Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Gjithçka që dimë dhe duam për fenomenin “Tayna”

Gjithçka që dimë dhe duam për fenomenin “Tayna”
January 07
17:04 2019

Ka  shtatë muaj që njihet në tregun shqiptar muzikor dhe ka fituar zemrat e të gjithëve. Bëhet fjalë për Taynën, reperen nga Kosova. Çelësin e suksesit të saj nuk e kemi zbuluar akoma, por le të flasim për të gjithë gjërat që dimë për të, të cilat e bëjnë të veçantë.

Ajo quhet Doruntina dhe vjen nga Prizreni. Gjithnjë e shpreh me krenari këtë fakt dhe koncertin e saj të parë e ka dhënë aty dhe për të, siç është shprehur në “NIN” ka qenë lumturi e madhe.

Pavarësisht se repin e ka dashur që e vogël, vendosi të futej kaq vonë në estradë sepse shkolla ishte prioritet për të, dhe ajo është duke u shkolluar për shkenca kompjuterike. Të themi të drejtën, të pasurit një shkollim dhe një background më të gjerë ndikon pozitivisht sesi ajo shihet nga publiku.

Tekstet dhe vija melodike e këngëve të saj janë të krijuara nga vetë ajo. Kjo i jep origjinalitet asaj çfarë krijon. Madje përvecse bën rep, ajo edhe këndon dhe këtë e shohim dhe te publikimi i saj i parë në Youtube, një mashup i Thirri krejt shoqet dhe Wild Thoughts. Edhe vetë ajo është shprehur që nuk preferon të jetë thjesht rep ose trap, por dicka më ritmike që i afrohet rrymës “Dancehall”. Gjithashtu njihet si artistja spontane e gatshme për freestyle sa herë i kërkohet, dhe kjo s’është dhe aq e përhapur në radhët tona të artistëve.

Për ata që e ndjekin në Instagram, përvec fotove dhe aktivitetit të saj muzikor, ajo është edhe një inspirim. Në storyt e saj shumë shpesh gjejmë shprehje motivuese ku fokusi është tek njerëzit që duhet gjithnjë të ndjekin ëndrrat e tyre dhe mbi të gjitha, të kujdesen për veten. Faqja e saj e preferuar duket se është “Third_eye_thirst”, nga e cila poston shpesh. Gjithashtu, ajo nuk heziton të flasë për anën e saj spirituale dhe sidomos besimin në ligjin e tërheqjes.

View this post on Instagram

#thirdeyethirst

A post shared by Third Eye Thirst (@third_eye_thirst) on

Një tjetër “kontakt” i artistit me publikut janë dhe intervistat, ku Tayna shfaqet gjithnjë e thjeshtë, pa komplekse dhe shumë e qeshur. Të flasësh me aq pasion për atë që bën, ndikon që edhe njerëzit ta shijojnë më shumë artin tënd. Madje, reperja mban po të njëjtin qëndrim dashamirës dhe kur përflitet për “sherret” dhe konkurrencën mes artisteve të tjera.

Ndoshta të gjitha këto kanë bërë që ajo të pëlqehet përtej muzikës së mirë që bën.  Ta vlerësojmë dhe ta duam, sepse na duhet më shumë art i mirë dhe njerëz të bukur nga të gjitha aspektet./Blitz.al/

Komento
Shperndaje