Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Futbollistët e Kombëtares kthehen në modelë

March 24
15:46 2016

...

...
Picture 1 of 4

Federata Shqiptare e Futbollit ka prezantuar sot uniformat e reja të përgatitura nga sponsori “Macron” për paraqitjen në Euro 2016. Ceremonia është zhvilluar në Akademinë e Arteve. Pasi u këndua himni kombëtar nga Kastriot Tusha, futbollistët e kombëtares shqiptare prezantuan uniformat e reja. Në rolin e “modelëve” ata kanë sfiluar në skenën e Akademisë.

Ertrit Berisha ka prezantuar i pari uniformën e portierit dhe pas tij me uniformat dhe veshjet e stërvitjes kanë sfiluar Mërgim  Mavraj, Bekim  Balaj, Shkëlzen  Gashi, Taulant Xhaka etj. Duket se çunat e Kombëtares, përveçse futbollistë të mirë qenkan edhe modelë shumë të mirë. Nuk mund të mungonte pa u ngjitur në skenë edhe kapiteni Lorik Cana, i cili është vlerësuar jashtë vendit për vlerat e tij si model.

“Së pari shpresoj që kjo fanellë e re t’ju pëlqejë siç na ka pëlqyer edhe neve dhe shpresojmë që ta nderojmë gjithmonë siç kemi bërë deri më tani. Jam i sigurt se do të na sjellë fat. Gjëja më e rëndësishme janë simbolet që mbajmë brenda”,- tha Cana.

Gjatë ceremonisë kanë folur përfaqësuesi i “Macron”, trajneri i Kombëtares, De Biasi, dhe presidenti Armand Duka. De Biasi dhe Duka folën me krenari për ekipin e Kombëtares dhe përveç falënderimeve dhe ambicies Duka ka shtuar: “Dua të falënderoj pjesëmarrësit dhe veçanërisht një falënderim për Sektorin e Marketingut në FSHF, jo vetëm për aktivitetin, por edhe marrëdhënien e re të krijuar. Do të doja të falënderoja për arsye specifike edhe publikisht çunat për suksesin që kanë arritur. Faleminderit, na kenë bërë krenarë me rezultatet tuaja dhe këto janë fryt i punës tuaj. Keni bërë krenar çdo shqiptar dhe keni shkruar historinë e futbollit shqiptar. Nëse na çoni më tej në Francë do të na bëni akoma më shumë krenarë”.

Pas prezantimit të uniformave dhe fjalimeve të drejtuesve të federatës, ceremonia është mbyllur me këngën “We are the Champions” në sfond.

Komento
Etiketimet
Shperndaje