Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Arta Bajrami: Kjo është gjëja më e rëndësishme që i kam mësuar vajzës time

September 12
15:31 2016

...

Arta Bajrami, përveçse një këngëtare, tashmë është nënë e dy fëmijëve: një vajze dhe një djali. Ajo para pak kohësh ka sjellë në jetë djalin e saj, Morris, arsye pse këngëtarja i mungon prej disa muajsh tregut muzikor me projekte të reja. Megjithatë, një tjetër gëzim në jetën e saj këtë vit ka qenë fakti se Viktoria, vajza e saj, ka shkuar për herë të parë në shkollë. Në një intervistë për Blitz.al, këngëtarja ka rrëfyer më shumë për emocionet që ajo ka përjetuar tashmë që Viktoria shkon në klasë të parë.

Çfarë emocioni ndjeni tashmë që vajza juaj shkon në klasë të parë?

-Ditën e parë të shkollës kam qenë shumë e emocionuar. Në fakt, të them të drejtën nuk kisha një emocion të vetëm, por një koktej emocionesh: krenari kur pashë një lumë fëmijësh dhe mendoja që njëri nga ata është pikërisht fryti im, nervozizëm sepse nuk e dija si do të reagonte vajza në bashkëveprim me fëmijët e tjerë, në një ambient të ri e të panjohur dhe gëzim sepse vajza po fillonte rrugëtimin drejt pavarësimit të saj.

Cilat janë disa nga këshillat që i keni dhënë?

-Unë vajzën e kam mësuar të jetë e shoqërueshme dhe e dëgjueshme. I kam treguar se në shkollë ka fëmijë që vijnë nga familje shumë të pasura, të mesme dhe shumë të varfra, por që të gjithë jemi të barabartë. E kam mësuar të mos bëjë dallime mbi asnjë bazë, përveçse të dallojë të mirën nga e keqja. Njëkohësisht kjo situatë më solli ndërmend momentet kur unë kam qenë në rolin e saj.

A i mbani mend çfarë ju kanë thënë prindërit tuaj kur ju keni shkuar në shkollë për herë të parë?

-E mbaj mend mirë ditën e parë të shkollës, në “Meto Bajraktari” në Prishtinë. Ne jetonim shumë afër shkollës dhe prindërit më patën përcjellë deri te oborri, edhe pse nuk mbaj mend ndonjë porosi të veçantë të tyre.

Një këshillë për të gjitha nënat që e përjetojnë për herë të parë këtë eksperiencë?

-Është një emocion i veçantë për çdo nënë, por njëkohësisht një moment i vështirë dhe i rëndësishëm. Psikologjia e fëmijëve është e tillë që ata duan të duken, të krijojnë klane, duan të dominojnë. Bëjnë çmos që të arrijnë atë që duan dhe shpesh duke dëmtuar fëmijët e tjerë. Fëmijët e dëmtuar shpesh nga frika apo nga turpi nuk flasin. Këshilla ime do të ishte që nënat të përpiqen të kuptojnë se çfarë bën fëmija i tyre në shkollë për të parandaluar çfarëdo abuzimi me fëmijën e tyre apo të dikujt tjetër”./Blitz.al/

Komento
Shperndaje