Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Era Istrefi (Sony) VS Eneda Tarifa (Eurosong)

Era Istrefi (Sony) VS Eneda Tarifa (Eurosong)
May 09
11:57 2016

Pak ditë na ndajnë nga gjysmëfinalja e parë e festivalit europian të këngës, Eurosong, ku Shqipëria përfaqësohet me këngën “Fairytale” të Eneda Tarifës. Ndërkohë, teksa presim performancën e Enedës, Era Istrefi ka filluar të korrë një super sukses me këngën e saj, “BonBon”, që i solli edhe një kontratë me kompaninë diskografike “Sony”.

Aktualisht, në tregun europian Shqipëria po tregton dy produkte cilësore, paçka se janë krejtësisht të ndryshme në stil, Erën dhe Enedën. E para është nën kujdesin e “Sony”-t dhe e dyta nën patronazhin e Eurosong-ut.

Nëse shohim nga Era dhe “Sony” kemi të bëjmë me një mbështetje dhe marketing maksimal. Ajo po punon në projekte të reja me producentë të njohur të industrisë muzikore europiane dhe amerikane, kënga e saj po transmetohet pothuajse në çdo radio, madje parmbrëmë performoi në një nga televizionet më të ndjekura gjermane, Pro7.

Kurse nga ana tjetër kemi Enedën, një vokal unik, që është marrë në patronazh nga RTSH. Deri tani Eneda ka performuar vetëm në disa shtete për të promovuar këngën “Fairytale”.

Nëse do t’i krahasojmë të dyja do të shohim një disnivel. Kjo jo për shkak të nivelit të artisteve, pasi Era dhe Eneda janë të talentuara, por për shkak të menaxhimit dhe marketingut që bëhet nga ata që i kanë në patronazh.

Rasti i Erës dhe kontratës së saj me “Sony”-n po hedhin poshtë “përrallën” Eurosong. Tanimë këngëtarët shqiptarë nuk kanë pse ta shohin Eurosong-un si majën e karrierës apo trampolinë për diçka më tepër, por thjesht një eksperiencë (jo e domosdoshme). Ndërkohë, ajo për të cilën kanë nevojë është thjesht të punojnë fort, për të çarë në tregun e huaj me kompani si “Sony”, “Columbia”, “Ultra” dhe simotrat e tyre. Dhe padyshim që për këtë duhet shumë punë, por edhe pakëz fat…

Komento