Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Enca dhe Era, ish-miket përballë njëra-tjetrës

Enca dhe Era, ish-miket përballë njëra-tjetrës
February 25
15:16 2017

Enca Haxhia dhe Era Istrefi aktualisht janë dy nga këngëtaret më të suksesshme, të cilat e kanë shtrirë famën e tyre edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Brenda dy vitesh, kurba e tyre e suksesit ka pësuar rritje të dukshme, gjë që ka bërë që projektet e tyre të shënojnë dhe rekord klikimesh në Youtube. Por si janë shfaqur ato përherë të parë në publik? Sa e vështirë  apo e lehtë ka qenë për to të nisin një karrierë nga hiçi për të arritur më pas majat?

Në cilat pika bëhen bashkë emri i Erës dhe Encës dhe ku ndryshojnë këngëtaret nga njëra-tjetra?

Enca fillimisht përballjen e parë me publikun e ka pasur në konkursin e zërave “The Voice of Albania”, një kapitull jo aq mirë i hapur pasi 4 trajnerët e atëhershëm nuk e kthyen karrigen për ta pranuar në këtë kompeticion. Fama për Encën nuk ka qenë edhe aq e lehtë, pasi asaj i është dashur të punojë shumë për të arritur këtu ku është sot. Daljen e parë në publik si këngëtare ajo e ka pasur në “Kënga Magjike”, në bashkëpunimin e saj me reperin Big Basta, me këngën “All That”, ndërsa kulmi i suksesit të saj ka qenë projekti “A po t’pëlqen”.

Ky hit pushtoi “club”-et jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë trevave, aq sa ndonjëherë është thënë se Enca fansat më të shumtë i ka arabë. Menjëherë pas këtij suksesi, Enca u bë pjesë e labelit “OTR” duke u shfaqur gjithnjë e më shpesh në krah të reperit me të cilin ka pasur edhe një bashkëpunim, një ndër këngët më të dëgjuara shqiptare “Bow Down”.

 

Nga ana tjetër, Era Istrefi ka pasur impakt të menjëhershëm në publik, pasi u bë e famshme me këngën e parë, “Mani për Money”, produksion i “ThreeDots”. Deri në atë kohë të gjithë e quanin motra e Nora Istrefit, por nuk vonoi shumë që gjërat të ndryshonin, aq sa të gjithë ta njihnin Norën si motrën e Erës. “Bon Bon” është kënga më e klikuar shqiptare (315 milionë klikime në Youtube), e cila pushtoi të gjitha radiot në botë dhe padyshim i hapi dyert Erës në tregun muzikor ndërkombëtar.

Sigurisht që në karrierën e saj nuk kanë munguar edhe bashkëpunimet, njëri prej të cilëve ai me Ledri Vulën është konsideruar hit i padiskutueshëm, kënga “Shumë pis”. Era gjithnjë është përmendur si një këngëtare stili, kjo për shkak të mënyrës së veçantë të të kënduarit.

Enca dhe Era nuk kanë eksperimentuar  vetëm në muzikë, por edhe në look. Era fillimisht u dallua jo vetëm për mënyrën e të kënduarit, por edhe për flokët e saj me rrasta të gjata.  Një herë të verdhë, jeshilë, rozë dhe të zinj, edhe pse të gjitha herët asaj i kanë shkuar shumë. Enca gjithnjë i ka mbajtur flokët e gjatë, por ka eksperimentuar me ngjyrat: brune, bionde, kuqe etj.

Kujtojmë se Enca dhe Era kanë qenë mike kohë më parë, edhe pse duhet ta pranojmë se që në fillimet e tyre janë konsideruar në konkurrencë me njëra-tjetrën. Të dyja kanë pothuajse të njëjtën moshë. Njëra krah Noizy-t e tjetra krah Ledrit, bashkëpunimi me reperat më në zë të momentit ka qenë një strategji mjaft e vlefshme për to.  Më herët një puthje e tyre në buzë bëri bujë në rrjete sociale, madje edhe sot vazhdon të përmendet edhe pse aktualisht dy këngëtaret nuk flasin me njëra-tjetrën.

Një nga gjërat që i bën bashkë Erën dhe Encën është suksesi ndërkombëtar. Të dyja kanë nënshkruar kontratë me dy nga kompanitë më prestigjioze të tregut muzikor botëror, Enca me “Universal Group”, ndërsa Era me “Ultra Music”.

Çdo këngë që ato publikojnë konsiderohet sukses. Së fundmi Enca ka publikuar këngën “Love on my body”, projekti i saj i parë me “Universal”, ndërsa Era Istrefi ditën e djeshme lançoi “Redrum” një bashkëpunim me “Ultra Music”, suksesi i të cilës u pa që në 24 orët e para duke kaluar 1 milion klikime.

Këngëtaret shqiptare janë gjithashtu të ndjekura në rrjetet sociale. Enca numëron plot 1.4 milionë ndjekës në Instagram, ndërsa Era mbi 800 mijë të tillë.

Të suksesshme padyshim, konkurrente dhe në kulmin e karrierës së tyre, Era dhe Enca mund të themi qartë se kanë arritur të lënë gjurmët e tyre në muzikë, edhe pse duhet ta pranojmë se do të vazhdojmë të dëgjojmë për sukseset e tyre./Blitz.al/

Komento
Shperndaje