Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Desada Metaj: Nuk ka “receta” për nënat…

September 09
17:17 2016

...

Viti i ri shkollor sapo ka nisur në disa shkolla private ndërkombëtare dhe si çdo vit, nxënësit e klasave të para janë ata që e fitojnë më së shumti vëmendjen e prindërve dhe të shoqërisë, pasi në një moment të tillë jeta e tyre merr një kthesë të re. Përveçse fëmijët, të cilët padyshim ndiejnë një sërë emocionesh të papërjetuara më parë, po kështu edhe prindërve u duhet të përballen me ndjesi të reja. Desada Metaj, një nga gazetaret më të njohura të ekranit shqiptar, këtë vit ka çuar në shkollë, në klasën e parë, djalin e saj, Andrea.
Në një intervistë të sinqertë dhe interesante për Blitz.al, kryeredaktorja e një prej programeve më të ndjekur, “Opinion”, ka rrëfyer më shumë për emocionet që ndjen tashmë që djali i saj është rritur mjaftueshëm sa për të shkuar në shkollë si dhe ka ndarë me ne, përmes fotografive, disa nga momentet e ditës së parë. Ndiqni në vijim intervistën e plotë të Desadës, jashtë profilit të gazetares, thjesht në rolin e një nëne.

Çfarë emocioni ndjeni tashmë që djali juaj shkon në klasë të parë?
-Është ndjesi e veçantë sidomos kur gati-gati ke harruar emocionet që ke ndier vetë kur ke shkuar në klasë të parë (qesh). Andrea është fëmijë i rritur mes shumë dashurive, të prindërve, gjyshërve të gjithë familjes, pasi është nipi i parë dhe si i tillë edhe në ditën e parë të klasës së parë ndoshta na duhej furgon për të transportuar ata që donin të ishin në shkollë me të. Në fakt, sistemi parashkollor që ai ka ndjekur e bën thuajse të pandjeshëm ndryshimin. Edhe pse për ne të brezit të shkollimit tradicional gjithsesi dita e parë mbart emocione dhe lule në dorë, për Andrean ishte thjesht vijimi i klasës që kishte mbyllur në muajin korrik dhe dëshira për t’u ritakuar me shokët ishte emocioni më i madh që përjetoi atë ditë.
Cilat janë disa nga këshillat që i keni dhënë?
-Nuk jam e mirë për këshilla, sidomos ndaj një fëmije 6-vjeçar të prirur pas shkencës, të cilit këshillat e mia do t’i dukeshin të bezdisura në mos të pavlera. Thjesht këshillova veten të jem më e duruar me të në këtë stad të ri të jetës dhe që të kem sa më shumë kohë e mundësi që t’i kushtoj vëmendjen që duan fëmijët e kësaj moshe.
A i mbani mend çfarë ju kanë thënë prindërit tuaj kur ju keni shkuar në shkollë për herë të parë?
-Sigurisht që prindërit tanë na kanë këshilluar sa kanë mundur dhe nuk kanë bërë keq. Nuk i mbaj mend me saktësi këshillat por fakti që rezultatet e mia në shkollë ishin të larta, besoj se këshillat kanë vlejtur. Si çdo gjë, mënyra e shkollimit, hapësira e mendimit apo dhe vetë shoqëria, edhe këshillat mendoj kanë nevojë për “update” në epokën e fëmijëve që njohin elektronikën më mirë se prindërit.
Një këshillë për të gjitha nënat që e përjetojnë për herë të parë këtë eksperiencë?
-Mendoj se nuk ka “receta” për nënat që çojnë fëmijët në shkollë. Çdo fëmijë është një univers për t’u eksploruar. Sa më shumë kohë e mundësi të kesh për ta bërë këtë, aq më pak vlejnë këshillat e librave apo të internetit. Kjo vlen edhe për mua (qesh)./Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje