Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Bamirësi për fëmijët me sëmundje gjaku, nisma e veçantë e gjimnazistëve të Sami Frashërit

(Intervistë) Bamirësi për fëmijët me sëmundje gjaku, nisma e veçantë e gjimnazistëve të Sami Frashërit
May 17
14:26 2019

Me nismën e tyre me siguri jeni rastisur në rrjetet sociale. Bluza, fëmijë, buzëqeshje…Bëhet fjalë për “KENS JA”, kompaninë ekonomike të nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri”. Ata shesin bluza,në të cilat janë stampuar vizatime nga fëmijët e shtruar pranë QSUT, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda gjaku.  Dhe të ardhurat shkojnë sërish për ta. Në një intervistë me maturanten Gledis Dobi, mësuam më shumë për këtë nismë kaq të bukur të të rinjve.

  1. Për të gjithë ata që ende nuk e dinë, çfarë është “Kens JA”?

KENS do të thotë Kompania Ekonomike e Nxënësve të Samiut dhe funksionon si një shoqëri aksionare e nxënësve të klasës XII-7 në kuadër të programit Junior Achievement, që është një investim strategjik i fondacionit shqiptaro-amerikan për zhvillim, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

  1. Si lindi ideja dhe pse zgjodhët pikërisht këtë kauzë sociale?

Në kuadër të zhvillimit të modulit “Kompania e nxënësve”, ne kemi krijuar Kompaninë KENS. Kompania jonë ofron T-Shirte për një kauzë shumë të përzemërt për ne, pjesëtarët e kompanisë, por dhe për njerëzit që besojnë se humanizmi akoma ekziston. Bluzat tona mund të duken të thjeshta në pamje, por mesazhi që kanë në vetëvete shkon përtej një stampimi. Dizajnet e produktit tonë janë vizatime të realizuara nga fëmijët e shtruar pranë QSUT, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda gjaku.

3.Sa nxënës jeni dhe si funksionon bashkëpunimi mes jush?

Të gjithë nxënësit e klasës XII-7 janë aksionarë të kompanisë, të cilët kanë kontribuar në ndërtimin e saj dhe kanë të drejtën e votës në vendimet që merren dhe sigurisht që është zgjedhur një bord drejtues, i përbërë nga drejtuesit e 5 departamenteve dhe presidentja.Secili prej departamenteve ka punonjësit e tij, mes të cilëve ndahen detyrat dhe presidentja organizon dhe menaxhon gjithë veprimtarinë dhe sigurohet që departamentet e Burimeve Njerëzore, Marrëdhënieve me Publikun, Prodhimit, Financës dhe Marketingut të shkëmbejnë ide, informacione dhe të dhënat e nevojshme për ndërveprim.

  1. Çfarë do të veçonit nga vizatimet e fëmijëve?

Të gjitha vizatimet e përzgjedhura janë unike dhe plot ngjyra, por ajo çka do të veçoja është fakti se ato kanë  një histori, fshehin një ëndërr të fëmijëve, dëshirë apo ndjenjë. Teksa zgjidhnim vizatimet e tyre, me ndihmën e psikologes, kemi arritur të kuptojmë se çdo element në vizatimet e tyre shpreh diçka ,se ajo që mund të duket e thjeshtë ,është shumë domethënëse,prandaj edhe 2 prej dizajneve të T-shirteve vendosëm t’i përdorim në formën e tyre origjinale, për t’ia përcjellë edhe botës afërsinë që ne ndjemë me këta fëmijë, të cilët pavarësisht luftës së vështirë me të cilën po përballen në asnjë moment nuk hiqnin dorë së buzëqeshuri,duke i thënë me të madhe jetës se ata ende kanë shpresë. Të qenit pranë tyre na bën më të ndjeshëm dhe të vetëdijshëm se një nga qëllimet kryesore të një biznesi nuk është vetëm fitimi, por të lësh gjurmë me rëndësi sociale e aq më tepër kur bëhet fjalë për të ardhmen tonë, fëmijët.

  1. Cilët kanë qenë blerësit më të shumtë të bluzave, që kanë mikpritur nismën tuaj?

Nisma jonë, që në fillimet e saj, arriti të përcillet shumë mirë tek gjithë bashkëmoshatarët tanë. Gjimnazistët e “Sami Frashërit” kanë qenë shtylla kryesore e biznesit tonë. Mbrapa nuk mbeten edhe stafi pedagogjik që na ka mbështetur plotësisht. Ajo çfarë na ka prekur më shumë ka qenë suporti që kemi ndjerë nga komuniteti, njerëz që na kanë përgëzuar për nismën dhe kanë blerë bluza ne shenjë solidariteti.

  1. A do ta vazhdojë Kens Ja edhe pasi ju të përfundoni gjimnazin?

Patjetër që po. Faktikisht, kur e nisëm këtë projekt, nuk e parashikuam se do të kishim kaq shumë arritje. Duke parë se sa i suksesshëm ka qenë dhe vazhdon të jetë ky projekt si edhe diferencën që kemi bërë me kauzën tonë sociale, dëshirojmë shumë që KENS të jetë një biznes jo i limituar brenda vitit shkollor.

  1. Cilën do të veçonit si arritjen tuaj më të madhe deri tani?

Kjo në fakt është një pyetje e vështirë. Rrugëtimi ynë ka qenë i mbushur me momente ku të gjithë jemi ndjerë tepër krenarë. Duke nisur që nga sasia e bluzave të shitura, numri i ndjekësve në rrjete sociale, bashkëpunime me institucione si Posta Shqiptare etj. Ama deri në këtë moment, arritja jonë më e madhe është fakti se mundëm të ndihmojmë repartin e Onkohematologjisë në QSUT me mjete didaktike dhe dhamë donacione për 10 fëmijë në nevojë po në të njëjtin repart.

  1. Na zbuloni pak për planet tuaja afatgjata

Jemi shumë të emocionuar për ato që na presin në të ardhmen. Përpjekjet e kompanisë do të kurorëzohen më 23 Maj në Panairin e Kompanive. Sigurisht që synojmë të fitojmë vendin e kompanisë më të mirë të vitit 2019. Ama fitorja nuk është gjithçka për ne. Ajo që ne kërkojmë me shumë ngulm është që KENS të bëhet një trashëgimi e “Sami Frashërit”, që t’ua kalojmë stafetën viteve pasardhëse në mënyrë të tillë që KENS të jetë shenja dalluese e shkollës sonë, krenaria e saj.

  1. Cila është thirrja që ju si të rinj do t’i bënit çdo njeriu që dëgjon për kompaninë tuaj?

Falë ndjekjes së gjerë në rrjete sociale, kemi pasur mundësinë të kemi një zë që dëgjohet në masë. Për ne ka qenë dhe është shumë e rëndësishme që ky zë të përdoret për të evidentuar dhe për të theksuar se sa jetësore është që secili prej nesh të jetë i ndjeshëm kur bëhet fjalë për biznese sociale. Tek ata që na ndjekin, duam të përcjellim mesazhin se sot, mund të japim një ndihmë të përkohshme tek ata të cilët kanë nevojë. Nesër mund të bëhemi pjesë e një ndryshimi më të madh.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje