Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Ekskluzive) Rozana Radi: Kush e mbron të drejtën time?

(Ekskluzive) Rozana Radi: Kush e mbron të drejtën time?
April 13
18:50 2016

Nëpërmjet një postimi në profilin e saj në Facebook, këngëtarja Rozana Radi ka dashur të shprehë një shqetësim që prej vitesh ka prekur shumë artistë dhe jo vetëm: e drejta e autorit!

Me sa mund të kuptojmë nga fjalët e Rozit, e cila spikat edhe me talentin e saj në shkrimin e teksteve, ajo duket jo pak e revoltuar. E kontaktuar nga Blitz.al, Rozana ka sqaruar edhe më mirë atë që ka shkruar:

“Edhe pse këngëtarët i paguajnë këngët shumë shtrenjtë, kompozitorët marrin përqindje përfitimi edhe më pas prej klikimeve. Në qoftë se është kështu, atëherë pse mos të marrin dhe tekstshkruesit? Duhet bërë gjithçka me kontratë që në fillim, në mënyrë që metodat e përfitimit të jenë të qarta për të gjithë. Kur unë e paguaj këngën shtrenjtë, pse duhet të vazhdojë të marrë ende përfitime kompozitori (të cilin e kam paguar një herë) dhe të mos marrë ai që ka shkruar tekstin? Kush e mbron të drejtën time si autore? Përse ne i dëgjojmë këngët tona, për të cilat kemi paguar, të kënduara edhe në karaoke?  Nuk është normale që nga blerja e të drejtës së përdorimit të këngëve unë nuk marr asnjë përfitim. Mund të ketë tri mënyra për të zgjedhur. Nëse teksti im është blerë shumë shtrenjtë dhe më thuhet që në fillim që kjo është pagesa finale; nëse më paguhet më pak dhe përfitoj përqindje më pas ose mund ta shkruaj edhe falas nëse përfitimi do jetë i favorshëm. Nëse do të kisha një kontratë, e cila më tregon që ka tri shkallë pagese, do të isha më e lumtur dhe nuk do të acarohesha të dija se nga të gjitha këngët që kam shkruar vazhdon përfiton vetëm kompozitori”.

Në fakt, e drejta e autorit është një çështje e diskutuar shumë së fundmi, për të cilën është prezantuar edhe projektligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të, i cili kërkon të rinovojë ligjin që qëndron në fuqi që prej vitit 2005.

Ende nuk mund të themi me siguri se për cilët persona e ka fjalën konkretisht Rozana Radi, pasi nuk ka dashur të përmendë emra, ama zgjidhja më e mirë në raste të tilla abuzimi është që të kontaktohet drejtpërdrejt zyra ligjore përkatëse, aq më tepër në një rast si ky, ku tekstet janë të gjitha të regjistruara.
Kjo do të shërbente për të gjithë artistët për të mbrojtur punët e tyre që të mos bien pre e abuzimit.

Rozi status

 

Komento