Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Binjaket Olsen dhe Jennifer Aniston kundër Instagram-it

Binjaket Olsen dhe Jennifer Aniston kundër Instagram-it
April 18
18:10 2016

Mary-Kate dhe Ashley Olsen për një javë të tërë morën përsipër Instagram-in e kompanisë “Sephora” për të promovuar degën e re të Elizabeth dhe James. Në këtë rrugëtim njëjavor ato bënë diçka ndryshe nga e zakonshmja e tyre, postuan një selfie!

Binjaket Olsen, që tanimë janë 29 vjeçe por kanë qenë shumë të njohura që kur kanë lindur pasi kanë fituar role në filma të ndjekur botërisht, janë munduar që prej 10 vitesh të qëndrojnë larg çdo kamere apo syri kureshtar dhe ta jetojnë jetën siç duan ato. Nga aktrimi ato janë zhvendosur te moda, por pavarësisht gjithë ndryshimeve në jetët e tyre diçka ka mbetur e njëjtë: ato nuk i duan aspak rrjetet sociale dhe nuk kanë profile në to.

Një tjetër emër i madh që nuk i ka preferuar asnjëherë rrjetet sociale është Jennifer Aniston, e cila në një rrëfim për “People” tha se edhe kur provoi të hapte vetëm pak ditë një profil në Instagram, ndjente aq shumë presion dhe konfuzion saqë kishte momente kur i dilnin djersë të ftohta nga gjithë ato komente.

Nëse ju duket çudi që këto personazhe kaq të dashura mund të qëndrojnë larg rrjeteve sociale, duhet të kujtoni që si binjaket, ashtu edhe Jennifer Aniston kanë qenë të famshme edhe përpara se këto rrjete sociale të bëheshin virale. Fama e tyre nuk bazohet te dhënia e disa informacioneve private nëpër profile Instagram-i, ndaj dhe ato nuk ia ndiejnë aspak nevojën.

Mendoni për një çast se pse ju nevojitet Instagram-i. Për të postuar lëngun e frutave që përgatitët për mëngjes? Apo të tregoni se si stërviteni në palestër? Ju keni blerë një çantë të re dhe doni ta festoni me ndjekësit tuaj?

Të gjitha këto arsye bëjnë sens për ju, sigurisht. Por nëse do të kishit prapa gazetarët e revistave më me emër për të marrë vesh se çfarë vishni, si ushqeheni, çfarë keni blerë, a do t’ia vlente që ta bënit vetë këtë gjë në Instagram?

Jetët e tri bukurosheve janë të tejmbushura me njerëz realë, që interesohen masivisht për to e për gjithçka ato bëjnë, ndaj nuk është e nevojshme që ato të lodhen për këtë pjesë. Ato e kanë ndier famën, bukurinë e të qenit në qendër të vëmendjes dhe i gjithë kurioziteti për këto gjëra u ka kaluar me kohën.

Ju do të thoni që një arsye e mirë për to për të qenë në Instagram do të ishte për të kënaqur fansat e tyre të shumtë në numër. Mund të keni të drejtë. Do të na pëlqente të gjithëve të shihnim pak më shumë nga jeta e atyre personazheve që adhurojmë, por nga ana tjetër një gjë e tillë kërkon angazhim maksimal nga ana e këtyre personazheve: kohë, përkushtim, devotshmëri dhe sigurisht duhet të ketë reagim për të gjithë këtë punë. A u nevojitet atyre? Përgjigjja qëndron pikërisht në atë çka vetë Jennifer ka thënë për Instagram-in: “Njerëz, për familjen Kardashian, Instagram-i është karrierë”.

Ja pra pse ato e refuzojnë Instagram-in, sepse e kanë krijuar karrierën përpara se ky aplikacion të shpikej dhe nuk kanë ndërmend të marrin famë prej tij, as adhurim dhe as lakim të veprimtarisë së tyre nëpër revista rozë. Dhe arsyeja është e thjeshtë: Ato nuk kanë nevojë!

Komento