Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Finalja e “YFSF”, do të shohim sërish fytyrat e këngëtarëve tanë?

June 06
20:25 2016

Adelina Tahiri -Elena Paparizou?

Adelina Tahiri -Elena Paparizou?
Picture 1 of 12

U bë ‘rutina’ e shumë teleshikuesve: mbrëmja e së hënës i përkiste “Your Face Sounds Familiar”! Spektakël i cili sonte në mbrëmje ka edhe puntatën e tij të fundit.

Mendimi që disa këngëtarë apo personazhe të ‘showbiz’-it shqiptar do të performonin (në të gjitha kuptimet) si artistë të huaj të famshëm i emocionoi të gjithë.

Javë pas jave kemi parë paraqitje shumë interesante, të pjesëmarrësve që detyrohen të ndryshojnë tonin e zërit, të ndryshojnë komplet karakter apo edhe të ndryshojnë gjini në funksion të personazhit të cilin kanë marrë përsipër të imitojnë. Pa vënë në dyshim që shumë nga paraqitjet në skenë të javëve që kemi parë kanë qenë të mira, ajo që në fakt të lë një ‘shije të hidhur’ janë performancat ku një prej personazheve imiton vetëm në detaje të vogla artistin e famshëm. Pothuajse çdo javë kemi parë konkurentë të këtij formati të dalin me fytyrën e tyre origjinale.

Të kuptohemi, askush nuk pretendon ndërhyrje kirurgjikale alla Michael Jackson po edhe të shohim këngëtarët që bëjnë “cover”-a sikur nuk shkon.

Këtu mund të përmendim interpretimet e Adelina Tahirit të cilës çuditërisht i kanë qëlluar vetëm këngëtare sexy që i ka imituar me fytyrën e saj dhe me ndonjë paruke në kokë (përveç Sabri Fejzullahut). Disa herë edhe performancat e Anxhela Peristerit. Dikush më shumë e dikush më pak del më tepër si vetja, se sa si personazhi që do të interpretojë. Këtu na duhet të përjashtojmë Rozana Radin e cila në këtë spektakël ka treguar se mund të bëjë transformime drastike. Megjithatë edhe Rozi, Shakirën e imitoi me fytyrën e saj. Kastro Zizo ka pasur performanca të ngjashme me personazhet, sidomos Azis apo Choncita. Endri Prifti ka bërë ndryshime në pamje gjithashtu. Por nese do te flitet me pas për këtë spektakël, e sigurt është që publiku do të kujtojë Rozin dhe jo vetëm për përshtatjen me personazhet por edhe për humorin e për guximin në paraqitje që ka treguar javë pas jave.

Sigurisht që nuk janë vetëm konkurentët ata që duhet të ndihen ‘në faj’ për këtë gjë. Produksioni duhet ta vinte si rregull ngjashmërinë e plotë me personazhet që imitojnë. Jo pak herë na vjen të mendojmë se më shumë në rol ka qenë Bleona Qereti, që më ndryshimin e ‘look’-ut të saj ka ardhur çdo javë ndryshe, se sa vet konkurentët.

Gjithsesi, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim edhe pak orë për të parë se kush ka guxuar më shumë, duke qenë se kjo është mundësia e fundit për këtë sezon, e cila do t’i vërë vulën gjithë ecurisë. Sigurisht që dëshira jonë është që të mos dëgjojmë më fraza të tipit: “I ngjan më shumë Angela Merkel-it, se sa Elton John-it!”, me të cilën Arjan Çani iu drejtua Anxhela Peristerit.

Duhet të kuptojmë diçka: Kur thuhet “Your Face Sounds Familiar”, është për fytyrën e personazheve shqiptarë që janë në garë çdo të hënë, apo për personazhet e famshëm që imitohen?

Të shohim cili do të fitojë sonte! Le të shpresojmë të mos jetë dikush që ka dalë më shumë me fytyrën e tij/saj!

Komento