, madje edhe fustani ka qenë enkas i punuar për personazhin tuaj. Si e vlerësoni pjesëmarrjen dhe interesin e publikut kundrejt gjithë kësaj pune kolosale?

-Publiku shqiptar mendoj se e vlerëson më tepër klasiken në opera dhe nuk është një anakronizëm, por sepse publiku ynë nuk është ngopur ende me klasiken (opera jonë kombëtare është shumë e re në moshë krahasuar me atë europiane), për të shijuar më pas variante moderne, sidomos në veshje dhe skenografi. Video-projektori është modern si teknikë, por në të shfaqeshin thuajse gjatë gjithë kohës imazhe të sallave dhe ambienteve mondane europiane, madje edhe kur këto imazhe reflektonin emocionet që “Traviata” përçon ishin të veshura me një tis shumë klasik. Sa për kostumet, duhet të falënderoj stilistin Ardi Asllani për punën profesionale e plot pasion. Ato detaje që ju veçuat ishin një vlerë e shtuar e spektaklit dhe dua ta theksoj se janë rezultat i këmbënguljes së Zana Çelës për të “qepur” produksionin në të gjitha elementet e tij. Edhe premiera para pak ditësh në “La Scala” e “Madame Butterfly” ishte një vënie me kostume e skena klasike, por të realizuara me mjete moderne (qesh).

4-Një angazhim i jashtëzakonshëm, zëra të mrekullueshëm dhe shfaqje shumë të dëshiruara, por që në fund ndoshta nuk vlerësohen aq sa muzika e lehtë, pop apo RNB. Cila është arsyeja, sipas jush, që arti që ju bëni nuk sjell aq fitime sa zhanret e tjera muzikore?

-Kjo nuk është vetëm një histori shqiptare. Dy janë gjërat që dua të veçoj: kostoja e burimeve njerëzore (në një opera si “La Traviata” normalisht janë të angazhuar më shumë se 150 artistë të cilët, për koordinimin e tyre, kërkojnë shumë prova e ditë pune si për anën muzikore, ashtu edhe për lojën aktoriale dhe së dyti, mbështetja financiare nga shteti me fonde dhe iniciativa për sponsorët. Unë vetë i pëlqej edhe zhanret e tjera dhe mund të them se krahasuar me operën, gjërat janë në një mënyrë më të thjeshtë, që nga realizimi nëpër studio te përçimi te publiku. Këngët i trajtojnë temat me 3-5 minuta muzikë dhe publiku i thith menjëherë, ashtu edhe si i harron (qesh). Ndërsa operat kalojnë edhe shekuj e megjithatë e ruajnë sharmin e tyre.

5-Nëse do të bënim një krahasim, ju kënduat për tri orë përpara publikut, njëkohësisht edhe duke interpretuar dhe në fund të kësaj, “feedback”-u që merrni është më i vogël (monetarisht) se ai që marrin këngëtarët  që këndojnë “playback”. A ju mërzit ky fakt?

-Unë e dashuroj atë që bëj. Mund të kisha zgjedhur edhe ndryshe. Kam marrë pjesë një herë në Festivalin e RTSH-së në 1998-n, me  një duet me Saimir Çilin, por aty e mbylla për t’iu përkushtuar pasionit tim.

6- Pak orë më parë keni shkruar një status në Facebook drejtuar personave që ftojnë të tjerët të shohin shfaqjen tuaj, ndërkohë që ende nuk e kanë parë vetë. Për kë e keni fjalën në këtë rast?

-Besoj se e dinë vetë ato… ose ajo…

7-Çfarë shije mendoni se ka lënë “La Traviata” te publiku shqiptar?

-Nisur nga urimet e panumërta që kam marrë besoj se është pëlqyer shumë dhe s’ka se si pas tij realizimi mjaft cilësor.

8-Kjo nuk është hera e parë që ju luani rolin e Violetës. Cilën nga dy shfaqjet vlerësoni si më të suksesshmen dhe më të arrirën  nga ana juaj?

-Çdo shfaqje ka “lezetin” e vet, diku ka më shumë emocion, diku ka më shumë spektakël, por e bukura e muzikës “live” është se asnjëherë nuk dëgjon dy gjëra njësoj për sa i përket emocionit të përçuar dhe këtu vijmë tek ai “playback”-u ku gjithnjë dëgjon të njëjtën gjë, pavarësisht nga ambienti dhe publiku që të ndjek “live”. Unë parapëlqej interpretimet “live”, pasi nuk janë asnjëherë njësoj.

9-A ka qenë ky një nga ato role që do të mbetet gjatë në mendjen tuaj?

-Siç edhe e thashë, Violeta është një nga dy rolet që nuk do t’i refuzoja asnjëherë, prandaj mbetet edhe roli që kam luajtur më shumë në skenën shqiptare dhe ato europiane. /Blitz.al/

Shperndaje