Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

“Flutura, Zana, Kapedani…”, të preferuarit tanë në film kanë një version modern

“Flutura, Zana, Kapedani…”, të preferuarit tanë në film kanë një version modern
August 07
16:46 2017

Populli ynë është rritur me filmat e vjetër shqiptarë, madje mund të themi se edhe në jetën e përditshme përdorim shumë batuta që i kemi fiksuar prej tyre. “Rrugë të bardha” “Përrallë nga e kaluara”, “Flutura në kabinën time”, “Shote Galica”, “Kapedani” e shumë e shumë filma të tjerë mbeten ndër pasuritë më të mëdha që ne shqiptarët kemi në kinematografinë tonë. Shumë të dashur për ne janë edhe personazhet e tyre, sidomos protagonistët, të cilët mund të themi se në këto filma kanë luajtur rolin e jetës.

Shumë nga ato personazhe, por versionin e tyre modern, ne i kemi edhe aktualisht, madje i ndjekim gjatë gjithë kohës në ekranin shqiptar. Nuk po flasim aspak për aktorë, por për këngëtarë e modele të cilët në një farë mënyre na kanë ngacmuar kujtesën me një detaj, aq sa ne t’i krahasojmë për një moment me personazhet e këtyre filmave.

E mbani mend historinë e Dedës dhe Zanës në filmin “Rrugë të bardha”?

Një djalë i ri, Deda, i mbushur me entuziazmin e moshës dhe dashuri për punën, endet përgjatë linjës telefonike duke kërkuar shkëputjen.

Nga ana tjetër është edhe vajza që punon në central, Zana,  e luajtur nga aktorja e njohur e cila u nda nga jeta pak muaj më parë Elida Cangonji. Pak ditë më parë, Fjolla Morina publikoi një foto në të cilën shfaqej e shtrirë në vaskën bosh, me rroba, dhe duke përdorur kokën e  dushit si një telefon. Duke e parë kështu Fjolla të jep idenë e Zanës moderne, edhe pse “Dedën” me të cilin flet nuk ka dashur ta zbulojë.

“Ja ligji, ja dhe Maliqi!”- ka qenë një nga shprehjet që kushdo që ka parë “Përrallë nga e kaluara” besojmë se e mban mend. Maliqi ishte përfaqësuesi i shtetit në filmin e njohur, kryetari i komunës, i cili si të gjithë djemtë e fshatit ishte i dashuruar pas Marigosë, vajzës që ishte martuar me djalin 14-vjeçar, Gjinon. Një ngjashmëri me Maliqin, më tepër fizike, vërehet te reperi i njohur shqiptar Elinel. Edhe Elinel, njësoj si ky personazh i njohur i filmit, mban mustaqe, një detaj që menjëherë bën lidhjen mes tyre.

Shote Galica është një nga gratë më të njohura shqiptare, heroinë e popullit tonë. Ishte luftëtare e shquar e çetave kryengritëse kosovare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare. Një detaj karakteristik i imazhit të saj ishin dy gërshetat e gjatë, të cilët vetëm pak ditë më parë i pamë edhe tek modelja e njohur shqiptare Emina Çunmulaj. A nuk është ajo versioni i saj modern?

“Flutura në kabinën time” ka qenë një ndër filmat më të bukur shqiptarë. Të gjithë besojmë se e mbani mend historinë e dashurisë mes Tomës, djalit rebel dhe të cilësuar si i sertë nga shoqëria, por që ushqen një ndjenjë afeksioni të veçantë ndaj Fluturës, mësueses së biologjisë. E mbani mend si dukej Flutura në film? E luajtur në mënyrën më perfekte nga aktorja Luiza Xhuvani, ajo ishte një vajzë e urtë, me flokë të shkurtër dhe mjaft e rezervuar. Pikërisht duke parë Instagram-in e Rona Nishliut bëmë lidhjen e saj me personazhin. Në një foto të publikuar, një moment këngëtarja të jep imazhin e Fluturës, mësueses. Ndoshta kjo ndikuar dhe nga look-u i ngjashëm dhe shkrepja e fotografisë pranë tabelës “Shëtitorja Sami Frashëri”.

Nuk është e vështirë të gjesh një “Kapedan”, një xha Sulo thënë më mirë, si personazhi në filmin me të njëjtin titull. Sot showbiz-i shqiptar ka shumë meshkuj me mjekër, por Landi i West Side Family na e ka bërë paksa më të thjeshtë përzgjedhjen. Në një postim të pak ditëve më parë ai e krahason veten me xha Sulon, duke marrë të njëjtin pozicion qëndrimi dhe duke përdorur të njëjtat fjalë si ai, si te ky postim. “Kush  je ti moj drejtorevica?”- shkruan ai./Blitz.al/

Share