Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Historia prekëse e Ganiut në “Dua të të bëj të lumtur”. Si u mbijetoi fatkeqësive në jetën e tij!

Historia prekëse e Ganiut në “Dua të të bëj të lumtur”. Si u mbijetoi fatkeqësive në jetën e tij!
November 12
21:55 2016

Historia e parë e kësaj jave në “Dua të të bëj të lumtur” ishte nga ato histori që të bëjnë të mendosh e reflektosh thellë në lidhje me jetën e raportet me prindërit.
Gani Muho, një i moshuar nga Saranda, i cili është goditur nga fatkeqësi të njëpasnjëshme gjatë gjithë jetës së tij, ishte personazhi kryesor i spektaklit, nëse mund ta quajmë të tillë.

I lindur në një fshat të largët të Sarandës, Ganiu u largua që në moshë fare të re për në qytetin e bukur bregdetar për të vazhduar Akademinë Ushtarake. Aty u njoh me Luljetën, me të cilën u martua dhe u shpërngul në Tiranë.
Nuk kaloi shumë dhe fatkeqësia e parë preku familjen e tij. Djali, në moshë të re, ra në kontakt me një tel elektrik dhe humbi jetën. Si të mos mjaftonte kjo, pak vite më pas, vajza e tyre preku një bimë helmuese, e cila i helmoi trupin e pas pak ditësh, edhe ajo humbi jetën. Kështu, Ganiu dhe Luljeta mbetën vetëm me njëri-tjetrin.

Gjëma ra në familjen Muho sërish në vitin 1997, kur humbën shtëpinë dhe pasurinë, gjë që i detyroi të mbeteshin në mes të katër rrugëve. Çifti u nda, secili shkoi për të jetuar me të afërmit.

Fati e deshi që Ganiu dhe Luljeta të takoheshin përsëri, por këtë herë në shtëpinë e të moshuarve në Tiranë. Por edhe aty fati nuk deshi që çifti të gjente pak paqe, sepse Luljeta u nda nga jeta dhe Ganiu mbeti përsëri vetëm.
Edhe pse pa asnjë familjar, Ganiu arriti të gjente miq të tjerë, një nga cilët është Mona, e cila iu drejtua “Dua të të bëj të lumtur” për t’i bërë një surprizë.

Stafi i “Portokalli”-së vizitoi shtëpinë e të moshuarve ku jeton Ganiu dhe i bëri atij dhe të gjithë të tjerëve aty një surprizë prekëse. Të mbledhur në një tryezë të mbushur me ushqime, aktorët e spektaklit të humorit kënduan një këngë polifonike dedikuar Ganiut, gjë që preku jo vetëm protagonistin e kësaj historie dhe të moshuarit e tjerë, por edhe vetë stafin e aktorëve. Aty ish-ushtaraku kërceu për herë të parë që pas ndarjes nga jeta të të birit.

A u bë i lumtur Ganiu?

“U bëra tetëdhjetë vjeç dhe nuk jam ndierë ndonjëherë kaq i lumtur”, – kjo është përgjigjja e Gani Muhos, i pyetur nga Arbana nëse kanë arritur ta bëjnë të lumtur.
Në më pak se 1 orë, “Dua të të bëj të lumtur” na dha një mesazh më shumë sesa thjesht të rëndësishëm: “Duajini gjyshërit dhe prindërit sepse e meritojnë”. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje