Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Bora Kokëdhima: Eurovizioni ka qenë shumë i vështirë. Kemi punuar pa ekip

(Intervistë) Bora Kokëdhima: Eurovizioni ka qenë shumë i vështirë. Kemi punuar pa ekip
May 16
15:14 2016

Si kurrë më parë, këtë vit, ndër gjërat që u diskutuan më shumë në lidhje me prezencën dhe performancën e Eneda Tarifës në Eurovizion, ishin veshjet e saj: ajo e tapetit të kuq, por mbi të gjitha veshja me të cilën Eneda u ngjit në skenën e festivalit. Ishin të shumta komentet pozitive në lidhje me të dy fustanet, sidomos nga mediat e huaja, por, po ashtu, ka pasur edhe komente negative, të cilat stilistja Bora Kokëdhima, siç rrallë ndodh në këto raste, i ka pranuar me shumë pozitivitet. Në këtë intervistë, Bora flet për të gjitha këto, si dhe rrëfen disa detaje ekskluzive për vështirësitë që i është dashur të kalojë, duke qenë se ka punuar e vetme, pa një ekip nga pas. Për më shumë lexoni intervistën.

Bora, si u vendos që do të ishe ti stilistja që do të vishje Eneda Tarifën, prezantuesen e Shqipërisë në Eurovizion?
-Bashkëpunimi me Enedën ka qenë shumë spontan dhe krejtësisht i pavarur nga Radio Televizioni Shqiptar. Me Enedën jam njohur vite më parë nga motra ime, Besa. Unë prej gati një viti kam çelur atelienë time, “Savage”, ku e kam zakon të ftoj zonja e zonjusha të biznesit, politikës e artit shqiptar. Jemi takuar në janar dhe kemi nisur punën për Eurosongun në fund të shkurtit.

Ke krijuar 7 veshje për këtë event, për Enedën dhe pjesën tjetër të stafit, vajzat që e shoqëruan në skenë. Janë veshje të krijuara posaçërisht për Eurovizionin, apo janë krijime nga koleksioni yt i prezantuar vetëm pak muaj më parë, që i ke përshtatur për këtë event?
-Në fakt, ky event ka qenë shumë më impenjativ sesa kaq. Kur e mora projektin kishim shumë pak material për të dërguar tek organizatorët e huaj. Logjikuam që duhej një fotoseksion dhe një videoklip për të sjellë një performancë të kompletuar. Në fotoseksion janë prezantuar 4 veshje, nga të cilat 2 kanë qenë pjesë e koleksionit tim të dimrit “Attitude”(fustani i quajtur “Çika e Tropojës” dhe “Konstelacion”), një fustan i zi mbrëmjeje është prodhuar enkas dhe një pallto kryqi është nga koleksioni i dimrit të ardhshëm. Për klip është dizenjuar  dhe zbatuar enkas një kanace Tropoje, e cila do shumë punë dhe mund pasi është e gjitha punë dore, si dhe një fustan ngjyrë qumështi, të cilin e kemi përfunduar në kohë rekord (2 ditë).
7 veshje (të tjera) janë zbatuar vetëm për finalen në Stokholm. Duhet shpjeguar që dedikimi për secilin nga këto fustane ka qenë i njëjtë, pavarësisht anëtarit të ekipit që do e prezantonte. Kam prezantuar me shumë dinjitet fustanin e mëndafshit lisho të Enedës, i cili u kualifikua si “best dressed” në tapetin e kuq dhe u komentua jashtëzakonisht mirë nga media e huaj. Po në tapet të kuq kam prezantuar fustanin po prapë mëndafsh me print kafshe të Venera Lumanit, fustanin mëndafsh me njolla puhize të Ambra Devollit (për fat të keq, mungesa e një fotografi në delegacion nuk më mundëson një foto për ju) dhe fustani im ngjyrë qumështi i punuar me dorë. Nuk u mjaftova me veshjet, kërkova dhe mora mbështetjen e “Delirium Shop” me aksesorë të përshtatshëm “high fashion” (çanta e këpucë), mbështetjen e “Kastrati jewllery” me aksesorë të çmuar dhe mbështetjen e peliçerisë “Schiavon” (bën ftohtë në Suedi).
Për finalen e madhe u përqendrova kryesisht tek Eneda. Për të zgjodha tartanë si material mbretëror, arin si ngjyrën e 7 mrekullive të botës dhe simetrinë e asimetrinë njëkohësisht. Me peta them se formova një “shipe” të sofistikuar. Fustani ka 29 prerje, 8 pala vetëm lart dhe 11 peta poshtë. Kemi përdorur 20 metra copë. Stili mbizotërues në finale është futuristik dhe neoklasik. Për Ambrën dhe Venerën zgjodha të zezën, performuar në forma të çuditshme gjeometrike.

Si u bë përzgjedhja e veshjes? Ka qenë zgjedhje totalisht e jotja, apo je konsultuar me të?
-Eneda ka një cilësi shumë të veçantë: i lë secilit hapësirën e vet. Kështu, më dëgjonte dhe pyeste vazhdimisht. Patjetër që mendimi i saj ka qenë i pranishëm në çdo fazë, por në fund të ditës kam punuar e pandikuar. E vetmja vështirësi reale në këtë bashkëpunim ka qenë mungesa e vazhdueshme e kohës dhe asistencës nga stafi organizativ. Nuk është e thjeshtë që një artiste e punësuar me kohë të plotë, nënë dhe me qindra impenjime, të ndjekë dhe prekë vetë secilin proces në një festival të një përmase të tillë, si Eurosongu; sikurse nuk është e thjeshtë për një dizajner të zbatojë në kohë rekord 10 veshje, të realizojë “full look” dhe të përballojë prova intensive pa asistent e kushte teknike. Mund t’ju them me bindje që jemi ndier të respektuar, të komplimentuar nga të gjithë artistët e tjerë dhe nga stafet e huaja gjatë gjithë kohës!

