Blitz

 Breaking News

Fjalimi emocionues i Alketa Vejsiut në Sanremo është pasqyrë e pastër e Shqipërisë së dikurshme

Fjalimi emocionues i Alketa Vejsiut në Sanremo është pasqyrë e pastër e Shqipërisë së dikurshme
February 07
10:29 2020

Moderatorja shqiptare mbrëmjen e djeshme bëri realitet ëndrrën për t’u ngjitur në skenën prestigjioze të Sanremos. Alketa Vejsiu prezantoi krahas Amadeusit, duke lënë pa fjalë me shkathtësinë dhe rrjedhshmërinë në të folur të gjithë shikuesit e festivalit të mirënjohur.

Alketa prezantoi por edhe këndoi në Sanremo.  Ajo kishte zgjedhur të këndonte një nga këngët më të bukura dhe të preferuarën e babait të saj.

“Una lacrima sul viso” ishte një këngë e kënduar nga Bobby Solo, i cili iu bashkuar moderatores shqiptare realizoi një duet me Alketa Vejsiun, i fundit i mbrëmjes së tretë të festivalit.

Por tejet emocionues ka qenë dhe fjalimi i saj ose më saktë historia e saj. ALketa foli për SHqipërinë, për shqiptarët dhe pasionin e tyre për të ndjekur televizionin italian në vitet e komunizmit.

“Na ishte një herë një vend ku të dëgjoje Baglioni-n dhe Celentano-n ishte e ndaluar. Bëheshe armik i popullit. Mund të të kushtonte lirinë, mund të përfundoje në burg.

Na ishte një herë një vend, ku të ishe bionde, ishe e dyshuar, sepse bionde ishte Raffaella Carrà.

Na ishte një herë një vend, ku mësohej italishtja duke dëgjuar çdo minutë transmetimet e Rai-t, ku Sanremo ishte gjithmonë Sanremo, edhe kur ishim të detyruar ta ndiqnim fshehurazi, pasi kishim mbyllur mirë dyert dhe dritaret.

Duket absurde, por ky ishte vërtet çmimi që duhet të paguaje, nëse jetoje në vitet e diktaturës.

Unë jam sot këtu për të thënë faleminderit. Faleminderit Itali, që mbajte ndezur ëndrrat tona në atë epokë të errët. Sepse ju nuk na braktisët kurrë. Nuk e bëtë kur kishim nevojë, kur merrnim anijet për të kaluar kufirin, në mënyrë që të kishim, më në fund, mundësinë për të jetuar.

Faleminderit Itali, sepse na ke dhënë shumë. Ke ndriçuar rrugën tonë me kulturën, artin, bukurinë dhe muzikën tënde.

Nëse jam sonte këtu, në këtë skenë, është për të thënë faleminderit Sanremo, sepse për të gjithë ne që të kemi ëndërruar përtej detit, nuk je vetëm tempulli i këngës, por edhe një simbol. Një shembull integrimi, ku një djalë i ri, i nisur me anije, që zbarkoi këtu në Itali, realizoi atë që mund të dukej e pamundur, të fitonte festivalin. Ai djalë që është tanimë një emër i madh i muzikës italiane, quhet Ermal Meta. Me fitoren e tij në vitin 2018, ai ekzaltoi shpirtin dhe krenarinë e shqiptarëve.

Ne nuk bëjmë gjithmonë tifo për muzikën tuaj, por për gjithçka që ju përket.

Ne, edhe në botërorin e futbollit, sa herë që të kaltërit shënojnë gol, e shohim si një gol edhe për ne.

Muzika nuk i njeh kufijtë që ndajnë popujt dhe kombësitë.

Muzika nuk ndërton mure dhe nuk krijon diga.

Muzika nuk ka nevojë për pasaporta, flamuj, thjesht përhapet dhe i këndon dashurisë, ëndrrave, jetës dhe na mëson të fluturojmë.

Sot që vendi im është pjesë e familjes së madhe europiane, unë fluturova për këtu, për të qenë brenda ëndrrës sime.

E ndërsa flas, më vjen në mendje ajo vajza e vogël që pyeste të atin pse e donte kaq shumë një këngë që Bobby Solo e kishte kënduar këtu, “Una Lacrima sul viso”. Im atë më tregoi se teksti fliste për një lot që dilte nga një zemër e thyer që rritet e bëhet një det. Unë asokohe iu përgjigja me naivitetin e një fëmije: “Ah, ja pse loti është i kripur!”

Për mua ai lot u bë metafora që la shenjë në fëmijërinë time, me tragjedinë e përsëritur të kanalit të Otrantos, që mori jetë njerëzish, të mbytur në shpresën e të gjeturit në kufi “tokën e premtuar”.”

Share