Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Ekskluzive) Zefina Hasani largohet nga “The Voice”. Nuk shkel mbi parimet e mia. Ledri, i papranueshëm në një spektakël ku këndohet “live”

April 08
21:21 2016

Ështe vënë re një “betejë” virtuale midis autores Zefina Hasani dhe drejtuesit artistik të “The Voice” Alban Males, që nisi pikërisht në momentin kur ky i fundit publikoi një foto me këngëtarin Ledri Vula gjatë provave, duke lajmëruar publikun për të ndjekur Ledrin në spektaklin e sotëm, nën diçiturën: “Me zë dhe figurë sot në “The Voice of Albania”, i ftuar Ledri Vula”

Ky ka qenë pikërisht momenti kur edhe Zefina Hasani, producentja e “The Voice”, ka bërë publike mosdakordësinë e saj për ftesën që i është bërë Ledrit, duke e nisur shkrimin në një status në profilin e saj në Facebook me kundërvënie të drejtpërdrejtë ndaj asaj çka kishte shkruar më parë Male. “Pa zë dhe me figurë”, – ka shkruar Zefina Hasani për Ledrin, pak përpara fillimit të gjysmëfinales së mbrëmjes së sotme, duke shpjeguar më pas dhe arsyet që ka ajo për mospëlqimin ndaj ftesës që i është bërë këngëtarit për të qenë i pranishëm, si i ftuar special, në një spektakël ku i pari vlerësohet zëri dhe skeptizimin me të cilin ajo e pret performancën “live” të Ledrit, të cilin ajo e quan pa zë.

Zefina Hasani përpiqet gjithashtu të theksojë sesa i rëndësishëm është zëri në këtë program dhe se Ledri është thjesht një këngëtar performues, gjë që publiku e di mirë dhe e pëlqen për këtë gjë, por nuk mund të ftohet një këngëtar performues në një moment gjysmëfinaleje, ku konkurrentët janë të një niveli të lartë për sa i përket vokalit.

Menjëherë pas këtij lajmi, në redaksinë tonë erdhën informacione, sipas të cilave Zefina ishte larguar nga “The Voice” dhe nuk do të ishte sot dhe as natën finale pjesë e spektaklit. Blitz.al ka arritur të kontaktojë me producenten dhe autoren Zefina Hasanin dhe t’i marrë kësaj të fundit një deklaratë ekskluzive, ku ajo bën me dije për herë të parë se është larguar nga projekti. “Po, është e vërtetë, nuk jam më pjesë e ‘The Voice”. Më dhanë urdhër që të mos  qëndroja sot në spektakël”. Ajo thotë se arsyet për largimin e saj janë “parimet dhe profesionalizmi, sepse kur ke një pozicion të caktuar në një projekt, ato duhen respektuar, jo të kesh aty emrin dhe mos të të respektojnë mendimet dhe parimet. “Atje s’ka më rregulla dhe unë vendosa të ruaj emrin e profesionalizmin tim. Nuk lejoj askënd të shkelë parimet dhe emrin tim”, – ka thënë Zefina për Blitz.al. Ndërkohë që sa për statusin e publikuar më parë ajo shprehet:  “Në status shpreha mendimin tim, siç e kam thënë hapur gjithmonë, sepse nuk mund të pranoj për sy e faqe atë që bie ndesh me rregullat e mia në punë. Kështu kam bërë kudo ku kam punuar….”

 

Etiketimet
Shperndaje