Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Ekskluzive) Reagon Altin Basha: “Portokalli” nuk ironizon shqiptarët e Kosovës, por ata që mendojnë se nuk jemi një komb

(Ekskluzive) Reagon Altin Basha: “Portokalli” nuk ironizon shqiptarët e Kosovës, por ata që mendojnë se nuk jemi një komb
November 10
15:08 2016

Mediat kosovare kanë shkruar sot se një nga programet më të ndjekura të humorit, “Portokalli”, ka fyer kosovarët, duke u kushtuar një këngë të gjithë përkrahësve të tezës për krijimin e një kombi kosovar. Sipas tyre, në këngën e korit të “Portokalli”-së janë përdorur shprehje fyese në drejtim të kosovarëve. Duke marrë shkas nga një lajm i tillë, Blitz.al ka kontaktuar me regjisorin e programit, Altin Bashën, i cili ka sqaruar qartë se nuk është e vërtetë.

“Po shoh se këta po përpiqen të manipulojnë opinionin. Nuk ironizojmë kosovarët, por analistët që i fryjnë idesë së kombit kosovar”,- është shprehur Altin Basha për Blitz.al. “E rëndësishme është që shohin “Portokalli” dhe përgjigjja ndaj tyre gjendet pikërisht në tekstin e korit”,- ka shtuar regjisori i show-t më të ndjekur të humorit.

Kujtojmë se “Portokalli” gjithmonë i ka mbështetur shqiptarët e Kosovës me anë të problematikave të ndryshme që i ka trajtuar shpesh, por edhe me pjesëmarrjen e aktorëve të Kosovës në program.

Vërtet jemi dy shtete, por kurrsesi nuk mund të jemi dy kombe, sepse shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës janë një komb. Nëse i referohemi performancës së korit në spektaklin e së dielës, në përfundim të këngës së  korit, një vogëlushe ka kënduar duke e përmbyllur me këto fjalë këngën: “Jam Kosovë e Shqiptarisë, 100 vjet i thërras lirisë… Mallkuar kush s’na do bashkë!”

Ky tekst nuk mund të jetë kurrsesi fyes për asnjë shqiptar të Kosovës apo Shqipërisë. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje