Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Ekskluzive) Xhino dhe Enxhi mes luksit, dashurisë dhe tradhtisë

(Ekskluzive) Xhino dhe Enxhi mes luksit, dashurisë dhe tradhtisë
June 21
10:01 2016

E mbani mend Enxhi Nasufin? Epo, tanimë ajo nuk ka ardhur për të “kërkuar ndihmë”, por ka bashkuar forcat me Xhinon, për të sjellë një këngë që do t’ju shoqërojë gjatë gjithë verës.

“Black diamonds” titullohet kënga, në videon e së cilës Xhino dhe Enxhi  shfaqen në formë më se të mirë.

Një vilë luksoze dhe një jaht në bregdet – janë këto skenat në cilat zhvillohet i gjithë klipi.

Kontaktuar nga Blitz.al, të dy këngëtarët e rinj janë “rrëfyer” rreth klipit dhe këngës së tyre.

“Kënga për mua është shumë e veçantë sepse, përpos faktit që është bashkëpunimi im i parë dhe ai është me Xhinon, është një projekt në të cilin kemi dhënë shumë nga vetja. Kemi punuar për një kohë të gjatë dhe kemi investuar aq shumë sa kemi kaluar edhe net pa gjumë. Por më në fund gjithçka u realizua ashtu siç e prisnim. Tani mbetet në dorën e publikut ta shijojë., – shprehet Enxhi.

Ajo gjithashtu ka shtuar se gjithçka është bërë që njerëzit  jo vetëm ta dëgjojnë këngën, por edhe ta ndiejnë si pjesë të tyre dhe të mund ta këndojnë sikur vargjet të ishin shkruar nga ata.

Ndërkohë Xhino na ka treguar edhe diçka më shumë rreth fabulës së këngës.

“Ideja e kësaj kënge është të tregojë realitetin e hidhur të një mashkulli, i cili, duke i pasur xhepat dhe llogaritë bankare plot e përplot me para, nuk është i aftë as t’i rezistojë tundimit për të provuar femra nga më të ndryshmet e t’i qëndrojë besnik femrës që ka në krah, edhe pse ajo e do fort dhe nuk tërhiqet nga paraja, por nga dashuria”, – shprehet Xhino për Blitz.al. “Dhe në klip, rolin e atij zotërisë e luaj unë, kurse Enxhi luan rolin e vajzës që nuk tërhiqet nga paraja apo luksi, por i qëndron besnike dashurisë”.

Dy këngëtarët e rinj shprehen se donin të sillnin një produkt muzikor me një melodi, tekst dhe klip të mirë, që jo vetëm do të shoqërojë verën e shqiptarëve, por do t’i bëjë të ndihen mirë: “Qëllimi ynë ishte të sillnim diçka të mirë për veshët dhe për sytë njëkohësisht. Shpresoj t’ia kemi arritur”.

Ne ju sugjerojmë të lini ç’keni në duar dhe të shihni “Black diamonds” sepse të gjitha gjasat janë që t’ju pëlqejë.

Etiketimet
Shperndaje