Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Gjithçka që duhet të dini për IHeart Radio Music Awards mbrëmjen e kaluar

April 04
16:29 2016

 

 

Mbrëmjen e kaluar u transmetua IHeartRadio Music Awards nga Inglewood, California dhe ishte një show magjik.

Në tapetin e kuq kanë parakaluar artistë si Taylor Swift, Selena Gomez, Demi Lovato, Meghan Trainor, Calvin Harris, Iggy Azalea, Chris Brown, Jason Derulo, Hozier, të cilët kanë pushtuar vëmendjen e fotografëve me paraqitjen dhe veshjen e tyre.

Nga ana tjetër, performancat kanë qenë ato që i kanë dhënë magji natës. Jason Derulo ka hapur mbrëmjen me këngën e tij të re, “If I Ain’t Love”, kurse Justin Bieber performoi këngën hit “Love Yourself” dhe këngën e tij të re, “Company”. Më pas mbrëmja është nxehur nga Chris Brown me një kolazh nga këngët e tij të fundit, “Liquor”, “Back To Sleep” dhe “Anyway”. Meghan Trainor tregoi se është edhe një repere e zonja me performancën e saj të “No”. Në mbrëmje nuk munguan as shqiptarët, të cilët u përfaqësuan me Bebe Rexhën, e cila dha një performancë mbresëlënëse të këngës “Me, Myself & I”. Zjarrin “e ndezur” nga djemtë, Meghan dhe Bebe e ka “shuar” Demi Lovato me një performancë drithëruese të “Stone Cold”, performancë që e ngriti sallën në këmbë. Ajo që i vendosi kapakun performancave dhe njëkohësisht mbylli dhe shfaqjen ishte Iggy Azalea, e cila i bëri IHeartRadio Music Awards një mbyllje dinjitoze.

Pharrel Williams u ngjit në skenë për t’i dhënë çmimin “The Innovator Award” grupit legjendar U2, të cilët dhanë një fjalim mjaft motivues për të gjitha grupmoshat, por nuk harruan as të kritikonin Donald Trump dhe mbështetësit e tij për dhunën e përdorur në fushatë.
Taylor Swift doli si artistja më e vlerësuar nga IHeartRadio me katër trofe, mes tyre “Artist Of The Year” dhe “Album Of The Year”. Justin Bieber arriti të rrëmbejë dy çmime , “Male Artist Of The Year” dhe “Dance Song Of The Year”, kurse “Song Of The Year” ka shkuar për “Hello” të Adele. “Hotline Bling” e Drake është vlerësuar me “Hip Hop Song Of The Year”, “RnB Artist OF The Year” ka shkuar për Chris Brown, ndërsa kënga RnB ka shkuar për “Earn It” të The Weeknd. Lady Gaga është shpërblyer me “Best Song from a Movie” për ‘Til It Happens To You’. Grupi më i mirë i fansave u rendit ai i Justin, Beliebers.