Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Big Brother” di të jetë edhe romantik. E kemi parë në këto vite

“Big Brother” di të jetë edhe romantik. E kemi parë në këto vite
May 29
14:20 2017

Të shtunën që lamë pas, në “Big Brother” pamë se si dy banorë, Danjeli dhe Fotini, kurorëzuan në martesë lidhjen e tyre 2-mujore. Dasma e parë “live” në “Big Brother” u përcoll me shumë emocion, por edhe shumë kundërshtime duke nisur që nga vetë familjarët e çiftit. Danjeli dhe Fotinia, pavarësisht se të afërmit e tyre nuk ishin dakord, vendosën të martoheshin dhe kryebashkiaku Veliaj i shpalli burrë e grua po atë mbrëmje. Megjithatë, mes publikut kishte shumë persona që kjo situatë nuk iu duk edhe aq romantike. Propozimi i Danjelit dhe reagimi i Fotinisë të linte të dyshoje se situata që po ndodhte nuk po u shkaktonte ndonjë emocion shumë të madh. Shumë shikues nuk e quajtën këtë dasmë edhe aq romantike. Ndoshta momenti kur të gjithë patën emocione ishte kur të dy banorët u përballën me kundërshtimet e familjarëve të tyre. Megjithatë, në 9 vite “Big Brother”, publiku besnik ka parë shumë situata të cilat i ka emocionuar pafund e ndoshta në pak momente e ka shijuar  dashurinë e romanticitetin e banorëve të shtëpisë.

Nëse do të ktheheshim pas në kohë, publiku i vëmendshëm besojmë se e mban mend historinë e Polit dhe Inës. Vajza bionde dhe djaloshi muskuloz tërhoqën vëmendjen e të gjithëve në atë kohë. Ina dhe Poli ishin shumë të afërt me njëri-tjetrin derisa një ditë e deklaruan haptazi çfarë ndjenin. Megjithatë, ashtu siç janë rregullat e lojës, erdhi momenti që njëri prej tyre të largohej nga shtëpia. Ina ishte e para që la lojën për t’u kthyer sërish në surprizat që produksioni kishte përgatitur për çiftin. Poli arriti të shkonte deri në finalen e BB1, një natë e cila kishte rezervuar një super surprizë për të. Ina, e dashura e tij, brenda një balone të madhe, e cila qëndronte mbi shtëpinë e “Big Brother”, i shprehu dashurinë të dashurit të saj, një moment ky që jo vetëm banorët e kujtojnë me nostalgji, por edhe publiku që ishte dëshmitar i kësaj skene. Kjo me të vërtetë që ishte një surprizë me “S” të madhe e shumë romantike.

Në po të njëjtin edicion publiku u njoh me Astritin, banori i cili vinte nga zonat rurale, por që me tipin e tij bëri për vete shumë ndjekës të këtij programi. Astriti ishte familjar, i martuar dhe baba, por që kishte marrë iniciativën pasi kishte një dëshirë shumë të madhe për të marrë pjesë në këtë format, i pari në llojin e tij në Shqipëri. Astriti arriti të ishte deri në finale e në ato javë qëndrimi në lojë, produksioni, mes shumë surprizave për banorët, për Astritin mendoi që t’i sillnin personin e tij të zemrës, bashkëshorten e tij. Kjo skenë mbahet mend edhe sot si një nga më komiket. Vendi ku çifti u takua ishte zbukuruar në mënyrën më të mirë të mundshme, rrethuar nga lulet e sa më romantik. Banori e përqafoi të shoqen, por nuk e njohu. Bashkëshortja e Astritit ishte zbukuruar aq shumë, sa banori mendoi se produksioni i kishte sjellë një vajzë tjetër.

 

Seldi dhe Domenika kanë qenë dy nga banorët që u njohën dhe u dashuruan brenda shtëpisë së “Big Brother”. Lidhja e tyre ka qenë një nga ngjarjet më të komentuara të këtij edicioni, edhe pse pas daljes nga shtëpia gjithçka mes tyre mori fund. Brenda shtëpisë ata kaluan mjaft situata romantike, një prej të cilave ka qenë momenti kur Seldi i shprehu haptazi dashurinë. Këngëtari  i njohur i tregoi ndjenjat të dashurës së tij, por nuk u mjaftua vetëm me kaq. Pas këtij rrëfimi, Seldi gjithashtu i propozoi Domenikës që kur të dilnin të provonin të jetonin bashkë, duke i dhënë një çelës shtëpie në shenjë të bashkëjetesës.

Të gjithë u habitën kur ai u prezantua me emrin Liam, por brenda një kohe shumë të shkurtër ai u kthye në të preferuarin e publikut. Edhe pse doli i dyti në finale, Liam e jetoi deri në maksimum eksperiencën e tij në “Big Brother 5”. Liami ishte një DJ e prej vitesh jetonte jashtë vendit. Si një çun “club”-esh, ai kishte njohur në punën  e tij një vajzë gjermane, për të cilën fliste me superlativa në “Big Brother”. Produksioni, gjatë qëndrimit mundësoi që e dashura e tij të vinte në Shqipëri, drejt e në shtëpinë ku qëndronte Liami. Ajo u shfaq në oborrin e shtëpisë brenda një makine superluksoze më e bukur se kurrë. Shumë nga shikuesit besojmë se e mbajnë mend se ky ka qenë një nga momentet më romantike të atij edicioni, pasi Liami i propozoi Evelinës për martesë.

Ademi dhe Ejona ishin një çift i konsoliduar kur hynë në “Big Brother”, por që nuk e kishin organizuar dasmën e tyre për shkak të pamundësive ekonomike. Megjithatë, produksioni i këtij programi ua bëri këtë ëndërr realitet. Ejona dhe Ademi realizuan dasmën e tyre brenda shtëpisë me të ftuar shokët e tyre që njohën në “Big Brother”./Blitz.al/

Komento
Shperndaje