Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Ekskluzive) Aurela Gaçe: “Dhurova se s’mund të qëndroja duarkryq përballë këtij tmerri!”

(Ekskluzive) Aurela Gaçe: “Dhurova se s’mund të qëndroja duarkryq përballë këtij tmerri!”
July 14
15:55 2016

Të gjithë e dimë që Aurela Gaçe është një nga artistët e pakta në Shqipëri që është e ndjeshme ndaj fenomeneve të ndryshme sociale.

Rasti i fundit është ai i fëmijëve të sëmurë me leucemi që protestuan javën që kaloi para shërbimit të pediatrisë në QSUT. Aurela nuk është mjaftuar thjesht duke i mbështetur në rrjete sociale, por ka marrë edhe hapa konkretë për t’u ofruar ndihmën e nevojshme në para.

Blitz.al kontaktoi me Aurelën për të mësuar më shumë rreth këtij veprimi human dhe ajo është shprehur: “Unë pashë kronikën e nënës në televizor dhe u preka shumë nga ajo që pashë sepse jam nënë vetë dhe e kuptoj tërësisht vuajtjen e asaj nëne, e cila është vetëm 20 vjeçe. U ndjeva keq teksa shihja një jetë të re të shuhej para se të niste mirë rrugëtimin. Kërkova numrin e nënës në fjalë dhe dhurova ato para që i nevojiteshin për të kuruar të birin, pra për një dozë që ndahet në 5 kura”.

Aurela shprehet gjithashtu se e bën për diçka tepër të madhe: “Është e tmerrshme ajo që ndodh me këta fëmijë. Edhe pse janë të sëmurë e në gjendje kritike, përsëri nuk u ofrohet shërbimi i duhur shëndetësor. Spitali nuk ofron dot ilaçe dhe vendi i vetëm ku mund të gjesh kurat janë farmacitë, të cilat e shesin kurën shumëfish më shtrenjtë. Kalvari vazhdon akoma; prindërve u duhet vetëm një dozë nga ilaçi, ndërkohë që farmacia e detyron të blejë të gjitha dozat e paketimit. Dhe nëse vijmë te çmimi pastaj, do të shohim që shifrat i kalojnë mundësitë e prindit. E ç’mund të bëjë prindi? Asgjë, përveçse të shohë fëmijën teksa vuan. A ka dhimbje më të madhe sesa kjo? Unë them se jo!”.

Kjo nuk është hera e parë që Gaçe jo vetëm sensibilizohet me njerëzit në nevojë, por edhe dhuron të ardhurat e saj personale për këtë kategori personash. Ky gjest vjen edhe pas një koncerti që Aurela, bashkë me një grup këngëtarësh të tjerë, ka mbajtur për të mbledhur të ardhura për fëmijët e QSUT-së.

“E bëj këtë dhe ndonjëherë edhe e shpërndaj, por e shpërndaj kur shuma është stratosferike dhe as unë s’e përballoj dot (operacione, për shembull),  sepse dua të bëj atë që shteti dhe pushtetarët nuk munden të bëjnë. Gjithashtu dua të sensibilizoj të gjithë ata që janë artistë dhe e mbajnë veten si të tillë, të bëjnë diçka sado të vogël për ata që s’munden. Është më e pakta që mund të bëjmë. Dua personalisht të falënderoj dhe u jam mirënjohëse atyre personave që dhurojnë sa herë që unë postoj lajmërime të tilla nga të ardhurat e tyre personale. Këto janë gjeste që na bëjnë njerëz të mirë ”, – shprehet artistja ekskluzivisht për Blitz.al.

Përballë këtij gjesti s’kemi ç’themi tjetër veçse: “Mirënjohje!”

 

Shperndaje