Mund ta na japësh ndonjë detaj ekskluziv për blitz.al në lidhje me fustanin e Endës në Eurovizion, diçka që nuk është thënë më parë?
-Unë mund t’ju them se fustani i Enedës është hedhur poshtë nga Eurosongu dhe është kërkuar një tjetër fustan 2 javë para eventit. Mund t’ju them se kam punuar nën presion të jashtëzakonshëm pasi jo vetëm është hedhur poshtë vetë skica e fustanit të parë, por edhe e gjithë paleta e ngjyrave të propozuara nga unë, e përbërë nga 7 kolore pastel; po ju jap edhe dy skicat, të parën dhe të dytën. Përgjigjja e Eurosong për skicën që zbatuam ishte: We love it! Go for it! Unë vetë, dashurova variantin e parë për vete temën e këngës dhe përmasën butaforike (57 m). Kam dashur të braktis projektin për këtë fakt, por nuk do të braktisja Enedën!

Në rast se Eneda do të kualifikohej për në natën finale, veshja do të ishte e njëjtë?
-Rregullat i cakton Eurosongu. Jo vetëm që është gjithmonë e njëjta veshje, por pa dijeninë time paraprake, tri ditë rresht, nga një ose dy herë në ditë, provat janë zhvilluar me veshje. Do e kujtoj me humor veten shtrirë në tokë, duke hekurosur me hekur gjithë ditën (qesh).
Na thuaj të drejtën, ishte e lehtë të punoje me Enedën?
Me Enedën po, pa ekip jo.

Ndërkohë që fustani me të cilin Eneda ka parakaluar në tapetin e kuq është komentuar edhe nga blogu wiwibloggs, i cili komenton shumëçka në lidhje me Eurovizionin dhe ata që nuk e kanë pëlqyer fustanin kanë qenë më të shumtë se ata që e kanë pëlqyer. Si do ta komentoje këtë fakt?
-Në fakt është hera e parë që e dëgjoj këtë koment. Mua më shqetësojnë vetëm njerëzit kompetentë për fushën time dhe media. Vetë wiwibloggs ka bërë disa postime tepër pozitive për veshjet, të cilat ndodhen edhe në Instagram-in tim prej ditësh. Njerëzit janë të ndryshëm dhe të lirë të komentojnë çfarë do të preferonin të vishnin. Nuk mund të pretendojmë që 200 milionë njerëz që ndjekin Eurosongun në kohë reale të shkulin të gjithë flokët për performancën e Shqipërisë.
Nëse keni ndjekur “live stream”-in e tapetit të kuq dhe klasifikimin e vetë Eurosongut, Eneda është kualifikuar si “best dressed”. Look-u i Enedës në tapetin e kuq është quajtur hollivudian.

Një tjetër koment në lidhje me fustanin që Eneda veshi gjatë natës gjysmëfinale ishte ai që e krahasonte me statujën e “Oscar”-it. Është një rastësi, apo frymëzuar vetë prej “statujës më të famshme në botë”?
-Një koment i tillë është bërë edhe nga RAI , ku Eneda u cilësua si me “klass dhe elegancë”. Por është bërë edhe komenti i telegraph. co.uk, ku shahemi si “personazh negativ kartonësh”. Kushedi sa komente të tjera pro dhe kundër ka pasur! Për t’u habitur, nuk ka site, faqe, shtet, që s’përmend fustanin bashkëngjitur performancës! Qenka e ëmbël vëmendja!
Jam frymëzuar nga madhështia, klasi dhe eleganca në përgjithësi dhe shqiponja, krahët, por minimaliste. Por kur dëgjova komentin mendova: Seriozisht, “Oscar”? U ndjeva, për çudi, siç ndihem përherë, e pandërgjegjshme për çfarë përcjell në artin tim. Thjesht e dashuruar marrëzisht me të…

Pas Eurovizionit, cili është projekti yt i radhës?
-“Savage spring summer collection 2016”. Në fakt, kam dy muaj që punoj “non stop”, paralelisht me Eurosongun dhe klientelën time; për koleksionin dhe përvjetorin e firmës sime. Ne mbushim 1 vit. Kam organizuar një “fashion show” shumë ndryshe nga të tjerët, koleksioni quhet “Mushrooms” (kërpudha) si droga dhe përbëhet nga rreth 30 veshje “haute couture”. Jam përqendruar në pastel dhe më kanë rrëmbyer format e çuditshme gjeometrike. Për mua, arti nuk duhet të jetë i bukur, duhet të jetë emocionues.
Shfaqja do të zhvillohet në zemër të bllokut, aty ku ndodhet atelieja ime. Për herë të parë do të zhvillojmë “live stream” në një sfilatë në Shqipëri. Dua të tregoj se pamjen time nuk e bën montazhi apo fotoshopi, është e gjallë.
Kam ftuar shumë miq të skenës, artit etj.
Sfilatat janë adrenalina më e lartë që marr nga arti im…

 

Etiketimet
Shperndaje