Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“HYPERREALISM” nga Gëzim Meta, ekspozita e piktorit shqiptar që ju prezanton një tjetër dimension

“HYPERREALISM” nga Gëzim Meta, ekspozita e piktorit shqiptar që ju prezanton një tjetër dimension
March 02
15:27 2019

Arti i pikturës të rrëmben dhe të prezanton me jetën brenda kornizës, që në fakt nuk është aspak e kufizuar. Dhe sapo të hyni në ekspozitën e piktorit shqiptar Gëzim Meta, do të zbuloni një tjetër dimension.

Stili i pikturave është hiperrealizmi- dhe në pamje të parë mund t’ju ngjajnë me një fotografi të cilësie të lartë. Por siç flet dhe titulli i ekspozitës “These are not photos”- këto nuk janë foto. Ndonëse nuk njihet shumë në Shqipëri, ky stil ka lindur në mesin e viteve 1960 në Amerikë si lëvizje e pavarur e artistëve kundër artit minimalist apo ekspresionist të kohës. Me shpirtin e artistit, Gëzim Meta na tregoi pak më tepër:

“Në fillime, bënë një ekspozitë në Kassel të Gjermanisë të quajtur foto-realizëm. Foto realizëm është interpretimi strikt i një fotoje, ndërsa hiper realizmi lindi si rrjedhojë e tij. Ka ndryshim sepse shton element ndjenjash emocionesh, mund ta quajmë artin e iluzionit optik. Duket si një fotografi, por është një realitet që nuk ekziston, nuk ka ekzistuar kurrë, një realitet i rikrijuar nga vetë artisti.”

Do të duket sikur je në një dhomë me artistin, mbretëreshën e Anglisë apo fëmijët e lënduar të Sirisë. Sepse vetë inspirimi i piktorit janë ngjarjet dhe personazhet që na rrethojnë:

“Më pëlqen që çdo gjë që unë e shikoj, marr vesh për të, më pëlqen të reagoj në mënyrën time, në stilin hiperrealist duke e sjellë sa më të gjallë, me një vërtetësi befasuese.Për këtë ekspozitë, si temë kam zgjedhur personazhet me dimensione humane.”

Tabloja kryesore jo vetëm nga madhësia por edhe nga tematika është Mbretëresha dhe Duka i Edinburghut. Ajo ka qenë një porosi për ambasadën Britanike, dhe nuk mund të mungonte krahë veprave të tjera.Pak më tej, gjeni dhe një pikturë të frymëzuar nga ngjarjet në Siri- dhimbjen e së cilës mund ta ndjesh dhe ti.

Në një botë ku gjithçka është koleksionohet në arkivat e rrjeteve sociale, të prekje artin nga afër ishte një ndjesi e bukur. Por pse zgjodhi ai ta sillte në këtë mënyrë?

“Shumë njerëz mendojnë për këtë lloj zhanër pikture që janë foto-prandaj dhe titulli i ekspozitës është “These are not photos”- këto nuk janë foto. Kam hasur gjithmonë replika e polemika me njerëzit që “jo s’ka mundësi të jetë kjo pikturë, është foto.” Pse mos t’ua jepja mundësinë njerëzve ta vërtetojnë, t’a prekin me dorën e tyre që kjo është pikturë dhe jo foto.” (dhe ishin të prekshme, të vërteta e të mrekullueshme)

Për ata që nuk e dinë, Gëzimi përveçse pikturën, shumë të dashur ka dhe muzikën tek e cila po mundohet të sjellë një rrymë të re për Shqipërinë- “Grime music”- rrepim i stilit anglez. Lidhja mes pikturës e muzikës?

“Atëherë unë mendoj që piktura dhe muzika janë si burrë e grua, mish e thua, nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin.Pa muzikë, unë nuk pikturoj dot. Por edhe nuk mund të bëj dot muzikë, nëse nuk pikturoj.”

Dhe besomëni që pas kësaj ekspozite, do doni ta ndiqni hap pas hapi artin e tij. Me aq sa ai zbuloi për Blitz.al, mund të them e bindur që mezi po pres projektin e radhës.

“Në vazhdim faktikisht, kam nisur një projekt goxha të madh, i trajtuar ndryshe. Nëse sot janë personazhe njerëzorë dhe i kam trajtuar në mënyrën e tyre të vërtetë e humane si njerëz, projekti i ardhshëm do ketë përsëri personazhe njerëzorë, por të mbërthyer figurativisht në dimensionin e tyre kozmikë. Do lidh astronominë me figurat njerëzore. Është një projekt goxha i madh, ku kanë marrë pjesë dhe 2 fotografë francezë dhe do paraqesim modele të jetës së përditshme që nga roja i një lokali, një miku im që ka pasur një jetë të kaluar të errët të stilit gangster etj. Por për të zbuluar më shumë, duhet të prisni dhe pak.”- është shprehur ai.

Të flasësh për artin nuk mjafton një artikull, prandaj shihemi çdo ditë pranë Hotel Plaza në kat të parë. Nëse më shihni sërish, mos u çudisni sepse shpirti ka nevojë për art që të ushqehet, dhe unë e falenderoj Gëzimin që na e solli kaq pranë, dhe kaq gjatë sepse do jetë deri në datë 1 maj. Dhe… hyrja është falas.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje