Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

BBC dokumentar për Kosovën: Një djalë shqiptar dhe një vajzë serbe takohen për herë të parë!

BBC dokumentar për Kosovën: Një djalë shqiptar dhe një vajzë serbe takohen për herë të parë!
September 18
19:51 2019

Lufta midis Kosovës dhe Serbisë përfundoi 20 vjet më parë, por konflikti asnjëherë nuk është zgjidhur siç duhet. Në disa pjesë të Kosovës, njerëzit (serbët dhe shqiptarët) ende nuk përzihen me njëri-tjetrin.

Kështu e fillon përshkrimin rreth një dokumentari të shkurtër rrjeti televiziv britanik BBC. Në këtë dokumentar të shkurtër, BBC shtron edhe pyetjen: A mundet gjenerata e lindur pas luftës të gjejë ndonjëherë një mënyrë për të jetuar së bashku.
Në këtë drejtim, përkatësisht për të parë nëse mund të ndodh një gjë e tillë, ata kanë marrë rrëfimet e dy të rinjve, nga të dy anët e Urës së Ibrit në Mitrovicë.

Bëhet fjalë për 20-vjeçarin Arian i cili nuk ka folur kurrë me një serb. Pas disa hezitimeve, ai ka pranuar të takojë Selenën 16-vjeçare në urën që ndan komunitetin e tij nga ajo.

“Ata kërkojnë diçka që nuk u përket atyre. Ky vend nuk është i tyre”, thotë Ariani, duke aluduar në Serbinë.

Ndërsa Selena thotë: “Unë jetoj në Kosovë, por jam një serbe”. Pas dy deklaratave të tyre, BBC kujton se shpresat për paqe mbeten pezull për gjeneratat e pasluftës.
“E kaluara nuk duhet të harrohet, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të bëjmë më mirë”, thotë më tej Ariani. “Nëse duhet të jetojmë këtu, do të ishte më mirë të jetonim së bashku”, vlerëson Selena.

Por a do të mund t’ia lënë dallimet e tyre të kaluarës? Përgjigjen në këtë pyetje BBC e fillon duke përshkruar ngjarjet që ndodhën në Kosovë që nga vitet ’90, duke kujtuar veprimet brutale të ushtrisë serbe, përfshirë edhe masakrat ndaj civilëve, si dhe detyrimin e mijëra shqiptarëve që të lënë shtëpitë e tyre.

BBC gjithashtu rikujton ndërhyrjen e NATO-s, deri në tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, duke shtuar se vite më pas Kosova shpalli pavarësinë. Dhe që nga ajo kohë, Serbia ende nuk e ka njohur Kosovën, madje as edhe serbët që jetojnë aty– që sipas BBC e mbajnë të gjallë konfliktin.

Megjithatë, shkruan media britanik, dallimi nuk vërehet askund më shumë se në Mitrovicë, aty ku serbët jetojnë në njërën anë të lumit, ndërsa shqiptarët në tjetrën. Djaloshi shqiptar rrëfen se ai kishte lindur gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe se janë kryer shumë krime, duke treguar se xhaxhai i tij ishte vrarë gjatë luftës.

“Familja ishte detyruar të largohej nga shtëpia nga ushtarët serbë dhe Ariani ishte mbështjellë në kraharorin e nënës së tij”, rrëfen BBC. “Pas luftës nuk kishim asgjë, sepse ata na e dogjën shtëpinë. Krejt çfarë kishte mbetur ishin këto bletë”, kujton Ariani. BBC vlerëson edhe se jeta në Kosovë ka qenë e vështirë, sepse nuk është ecur përpara.

Ndërsa Selena, e cila jeton në anën veriore të Ibrit, bashkë me familjen e saj, duke rrëfyer për gjërat që i pëlqejnë ka thënë se jeta në pjesën veriore të Mitrovicës është e vështirë.
“Ne mendojmë se shqiptarët nuk i duan serbët dhe ata mendojnë se ne nuk i duam ata gjithashtu”, thotë Selena duke shtuar se tani ajo ndjehet e lumtur, por se nuk sheh të ardhme për fëmijët e saj në Kosovë.

Mediumi britanik i hedh edhe një vështrim të Urës mbi Ibër, e cila është e bllokuar, në të cilën gjendet policë të armatosur si roje dhe se veturat nuk mund të kalojnë përmes saj, duke e përshkruar gjendjen si “një qetësi e frikshme”.

Dy të rinjtë, protagonistë të dokumentarit përshkruajnë edhe se si do të dukej një kalim përtej urës, në anën e kundërt, duke thënë se do të ishte “madje edhe e rrezikshme”.
BBC në pjesën e fundit të dokumentarit nuk lë pa përmendur edhe bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me të dytën që refuzon të njohë Kosovën, shkruan telegrafi.

Në këtë drejtim, thuhet në dokumentar, mijëra trupa të NATO-s është e nevojshme që ende të qëndrojnë, për të ruajtur paqen – dhe se në Mitrovicë tensionet ende “po ziejnë”.
Gazetarja e BBC vë në pah faktin se ndërsa gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës, pamja është krejt e ndryshme, duke treguar se mund të shohësh flamuj serbë gjithandej – ata flasin gjuhë tjetër dhe përdorin tjetër para. “Këto komunitete mund të ndajnë qytetin, por ata janë komplet të ndarë”.

Dhe pyetja të cilën vajza serbe ka parë të vështirë, sigurisht që ka qenë ajo rreth pavarësisë së Kosovës. Megjithatë ajo nuk ka ngurruar të thotë se “ne jemi pjesë e Serbisë”.
Ndërsa kur është pyetur nëse ndonjëherë do të “ndryshonte mendim”, ajo është përgjigjur se do ta bënte nëse do të duhej, gjithsesi duke shtuar se do të mund të përballej me konseguenca nga komuniteti atje.

Pas disa hezitimeve Ariani (që nuk ka takuar ndonjëherë ndonjë serb), si dhe Selena pajtohen të takohen dhe të bisedojnë. Ata takohen në urën që ndanë qytetin./Blitz.al/

Burimi: BallkanWeb

Share