Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Importi i mbetjeve, Bledi Mane dhe Arbër Çepani degjenerojnë në sherr të ashpër

Importi i mbetjeve, Bledi Mane dhe Arbër Çepani degjenerojnë në sherr të ashpër
September 22
21:35 2016

Tema e importit të mbetjeve ka shkaktuar debate edhe mes gazetarit Bledi Mane dhe aktivistit Arbër Çepani. Ka qenë Bledi Mane ai që fillimisht, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, u bën thirrje qytetarëve të mos i bashkohen protestës për plehrat “me plehrat”, duke iu referuar Arbër Çepanit dhe familjarëve të tij.

Teksa e akuzon si cinik, mik i dallaverexhinjve të së djathtës, kunat i amorfit Gert Bogdani dhe aseksual i kauzës së burrërisë, Bledi Mane shprehet se Arbër Çepani shfrytëzon çdo lloj kauze për t’u bërë referues i shoqërisë civile.

“Nëse ngordh ndonjë gomar në rrugë, shfaqet ky. Nëse u kërkohet bizneseve kuponi tatimor, shfaqet ky. Nëse maturantët hatërmbajtës nuk fitojnë dot mjekësinë, shfaqet ky. Edhe kur ka ditëlindjen Armina, ky shfaqet. Edhe kur Zeni, kopili suedez i Berishës, shpartallon qiellin e Tiranës me fishekzjarrë për inate komunitare, prapë ky shfaqet. Edhe kur kunati Gertjan Bogdani, marionetë e ndryshkur e Lul Bashës, humbet në zgjedhjet e Dibrës, shfaqet ky”, – shkruan ndër të tjera Mane.

Nuk ka vonuar reagimi i Arbër Çepanit, që fillimisht përmes një komenti në postimin e Manes dhe më pas me një tjetër reagim, akuzon gazetarin si zar pushteti, që reagon në të tillë mënyrë kur i preken interesat. Në replikën e tij, Çepani shprehet se ndërkohë që rindërtonte kopshtet dhe çerdhet pas shpërthimit, Bledi Mane thithte kokainë.

“Ndërkohë që unë rindërtoja me lekët e mia çerdhe dhe kopshte pas shpërthimit, ky rrinte thithte kokainë. Sa për PD, PS dhe çdo parti tjetër, ata që më njohin e dinë shumë mirë sesa më rruhet për to dhe drejtuesit e tyre të kalbur. Herë tjetër, Bled Mane, tregohu burrë!”- është shprehur Arbër Çepani. /Blitz.al/


Komento
Shperndaje